Nga libri " Ilir Konushefci, simbol i bashkimit dhe i trimit dardan"

  • G.G /
  • 17 April 2022 - 18:15
Nga libri

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi Hyseni

(KAPITULLI  XIII)

FILOZOFIA E DOKRINËS USHTARAKE E ILIR KONUSHEFCIT, “ARMIKU DO PLUMBA E JO FJALË” !  

Ilir (Halit) Konushefci, Gjeneralmajor dhe Hero i Kosovës.Foto:https://manastirilajm.com/hero-kombit-ilir-konushevci-mergimi/)

Sikur të mos ishin plumbat e UÇK-së, të NATO-s dhe të Amerikës, Kosova ende do të kishte statusin e kolonisë nën Serbinë gjenocidale (1912-1999).

Kjo filozofi strategjike vizionare e heroit dhe e patriotit të madh, Ilir Konushefci nuk është fare fjalë boshe (e fjalorit të përditshëm të nivelit apolitik të çajtoreve, të kafeneve dhe të konferencave bjerrakohëse  dezinformuese për shtyp dhe për dezertorë, që propaganduesit e tyre  si djalli u trembeshin militantëve dhe luftës guerile, ngase dikush u kishte premtuar se,   vetëm me paqe pasive, do të vinte liria e Kosovës),  e pohuar kuturu si frymëzim i vetëkënaqësisë apolitike, por, përkundrazi, është element shumë i rëndësishëm  i mençurisë dhe i largpamësisë për të arritur objektivin  stratgjik të doktrinës dhe të praktikës ushtarake në fushëbetejë, jo me fjalë boshe të politikës ditore “fol e mos bërë asgjë” kundër armikut, ose  “hajt se do bëhet mirë, inshalla” !? [1]

“Mirëpo, Iliri dhe shumë shokë të tij, shpejt e kuptuan se filozofia e një politike të pritjes, ishte  e pasuksesshme për Kosovën. Kështu filluan që të mendojnë për gjetjen e rrugës së mundshme për realiziin e çështjes madhore, lirisë së Kosovës, përmes luftës së armatosur.”[2]

Pra, siç vë në dukje edhe ky vlerësim i ekuilibruar  realist i gjeneralmajorit të UÇK-së, Dr. Skënder Zhitia, këtë filozofi demagogjike perverse dhe të paskrupullt nuk e pranonte Iliri me shokët e tij të UÇK-së, duke pyetur me të drejtë se, kur  do bëhej mirë, duke ndenjur me duar në xhepa dhe, duke u dergjur nëpër kafene e çajtore të tymosura, të çorinetuar nga zhgënjimi dhe nga defetizimi i një politike dështuese para armikut pushtues serb?

–     Iliri thoshte kurrë nuk do bëhet mirë kështu :- Armiku vraj e masakro shqiptarë vetëm pse jemi shqiptarë dhe,  vetëm pse po kërkojmë të drejtat tona, e ne, duke  bërë allishverishe me armikun  me mallra, në dreka dhe në  darka nëpër restorante dhe hotele e motele të ndryshme në Kosovë e gjetkë, kinse duke pritur lirinë e “kontraktuar me paqe”?!

Republikën e shpallur të Kosovës (1990) nuk e njohu, nuk e ndihmoi dhe, nuk e mori në mbrojtje asnjë shtet-anëtar i OKB-së, veç Republikës së Shqipërisë, e cila e njohu, por nuk e ndihmoi ushtarakisht (1989-1999) !

-Edhe pse de fakto ishte një Republikë e shpallur nga vullneti i ligjshëm dhe demorkatik i popullit (Deklarata Kushtetuese, më korrik 1990; Kushtetuta e Kaçanikut, më 7 shtator 1990, si dhe Referendumi, më 26-30 shtator 1991), ajo nuk kishte atribute të shtetit të mirëfilltë. Me një fjalë, nuk ishte shtet në kuptimin e përkufizimit shkencor sipas së drejtës ndërkombëtare (nuk ishte subjekt i saj e as anëtare e OKB-së), ngase nuk e njohu  asnjë shtet në botë, as de fakto e as de jure (1990-1999).Kjo është e vërteta historike, politike dhe juridike kombëtare dhe ndërkombëtare e Kosovës nën kthetrat e përgjakshme të Serbisë çetniko-fashiste, kolonialiste, neokolonialiste, gjenocidale dhe neoimperialiste, gjatë viteve 1989-1999.

