Lumturie Axhami: Dikur kemi ditur me pak të kënaqemi dhe kemi pasur dashuri të sinqertë për njëri-tjetrin

  • A.P /
  • 14 June 2022 - 08:19
Lumturie Axhami: Dikur kemi ditur me pak të kënaqemi dhe kemi pasur dashuri të sinqertë për njëri-tjetrin

Intervistë me këngëtaren Lumturie Axhami

Lumturie Axhami është këngëtare e njohur e muzikës popullore e cila karrierën e filloj në Han të Elezit - vendlindjen e saj për të vijuar më pas në Maqedoninë e Veriut respektivisht në Kërçovë ku jeton dhe vepron edhe sot.

Image

Axhami ditë më parë festoi 45 vjetorin e karrierës me një koncert jubilar në Kërçovë. Për këtë eveniment dhe për shumë gjëra të tjera rreth jetës dhe karrierës së saj që nuk i keni ditur më parë ju ftoj ta lexoni intervistën në vijim me këngëtaren Lumturie Axhami.

Image

"Kosova Sot Online": A ndiheni e përmbushur nga pikpamja artistike pasi shënuat 45 vjetorin e karrierës përmes një koncerti jubilar të emërtuar "Një jetë me këngë" ku interpretuat disa nga perlat e muzikës popullore dhe hiteve tuaja derisa salla ishte përplot me admirues të muzikës tuaj?

Lumturie Axhami: Mbrëmja e koncertit ishte një gjë e papërshkruar, asgjë nuk më ka mbetur peng ndoshta i tejkalova edhe pritshmëritë. Nuk mendoja që aq jehonë do të kishte dhe do të ishte i mirëseardhur një koncert nga ky format. Unë atë natë shpërtheva njësoj sikur që kam shpërthyer që në fëmijërinë time. Ishte një befasi e paraqitjes time në skenë nga aty ku shpërtheva dhe fillova rrugën time si soliste. Po në atë natë unë rrubullaksova, në njëfarë mënyre isha në valë shumë të njejta, ishte ndjena shumë e sinqertë si nga ana ime poashtu dhe nga publiku të cilët vazhdimisht gjatë këtyre dekadave më kanë përkrahur derisa në mbrëmjen e koncertit tim e dhanë vulën e besnikrisë.

"Kosova Sot Online": Ndër vite keni realizuar disa këngë hite si: "E kam një mall, "Kthema mua fatin tim" etj., por cilat mbetën këngët më të dashura për ty që më ëndje i këndon?

Lumturie Axhami: Ndoshta mu aty ka qenë çelësi i suksesit tim, se zëra e zëra të bukur ka sa të duash mirëpo edhe në këtë punë duhet një menagjim. Unë kur kam filluar të këndoj kisha fatin, isha aq e re sa nuk dija çfarë po ndodh me mua, unë pa dashjen time linda yll. Që në moshën 14 vjeçare më njihnin njerëzit në Han të Elezit pasi kam lindur në atë vend. Derisa kur kaluam në festivalin "Kosovarja këndon" atëherë dhe u shpërbelva, ishte festival shumë prestigjioz ku për atë kohë ishte një lloj testimi për këngëtarët i cili mbahej dy netë më radhë dhe nata finale dhe unë kur shkoja në festival isha një vajzë e vogël që vija nga një provincë prandaj aty aq mirë më mirëpriten publiku saqë unë fillova të notoja në ujëra duke mos e ditur sa popullaritet dhe famë mora andaj në atë kohë e realizova edhe albumin e parë ku kishte këngë të bukura dhe ishte albumi i parë që binte në duart e audiencës i cili prodhohej atbotë nga "Veterniku" i Prishtinës dhe unë kisha kënaqësinë që nxorra në dritë albumin e parë me këngë shqipe më pas vijuan edhe albume të tjera mirëpo secili ka qenë i veqantë në karakteristikën e tij psh. albumi i parë ishte se bëhej i pari, në albumin e dytë muzika këndohej me orkestër të plotë, ku në albumin e dytë solla komponimin e ri, albumin tjetër e kisha me këngë fetare ku dhe ai u pëlqye. Pastaj bëra dhe një baladë. Dua të them se secili album e ka pasur veqorinë e vetë dhe secili album ka lënë hitet e kohës që edhe sot e kësaj dite kërkohen, kjo është për mua një gjë vërtetë shumë e madhe që të jesh kaq vite në skenë dhe të kërkohen këngët nga audienca është vërtetë një fat i madh.Derisa këngët që kanë vulen time sinqerisht ju them se janë të gjitha të dashura dhe po ta pysesh një artist cilën këngë do ta ndash më beso që do ta ketë vështirë, kështu që të gjitha janë të dashura.