Prandaj, shkencërisht  nuk mund të hidhet poshtë kjo e vërtetë aksiomatike (qoftë mbi bazën historike, politike apo juridike) . Për më tepër,  kur edhe vetë autori i këtij libri ishte dëshmitar i përjetimit të një tragjedie të tillë, kur në Kosovë nuk kishte kurrfarë shteti shqiptar (as polici, as ushtri, as institucione e as organe të sigurisë dhe të mbrojtjes së popullit shqiptar), veç shtetit serb kolonilist dhe gjenocidal, i cili, në mungesë të shtetit shqiptar,  duke përdorur politikën e forcës masakroi me qindra e mijëra shqiptarë, duke mos dhënë asnjë llogari  as para Shqipërisë, as para Evropës, as para OKB-së e as para Amerikës (1989-1999).

Kjo ishte e vërteta, jo paqja improvizuese, që “sundonte” e shkruar vetëm në “akull”, mbase nuk kishte paqe as de fakto e as de jure nën kthetrat e përgjakshme terrorizuese dhe gjenocidale të Serbisë pushtuese të Slobodan Milosheviqit (1989-1999). –Kosova ishte vetëm një koloni klasike e mbërthyer në luftën e përgjkashme të gjenocidit serb të bandave kriminale barbarike çetniko-fashiste serbe, ku në këto rrethana të plojës shfarosëse të shqiptarëve të pambrojtur, paqja ishte vetëm një nocion abstrakt i imagjinuar me efekte negative politiko-propagandistike, që shqiptarët të mos hedheshin nën armë kundër Serbisë gjenocidale të Slobodan Milosheviqit.

Prandaj, kjo e vërtetë nuk mund të “retushohet” dhe të falsifikohet, sepse në Kosovë, gjatë viteve 1989-1999 nuk ka pasur kurrëfarë paqeje, kurrfarë lirie, kurrfarë pavarësie e as mirëqenieje , mbase  fatkeqësisht,gjatë një dekade të plotë (1989-1999), Kosova dhe 2 milionë e gjysmë shqiptarë nuk kanë pasur kurrfarë mbrojtjeje ushtarake, as nga Shqipëria, as nga Amerika, as nga BE-ja e as nga OKB-ja, përpos guerilës ilegale të UÇK-së, e cila në nëntor të vitit 1997 shfaqet publikisht në skenën ushtarake, politike dhe diplomatike. 

Si rrjedhojë e një politike të tillë të dështuar, pas 10 viteve të humbura “paqësore” (me tortura,  me arrestime,  me vrasje, me represalie dhe me dëbime masive të mijëra shqiptarëve nga Kosova për në shtetet e  Evropës Perëndimore), në fund, Serbia e dogji Kosovën, duke dhunuar mbi “22 mijë gra shqiptare”, duke vrarë e masakruar me qindra e mijëra shqiptarë (jo më pak se “11.800” mijë), si dhe deportoi jashtë Kosovës mbi “1 milion shqiptarë”, mbase nuk e mbrojti asnjë shtet në botë, madje as Shqipëria me ushtrinë e saj.

Ky ishte bilanci tragjik  i dhjetë (10) viteve të humbura   si pasojë e së ashtuqujaturës  “ filozofi gandiane paqësore”, që në fakt ishte e kundërta-politikë pasive paqësore, e cila nuk solli kurrfarë lirie dhe pavarësie të premtuar mbase për 10 vjet, asnjë shtet i Evropës  dhe i botës nuk e njohu pavarësinë e Kosovës. Për më tepër, gjatë 10 viteve të humbura (1989-1999) as Shqipëria, as Evropa e as bota nuk e parandaluan Serbinë që të mos bënte agreson dhe gjenocid mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë në Kosovë !?

Domethënia e filozofisë së artit ushtarak të Ilir Konushefcit: “Armiku do plumba  e jo fjalë” !

Kjo nuk ishte vetëm doktrinë e fantazuar sikurse  politika propagandistike paqësore, e spekuluar dhe e përfolur nga doktrina dhe  nga praktika pragmatike e filozofisë politike aktive paqësore  e Mahatma Gandit, por e bazuar në aksione konkrete guerile të UÇK-së  së komandantit dhe të strategut të famshëm  hero, Zahir Pajaziti me  bashkëluftëtarët e tij, siç ishin Ilir Konushefci, Selim Haziri, Avni Ajeti, Naim Hyseni, Naim Haziri, Shaip Haziri,  Rrustem Mustafa… e  tjerë,

“Në këtë  përcaktim politik dhe luftarak, Ilirin e shohim veçanërisht   nga rënia e Afrim Zhitisë dhe e Fahri Fazliut, më 2 nëntor 1989, Afrimi ishte bashkëluftëtar i Ilirit, më i madh për tre vjet e gjysmë, shumë i dashur, madje më vonë idol i tij. Një ditë para rënies së Afrimit, në Prishtinë, ishte vrarë  edhe bashkëluftëtari i tyre, i riu Bedri Sokoli. Dhe, konstatimi shumë here i përsëritur nga Iliri se  ‘Këto vrasje dhe vrasjet e tjera, do ta forcojnë edhe më shumë moralin dhe idelain tone në rrugën e çlirimit të Kosovës!’ – ishte paralajmërim për rrugën nëpër të cilën do të hapëronte  vetë drejt Panteonit të Atdheut.  Studenti Ilir Konushefci do të dallohet në demonstratat gjithëpopullore të fundvitit ’89 dhe fillimvitit ’90 në Ferizaj, në Prishtinë dhe në Besianë. Me disa student bie në kthetra të policies jugosllave i përjetoi torturat psikike e fizike special të tyre për të theyr rininë patriotike shqiptare. Nga hetuesia doli edhe më forte, me betimin se jetën do t’ia kushtojë luftës për çlirimin e Kosovës dhe ribashkimit të Shqipërisë.”[3]

Kjo maksimë e komandosit të shquar syshqiponjë, e strategut dhe e komandantit ushtarak, Ilir Konushefci, është plotësisht e justifikueshme si teorikisht, praktikisht, ashtu edhe shkencërisht. Esenca e  përmbajtjes së kësaj doktrine mund të justikohet nga këto tri elemente themelore konkrete:

1)  Nëse shprehemi me fjalorin e mjekësisë, kjo ka këtë kuptim: Kur pacienti  kafshohet nga gjarpëri, atëherë si preventivë e suksesshme shëruese ( në vend të fjalëve boshe, “hajt se të kalon shpejt” ) përdoret doza e kundërhelmit shumë më të fortë sesa helmi i gjarpërit. Ndryshe, pacienti vdes, e përrallat dhe fjalët e kota apolitike  dhe “ngushëlluese” i merr era.

2)  Nëse përdorim fjalorin e artit ushtarak, kjo do të thotë se   kundër forcës së çdo agresori qoftë të brendshëm a të jashtëm, duhet të përdoret kundërforca preventive ushtarake e jo pallavrat e politikës pasive paqësore (premtimet boshe të botës), që kokektojnë dhe synojnë të gjejnë “gjuhë të përbashkët”-kompromis me politikën shtypëse të armikut.