Image

"Kosova Sot Online": Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje për të cilën edhe sot ke nostalgji nga vendlindja?

Lumturie Axhami: Unë kam lindur dhe kam jetuar në Han të Elezit, babai duke e parë që Shkupin e kemi afër nga prespektiva kaluam në Shkup. Me vajtjen time në Shkup unë sërish nuk i shkëputa rrënjët nga Kosova andaj u ktheva dhe vazhdova shkollimin këtu. Jetoja te xhaxhallarët derisa prindërit jetonin në Shkup, disi sikur i tradhtova ata pasi ikën për mua dhe unë prap u ktheva. Vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat që njeriu i rikthehet dhe gjithmonë i kujton. Unë në Han të Elezit abc-në e parë i mësova aty , këngën e parë e këndova aty, fëmijërinë e përgjysmuar e lashë aty. Më kujtohen këto vajtjet që shkonim te Lepenci, ishte vendtakimi jonë i famshëm ku argëtimi nuk mungonte me këngë e valle bashkë me lojërat tona derisa unë shpesh këndoja aty. Më duket se nga jehona e zërit tim trazohej gjithë shtrati i Lepencit derisa buzëmbrëmjeve këndoja këngët më të bukura pasi kisha nevojë për një hapsirë më të madhe. Edhe pse kemi qenë popull i varfër dinim të kënaqeshim më pak. Shembull ne kishim të vetmen shëtitje që na sjellnin në Strugë për një eksurzion, ajo ishte kënaqësia më e madhe. Tërë vitin e pritnim që të shkonim në shëtitjen një ditore dhe kursimet fillonim shumë më përpara që vitin e ardhshëm pasi prindërit mundoheshin të na plotësonin dëshirat derisa për ne ishte atraksion i vërtetë. Shkoni në Ohër, Deqan ose në Shpellën e Gadimes varet nga destinacionet. Që nga fillimi i udhëtimit e deri në kthim ishim të lumtur që udhëtimin po realizonim derisa këndonim. Ishte e papërshkruar që rrallë përjetohet mirëpo kemi ditur me pak të kënaqemi dhe kemi pasur dashuri të sinqertë për njëri-tjetrin. Unë dhe tani kur bisedoj me ju them se që ne vërtetë kemi qenë një vend i vogël në Han te Elezit mirëpo të gjithë kanë qenë bujar kudo që të shkosh në mesnatë dhe të trokasësh në derë ke gjetur mikpritje, të kanë gostitur ndoshta dhe nga pozicioni se shumica e njerëzve kanë kaluar kufirin andej-këndej mirëpo Hani i Elezit i ka pasur dyert e hapura për të gjithë pa dallim njerëzit kanë paur konak andaj unë me shumë krenari e them që jam nga ai vend. Shoqëria kulturore në Han të Elzeit kohë pas kohe më ftojnë dhe unë gjithmonë jam e gatshme të shkoj pasi kam shumë mall për vendlindjen.

Image

"Kosova Sot Online": Jetoni dhe veproni në Kërçovë, si është një ditë e juaja dhe sa janë prezente aktivitetet kulturore në qytetin tuaj?

Lumturie Axhami: Edhe Kërçova nuk ka shumë dallim nga Shkupi apo ndonjë qytet tjetër, natyrisht se është qytet më i vogël ku të gjithë njerëzit lartë e poshtë njihen ku të përshendesin dhe gjithmonë gjen miq të pish një kafe, të njohin të gjithë dhe është ajo klima shumë e bukur po të jetosh aty. Mirëpo është tjetra se i ke larg mediumet por në Kërçovë jeta kulturore bukur ndërthuret pasi ka shumë shpesh aktivitete nga lëmi të ndryshme duke filluar nga më të rinjët e deri tek artet e ndryshme, ka shumë artdashës që dinë ta vlerësojnë këngën. Pasi jam e vetmja këngëtare në qytet dita-ditës nuk i ngjason gjithmonë je në lëvizje takohesh me njerëz të mirë. Pastaj ky vend ka dhe një bagazh të pashterrur të këngëve dhe ka një melos shumë të bukur prek zonat e veriut dhe jugut është një urëlidhëse mes dy krahinave mirëpo mund të gjesh një jare të Gjakovës apo Shkodrës të cilët vetëm këngëtarët që jetojnë këtu mund ta interpretojnë pasi është specifike.

Image

"Kosova Sot Online":  A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Lumturie Axhami: Armend, pyetje shumë më vend pasi në ditët e sotme fatkeqësisht gjithqka po sërvohet mirëpo mua personalisht nuk më pëlqen kur nuk e gjej vetvetën në tekst, unë një këngë të tillë nuk mund ta pranoj. Pasi që në shumicën e këngëve jam dhe autore por gjithmonë i kam ato rezervat duke menduar se duhet të ketë një mesazh dhe gjithmonë jam me frikë se a e bëra ashtu si duhet. Tekstet e mia dallohen pasi dua që kënga ta ketë një mesazh që të dëgjohet në çdo kohë e jo sikur tani kur mjerisht muzika është duke notuar në ujëra të turbullta. Shembull: Mund të vij një moment kur je me familjarë dhe nuk mund ta dëgjosh një këngë të caktuar dhe unë nuk e di si do jetë pas disa viteve nëse vazhdojmë me këtë rrugë kështu. Perderisa identiteti i një kombi është muzika, arti ne vetë po e fundosim dhe pastaj kërkojm progres më shumë. Mua më kujtohet në kohën time se ka pasur rregulla rigoroze për muzikë, tekstet duheshin dy tri javë më herët të dërgoheshin në stacion policor dhe të përktheheshin fjalë për fjalë. Më besoni se një rast më kërkonin të gjitha tekstet e këngëve psh. "Midis balli ma ke një pikë" dhe paramendo si tingëllonte kur përkthehej në gjuhën sllave ose "Tunde mori tunde" dhe ata në stacionin e policisë e thirrnin babin sepse unë isha edhe e re duke e pyetur a bën parodi pasi krejt tituj qesharak ka sjellur. Dua të them se sa vështirë e kemi pasur ne të punojmë dhe tani e kemi gjithë lirinë e mundshme që të mirremi me art të mirfilltë dhe më vjen që ka degraduar pothuajse çdo gjë dhe kjo është dhimbja dhe fatkeqësia më e madhe.

Image

"Kosova Sot Online":  A jeni vaksinuar kundër Covid-19 dhe a besoni se viti 2022 do jetë fundi i pandemisë COVID-19 dhe varianteve të saj?

Lumturie Axhami: Unë vaksinat i kam marr, dy dozat dhe kam qenë ndër të parat. Unë kujdes kam pasur mirëpo panik jo. Derisa sa i përket fundit dhe si do jetë unë nuk mund ta jap një opinion pasi nuk merrem me atë çështje pasi po shpiket çdo gjë dhe tani kemi humbur edhe besimin andaj uroj të mos përsëritet diçka e tillë sepse vërtetë kanë ikur mjaft njerëz. Na kapi kjo fatkeqësi, kemi pasur të prekur edhe nga familjarët me Covid-19 dhe këto gjëra uroj të mos na përsëriten edhe njëherë.

Image

"Kosova Sot Online":  Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?

Lumturie Axhami: Armend të them të them të drejtën unë gjithmonë nisem, jam kritike e ashpër mirëpo kur është për tu admiruar kam guxim dhe e them sa herë dal në skenë dhe jam me veshje kombëtare më duket vetja figurë e plotë derisa kur dal me veshje të zakonshme atëherë më duket sikur jam gjysmake sikur nuk jam e kompletuar. Kjo do të thotë se unë që nga fillimet e para popullaritetin e kam krijuar me veshje kombëtare vajza me kësule dhe me shaminë e kuqe. Veshja kombëtare për mua ka qenë mbretëreshë e çdo veshje edhe sot e kësaj dite. Sa i përket provokimeve të gjitha duhet të jenë në suaza të normales shembull kur e sheh një vajzë të re me vokal të mirë i shtohen cilësitë edhe më tepër mirëpo jo me pretendu si manikene se derisa je këngëtare armën më të fort duhet ta kesh zërin jo gjërat e tjera.

Image

"Kosova Sot Online": Me cilin këngëtar/e nga estarda do të preferoje ta realizoje një bashkëpunim?

Lumturie Axhami: Të ta them të drejten unë jam e hapur për bashkëpunime me të gjithë dhe nuk kam ndonjë emër për ta theksuar se me këtë më pëlqen edhe pse janë bërë trend sot bashkëpunimet mirëpo duhet të jemi në një vijë në një kategori të njejtë. Unë nuk jam pro zhanreve komerciale dua të bëj atë që vërtetë ndjej e ai është zhanri i pastër popullor shqiptar pa devijime tjera. Shembull unë 45 vite në skenë mbeta pasi dita çfarë të ofroj. Shkova një ditë në një gjirim me keqardhje e them nuk dallonte kënga prej këngës të gjitha me daire po leni ato daire kanë kënduar vajzat nëpër shtëpia të fshatit, këndoni shqip si ka lezet, si i kemi bërë ne më përpara dasmat. Nga këngët popullore edhe arjet bëhen aq e bukur që është derisa ne e humbim. Të hollat të gjithve na duhen kush është ai njeri që thotë nuk dua mirëpo këngëtarët me emër duhet të kenë kujdes duhet të dinë çfarë të japin pasi gjithqka mbetet arkiv jetësor.