3) Nëse shprehemi me fjalorin juridik të së drejtës ndërkombëtare, kjo do të thotë se Gjeneralmajori dhe Heroi i Kosovës, Ilir Konushefci së bashku me veprimtarët e tij të ilegales dhe të UÇK-së kanë pasur të drejtën e plotë ligjore sipas normave dhe parimeve  të së drejtës ndërkombëtare, që të përdornin forcën ushtarake kundër agresionit dhe gjenocidit të Serbisë (1989-1999) për  të zhvilluar luftë vetëmbrojtëse dhe të drejtë, për shkak të mohimit  të drejtave dhe lirive kombëtare nga ana regjimit gjenocidal të Serbisë. Këtë të drejtë me bazë shkencore juridike ndërkombëtare , autori i këtij libri ( urgjentisht nga  bunkeri i kafe-restorantit  “Kalabria”,  vatrës ilegale guerile të Halit, Saimir e Ilir Konushefcit në Prishtinë, më 16 prill 1998) e ka pohuar, e ka mbrojtur, si dhe, njëkohësisht ka kërkuar botërisht ZBATIMIN   e saj nga bashkësia ndërkombëtare ( OKB-ja, BE-ja dhe OSBE-ja), në çastet më të rënda,  kur në Kosovë ishte përshkallëzuar agresioni dhe gjendja ishte më se tragjike nga masakrimi masovik i popullsisë shqiptare, që nga Beteja e Likoshanit, e Qirezit dhe ajo e Prekazit (5,6,7 1998), ku Adem, Hamzë dhe Shaban Jashari me 56 anëtarë të familjes  nga kulla e tyre heroike po bënin luftë për jetë a vdekje kundër “3000 “ forcave policore, paramilitare dhe militare serbe, të komanduara nga kryeçetniku fashist serb-legjionari kriminel Milorad Ulemek ( i cili për shkak të vrasjes së kryeministrit serb, Dr. Zoran Gjingjiq, më 2003, është dënuar jo më pak se me 40 vjet burg nga gjykata  e Beogradit) që e kishin vënë në shtetrrethim të autoblindave, të topave dhe granatave dhe po e bomabrdonin KULLËN  HEROIKE të JASHARËVE, që për fat të keq, askush nuk u shkoi në ndihmë as nga Kosova e as nga Shqipëria!  -Kësaj i thonë poshtë tradhtia, e  cila mbi 2 milionë shqiptarë i sakrifikoi në flakën dhe në terrorin e gjenocidit çetniko-fashist të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999).

Me gjithë herozimin dhe me qendresën e madhe, që bënë JASHARËT-luftëtarët heronj të Prekazit të Drenicës, forcat  vrastare serbe vranë “ 58  anëtarë të familjes Jashari (me kryekomandantin e UÇK-së Adem Jashari, prej tyre 24 fëmijë dhe gra”.

Gjithashtu, disa ditë ( një javë) para Masakrës së Prekazit, forcat çetniko-fashiste agresore sulmuan edhe popullatën civile në Likoshan dhe në Qirez të Drenicës, ku siç shkruan autorja ( ish-luftëtarja  dhe ish-korrespondentja e UÇK-së nga terreni, sot,  e ndjera, HEROINA E KOSOVËS), Mr. Fetnete Ramosaj : “Forcat serbe gjatë sulmit që e ndërmorën kundër fshatrave Qirez e Likoshan të Drenicës, më 28 shkurt të vitit 1998, i vunë në përdorim edhe tanket, helikopterët e artilerinë e rëndë, me ç’rast i vranë e i masakruan 24 shqiptarë, në mesin e tyre kishte edhe të mitur dhe një grua shtatzënë…”[5]

Këto  fakte të vrasjes, të terrorit, të gjenocidit dhe të masakrimit të popullsisë së pafajshme civile shqiptare në shtëpitë dhe në tokën e tyre nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe të regjimit pushtues të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1998), janë prova të mjaftueshme, të qëndrueshme dhe të pakundërshtueshme që vënë në dukje dhe jusitifikojnë ligjërisht hedhjen nën armë të UÇK-së kundër eskadronëve vrastarë të pushtuesve serbë, si dhe kundër një politike dështuese 10-vjeçare, të ashtuquajtur  “gandiane-paqësore”,e cila, gjatë një dekade të plotë (1990-1999) nuk qe në gjendje që meretorikën e saj boshe ta bindte Evropën Perëndimore, as Amerikën (pavarësisht se, çfarë senatori amerikan, Robert Dole i kishte premtuar Rugovës, më 5 mars të vitit 1999, me rastin e takimit të tyre në Shkup) e as Organizatën e Kombeve të Bashkuara, që ta merrnin në mbrojtje Kosovën nga agresioni pushtues dhe gjenocidal i Serbisë çetniko-fashiste të Slobodan Milosheviqit (1989-1999). 

Prandaj, lufta kundër shtypjes dhe shfrytëzimit kolonial serb, e zhvilluar nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ishte në përputhje  të plotë me parimet dhe me rregullat e së drejtës ndërkombëtare publike dhe humanitare, dhe me dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara (Neni 51, ku thuhet  : “…asnjë dispozitë e kësaj Karte nuk cenon të drejtën e natyrshme të vetmëmbrojtjes së ligjshme individuale ose kelektive…”[6]

Gjithashtu, e drejta e  vetëmbrojtes dhe kryengritja e armatosur e UÇK-së kundër shtypjes, terrorit, masakrave dhe ekzkekutimeve masive të popullsisë shqiptare nga forcat militare, paramilitare dhe policore çetniko-fashiste serbe, ishte e ligjshme dhe në përputhje edhe me Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara (10 dhjetor 1948) etj. Në pjesën hyrëse të kësaj Dekalarate të OKB-së, paragrafi 3, thuhet: “ Është e nevojshme që të drejtat dhe liritë e njeriut të mbrohen me dispozita juridike, kështu që njeriu të mos jetë i shtrënguar, që në pikën e fundit t’i përvishet kryengritjes kundër tiranisë dhe shtypjes”.[7]

Sa më sipër, e gjithë kjo plojë shfarosëse e qenies shqiptare dhe e djegjes së vatrave të tyre stërgjyshore nga forcat serbe, pa asnjë dyshim se e jusitikon  në tërësi filozofinë e doktrinës ushtarake të  GJENERALMAJOIRT dhe të  HEROIT të lavdishëm dhe burrit të madh të Kosovës, ILIR Konushefci, se  “Armiku do plumba e jo fjalë” !

Dhe, këta plumba, e paralajmëruan dhe e jusitifikuan rrugën kryngritëse liridashëse atdhetare, si dhe  betimin e Ilirit  për mbrojtjen e popullit të vet  të shtypur  nga çetnikët barbarë fashistë serbë.

Kjo ishte vetëdija e lartë e shprehjes së  trimërisë, të heroizmit, të vetëflijimit dhe e vetëmohimit të ILIR Konushefcit,  që atë e bënë SIMBOL TË PËRJETSHËM TË LIRISË, TË PAVARËSISË DHE TË BASHKIMIT TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË ETNIKE.

Kjo ishte motoja e idealit, e bindjes, e qendresës dhe e sakrificës së Ilir Konushefcit për çlirimin e Kosovës shqiptare nga Serbia fashistoide gjenocidale, sepse çdo rrugë dhe alternativë tjetër politike e “konservonte” dhe e stimulonte shtypjen dhe robërinë  e mëtjeme të 2 milionë e gjysmë shqiptarëve nën sundimin  e egër kolonial dhe gjenocidal të Serbisë (1989-1999). 

Kjo  strategji ushtarake e Ilirit, e luftës për lirinë e Kosovës, është racionale dhe plotësisht e justifikueshme për ata që e duan lirinë dhe atdheun e lirë, sepse  në parim, pritja qoftë me lule apo me paqe e çdo armiku, është tradhti dhe vetëkapitullim, që passjell mallkim dhe  ndëshkim  të ligjshëm.

Në rrugën e ndritshme të Rilindësit Sami Frashëri, “me mendje, por edhe me pushkë” !

Për më tepër kjo filozofi  e doktrinës luftarake e heroit Ilir Konushefci se “Armiku do plumba e jo fjalë” bazohet në gjenealogjinë e hershme të idesë dhe të vetëdijes së lartë kombëtare dhe atdhetare shqiptare,  në shekullin XIX, kur RILINDËSIT  tanë nuk kursenin asgjë, që kombi shqiptar t’i  fitonte të drejtat, liritë dhe pavarësinë e tij sikurse kombet e tjera  të qytetëruara të Evropës. Këto përpjekje politike dhe kulturore ishin të shoqëruara edhe me penë, edhe me pushkë. Këtë e dëshmon edhe kjo thënie e çmueshme e filozofit, e enciklopedistit, e eruditit, e patriotit dhe e ideologut të parë shqiptar të Platformës së Bashkimit të Shqipërisë Etnike (“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do bëhetë”, Bukuresht, 1899), Sami Frashër

Pra, edhe kjo aksiomë me përmbatje  të doktrinës së filozofisë politike, kombëtare dhe ushtarake na apostrofon, ashtu sikurse  ideja  e strategjisë ushtarake e Ilir Konushefcit, se për të fituar lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar, nuk mjaftojnë vetëm “frazat e tredhura filozofike” të determinizmit retrospektiv; të historisë shtrembëruese mitologjike-poetike;  frazat boshe dhe retorike të politikës ditore dhe të diletantëve  të saj, por, patjetër nevojitet  edhe forca ushtarake, sepse me lule dhe me paqe pritën vetëm fitimtarët me forcat e tyre çlirimtare kombëtare ose ndërkombëtare paqësore siç ishte rasti i hyrjes së forcave të UÇK-së (11 qershor 1999) dhe i forcave ushtarake të  NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999, me ç’rast populli shqiptar i priti me lule  dhe me gëzim të madh, sepse  me ardhjen e tyre Kosova u çlirua përjetësisht nga  Serbia pushtuese gjenocidale fashiste (1912- 12 qershor 1999).

Pritja me paqe e armikut pushtues serb ishte tradhti dhjetëvjeçare  ndaj Kosovës shqiptare

Së pari, “rrugën e asfaltuar” të kësaj tradhtie ia hapi udhëheqja politike komuniste  e KSAK-ut  ( 1989-1990), sepse ashtu si u diktoi dhe i kërcënoi Qeveria e Serbisë së Slobodan Milosheviqit, të frikësuar, në panik, të përçarë, të ç’organizuar dhe, pa menduar fare, demobilizuan policinë dhe forcat e Mbrojtjes Territoriale të Kosovës, në vend se këto forca të organizoheshin dhe të mbolizoheshin së bashku me gjithë popullin për t’i mbrojtur  pikat kufitare në Merdare dhe në Leposaviq, duke e penguar hyrjen e forcave ushtarake dhe policore pushtuese  serbe në Kosovë.  Ky ishte gabimi fatal dhe tragjik për 2 milionë e gjysmë shqiptarë dhe për Kosovën e Shqipërisë Etnike, që bëri udhëheqja politiko-komuniste e Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës (1974 -1990). 

Pak shembuj të tillë antikryengritës njeh historia botërore. –Arsyeja është tejet e qartë, sepse  PRITJA e çdo agresori pushtues qoftë me lule, qoftë me paqe, është tradhti mbi tradhti edhe ndaj kombit, edhe ndaj atdheut. Një akt i tillë, as moralisht, as kombëtarisht e as ligjërisht nuk mund të cilësohet  e as  të justifikohet  si vepër humane, kombëtare e as heroike, në asnjë kuptim të së vërtetës historike, por nënshtrim dhe kapitullim përpara çdo armiku të huaj pushtues, siç ishte rasti me  Serbinë agresore dhe gjenocidale të Slobodan Milosheviqit, e cila me forcë dhe me agresion ripushtoi Kosovën shqiptare (1989-1999). Mirëpo, përpos   Guerilës së UÇK-së së Adem Jasharit,  askush nga shqiptarët dhe nga Shqipëria nuk e pritën me armë,  me zjarr  dhe me plumb Serbinë pushtuese! Kjo ishte tradhti kolektive, veç Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila së bashku me NATO-n dhe me Amerikën triumfuan mbi forcat çetniko-fashiste barbare pushtuese (1989-1999).

Gjatë kësaj kohe të rëndë nën pushtimin barbarik të hordhive çetniko-fashiste serbe, të cilat çdo gjë që ishte shqiptare e plandosën përdhe, madje duke mos kursyer as fëmijët, as nxënësit e as studentët, të cilët lindën, u rritën dhe u kalitën luftëtarë trima me zemër luani si Ilir Konushefci, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Adem e Hamzë Jashari, Ramush Haradinaj, Afrim  Zhitia, Agron Rrahmani, Adrian Krasniqi, Fehmi dhe Gjevë Lladrofci, Qerim  Kelmendi, Mujë Krasniqi… e qindra e mijëra të tjerë, të cilët u hodhën nën armë dhe luftuan  fyta-fyt me armikun pushtues serb.  Kjo luftë e tyre heroike dhe e guximshme triumfoi mbi armikun shekullor serb, si dhe e përtrollisi një politikë dështuese 10-vjeçare , që në përmbajtjen e saj ishte  vetëm  një lloj dekori i një paqeje të improvizuar dhe të imagjinuar nën pushtimin paramilitar, policor dhe militar serb, sepse në Kosovë nuk kishte as paqe, as liri, as ligj, as mirëqenie sociale e as siguri, por vetëm viktima, dhunë,   shpërngulje të detyrueshme,   tirani, varfëri, shfrytëzim, plaçkitje, burgosje, torturë, terror,  masakra, varreza masive, vrasje dhe gjenocid  serb mbi shqiptarët (1989-1999).  Kjo ishte përmbajtja e  njëmendtë e së ashtuquajturës “filozofi paqësore”, të cilën e shkallmuan  plumbat, granatat, flaka, zjarri, reprezaliet, terrori dhe gjenocidi serb, jo më pak se një dekadë (1989-1999).

Mirëpo, me një politikë të tillë kapitulluese, që i  shkonte për shtati politikës kolonialiste-shfarosëse pushtuese serbe, Ilir Konushefci asnjëherë nuk u pajtua, sepse ishte i vetëdijshëm se liria nuk fitohej me përralla politike dhe propagandistike premtuese, indoktrinuese dhe ekzagjeruese “fol e mos vepro”. Por, zgjodhi rrugën më të vështirë, rrugën e drejtë, rrugën e luftës që e diktonte gjendja e mjerueshme dhe robëruese e shqiptarëve në Kosovë, të cilët   vriteshin si “qentë” nga soldateska çetniko-fashiste serbe e Slobodan Milosheviqit (1989-1999), por askush nuk jepte kurrfarë llogarie ngase  ishin të pambrojtur, jashtë ligjit dhe jashtë kushtetutës, si dhe plotësisht të harruar dhe të braktisur nga Shqipëria amë, nga Evropa demokratike dhe e integruar, si dhe nga drejtësia e bashkësisë ndërkombëtare (OKB-ja), që një dekadë të plotë nuk e parandaluan e as nuk penguan agresionin pushtues dhe shfarosës  të Serbisë së Slobodan Milosheviqit ndaj 2 milionë e gjysmë shqiptarëve dhe ndaj Kosovës së Shqipërisë Etnike.

Këtë përcaktim të drejtë, të guximshëm dhe largpamës vetëmbrojtës, kombëtar dhe luftarak të Ilir Konushefcit, se “ARMIKU DO PLUMBA E JO FJALË” e dëshmoi edhe pushka për liri e UÇK-së me kryekomandantin  historik, kombëtar patriot Adem Jashari në krye (5, 6, 7 mars 1998), duke mbrojtur pragun e shtëpisë  në Prekazin heriok të Drencisë së Azem Bejtës, të Ahmet Delisë, të Shaban Polluzhës dhe të Hamzë e Shaban Jasharit, me ç’rast i kallën datën armikut pushtues serb, duke i vrarë me dhjetra e dhjetra policë dhe, duke i shkatërruar makinerinë dhe arsenalin ushtarak vrastar.

Për shkak të një politike pasive paqësore 10-vjeçare (1989-1999), që gjatë asaj kohe drejtohej nga disa liderë apolitikë vetëmashtrues, gjendja bëhet edhe më e padurueshme dhe merr përmasa krejtësisht tragjike ngase viktimat ishin të shumëta, të shkaktuara nga dhuna dhe nga terrori i shtetit policor të kryekriminelit  Slobodan Milosheviq.

(Akademik Mark Krasniqi.Foto:https://www.teksteshqip.com/mark-krasniqi)

Sipas autorit, ish-akademikut të ndjerë, patriotit shqiptar, Mark Krasniqi, “ prej vitit 1981, deri kah gjysma e vitit 1992, Serbia vrau 118 shqiptarë, vetëm pse kërkonin të drejtat e tyre nacionale dhe njerëzore. Gjatë kësaj kohe me qindra mijëra shqiptarë janë burgosur, rrahur dhe maltretuar në mënyrë të ndryshme antinjerëzore…Më 1990 Serbia ka helmuar 7000 mijë nxënës shqiptarë, shumë nga këta kanë mbetur me pasoja të rënda shëndetësore. Serbia i ka përjashtuar  me dhunë  nga puna rreth 200 mijë shqiptarë dhe përditë përjashton të tjerë nga ata 50 mijë që kanë mbetur në punë dhe në shërbime të dorës së tretë, kryesisht punëtorë fizikë.     Në vend të ekspertëve shqiptarë ajo sjell nga Serbia dhe nga Mali i Zi njerëz të cilët merren me politikën shoviniste antishqiptare e jo me punë krijuese, kështu që e kanë shkatërruar krejtësisht ekonominë e Kosovës, edhe ashtu të pazhvilluar. “[8]

Si këto ngjarje të tmerrshme, që karakterizonin Kosovën nën okupimin e Serbisë, si dhe vrasja e popullit të pafajshëm civil dhe e bashkëluftëtarëve të tij, që në ilegalitet kishin kapur pushkën dhe luftonin kundër Serbisë për lirinë e Kosovës, siç ishin Afrim Zhitia, Bedri Sokoli, dhe mëpastaj Zahir Pajaziti, Edomnd Hoxha, Hakif Zejnullahu, Agron Rrahmani, Luan Haradinaj dhe Adrian Krasniqi, heroit dhe burrit të madh të Kosovës, Ilir Konushefcit i dhanë të drejtë dhe zemër të madhe e të çelikt, që në mënyrën më vehemente dhe të pakursyer t’i luftonte armiqtë pushtues serbomëdhnej, që padrejtësisht e terrorizonin dhe e vrisnin popullin  e pafajshëm shqiptar dhe e digjnin Kosovën.

[1]   Iliri që në fillim të viteve ’90, si aktivist në  Forumin e të Rinjve në Degën e LDK-së në Besianë, shprehu pakënaqësinë dhe papajtueshmërinë  e tij ndaj konceptit të politikës së pritjes së LDK-së. Gjatë kësaj kohe “ Ilir Konushefcin e shohim në krahun e pjesës së rinisë llapjano-gallapase më luftarake të lëvizjes gjithëpërfshirëse  të quajtur LDK, kurse nga fundi i vitit 1991 së bashku me 7 bashkëveprimtarë, kryesisht ish-bashkënxënës e bashkëstudentë e gjejmë të organizuar në aktivitetin ilegal të LDK-së për siguri dhe mbrojtje, që ishte inicuar nga ish të burgosurit politikë në radhët e udhëheheqjes së LDK-së…Pas spastrimit të udhëheqësve të degëve të LDK-së nga kuadri  i ish të burgosurve politikë, që u thellua veçanërisht pas Referenudmit për Kosovën Republikë të Pavarur (26-30 shtator 1991), Grupi Luftarak i Besianës me Ilir Konushefcin strumbullar, me një letër anonime iu drejtua Kryesisë së Degës së LDK-së së Besianës me të cilën dënonte politikën pacifiste të pritjes së LDK-së dhe kolaboracionizmin e saj me element të UDB-së, kurse më 13 Maj 1992 në Besianë, në vendin e quajtur  ‘Te kisha’, Grupi mori vendim për formimin e Njësitit të Armatosur Gueril, i cili  në mbledhjen e dytë, më 20 maj 1992 u  emërua: “Shqiponjat”… (Shih: Prof.Dr.Muhamet Pirraku, “Kosovë – Shqipëri”, jemi të gjallë kur të jeni nji!”, “Epoka e Re”, Prishtinë, 2005, 12 maj, f. f.20.

[2]  Dr. Skënder Zhitia, Dëshmorët e UÇK-së-Zona Operative e Llapit, “Dukagjini”, 2000, f. 18.

[3] Prof.Dr. Muhamet Pirraku, “Kosovë – Shqipëri, jemi të gjallë kur të jeni nji!”. Shih në: “Epoka e Re”, Prishtinë, 2005, 12 maj, f.20.

[4]  Gazeta “Shekulli”, Tiranë, 2017 ( 8 maj).

[5]   // https://www.radiokosovaelire.com/fetnete-ramosaj-edhe-19-vjet-nga-masakra-e-qirezit-dhe-likoshanit-askush-nuk-eshte-nxjerre-para-drejtesise//

[6]  Karta e Kombeve të Bashkuara dhe Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare, “8 Nëntori”, Tiranë, 1987, f.43.

[7]  Dr. Mehdi Hyseni, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe e drejta ndërkombëtare, “Zëri i Kosovës” (16 prill) ,Cyrih, Zvicër, 1998.

[8]  Akademik Mark Krasniqi, Kosova Sot (Expoze e lexuar para Senatit Belg në Bruksel, më 1992), Prishtinë, 1992, f.3.

(Kosova Sot Online)