Image

"Kosova Sot Online": Sa do jeni prezente këtë verë në dasma dhe ahengje familjare, cili publik e mirëpret më ngrohët Lumturinë?

Lumturie Axhami: Unë nëpër dasma shkoj aty ku më ftojnë dhe jam e respektuar. Zakonisht dasmat i bëj në Kërçovë edhe në Strugë, në këtë rajon dhe për këtë arsye nuk kam nevojë të lëvizë shumë pasi dasmat i kam këtu. Mirëpo një adhurues i imi nëse ka shprehur dëshirë të më ketë në dasëm atëherë më shumë dëshirë do të shkoja për respekt. Pastaj ndoshta dhe një ndryshim i klienteles pse jo do të kishte qenë i mirë, kush më fton do të jem aty me kënaqësi pasi dasma është nder dhe e pranoj me shumë përgjegjësi. Është nder të ta dorëzon dikush ditën më të rëndësishme të jetës dhe ti të jesh pjestare e saj, është eveniment historik poashtu me të njejtin seriozitet dua të rikthehet.

Image

"Kosova Sot Online": Sipas jush, ku është muzika shqipe sot, a jeni e kënaqur me standartin aktual apo duhet ndryshime urgjente?

Lumturie Axhami: Në ditët e sotme ka artistë që i dëgjoj dhe më rënqethin shpirtin mirëpo të vetmen të keqe të kësaj kohe e shoh menaxhimin. Unë edhe më herët e potencova se pazarëllëqe me art nuk bëhen, këtu e kam gjithë luftën time. Dikur ne kemi dhënë e s'kemi marr nga kënga, kemi participuar në mënyra të ndryshme që të lulëzojë kultura e perderisa aty ku lozë parja aty humb gjithçka. Ne nuk flasim më për vlera. Tani të shkosh ta bësh një këngë shkronjë për shkronje e bëjnë këngën derisa ne dikur kemi incizuar në një studio përnjeherë ku për një gabim e kthenim këngën që nga fillimi tani me teknikë ka ndryshuar. Institucionet duhet ta marrin më me seriozitet punën e artit, t'i përkrahin të rinjët të ketë favorizime për festivale të mirëfillta gjithashtu programet e Vitit të Ri ta kenë cilësinë më të ngritur jo gjithmonë fytyrat e njejta. Unë jam kundër xhirimeve që bëhen sikur dasëm kur baba marton djalin andaj Lumturia nuk kalon andej sepse mua më "vrasin" pasi unë e dua minutazhin tim jam soliste dhe kur dal në skenë dua t'ia jap hakun si duhet pasi arma ime është këndimi e jo si do të dukem e komplekse tjera. Kujtoj se kur kam shkuar në një xhirim në ora 21:00 kam mbetur aq vonë duke pritur në radhë, kështu që derisa nuk ndahet shapi nga sheqeri Lumturia në ato mbrëmje nuk shkon prerazi.

Image

"Kosova Sot Online":  A e ka trashëguar ndonjëri nga fëmijët tuaj talentin për të kënduar?

Lumturie Axhami: Vajza aq bukur këndon, ka zërin e pastërt kristal mirëpo ajo thotë se dua të këndoj vetëm për vetën dhe jo për audiencë. Unë si nënë një kulturë muzikore e kam pasur obligim t'ia jap të dy fëmijëve mirëpo skena nuk do imponime, kështu që unë fëmijët e mi nuk kam pasur guxim t'i nxisë në këtë fushë derisa ata vetë nuk kanë qenë të gatshëm ta pranojnë.

Image

"Kosova Sot Online":  Dua një mendim për këto tri artiste që do t'i përmend tani: Nexhmije Pagarushën, Shkurte Fejzën, Adelina Ismailin?

Lumturie Axhami: Secila e veçantë në mënyrën e vetë mirëpo pika e referimit është se të gjitha janë mbretëresha në zhanrin e vetë. Të flasësh për Nexhmije Pagarushën jam shumë e vogël mirëpo ajo mbetet gjithmonë krenaria dhe identifikimi jonë, kemi pasur fat që kemi pasur një bylbyl që na ka përfaqësuar denjësisht ku ka shkuar. Shkurte Fejza është sinonim i gjithë shqiptarëve me këngët e saja, me atdhedashurinë e saj që e ka shprehur gjithmonë nëpër këngë dhe unë kam respekt jashtëzakonisht është një zonjë e vërtetë. Adelina Ismaili ka qenë çapkënja, revulucionjara dhe ikona e të gjithëve andaj jemi me fat që i kemi.

Image

 "Kosova Sot Online": E festuat 45 vjetorin e karrierës por kur do t'na vije Lumturia me ndonjë këngë të re?

Lumturie Axhami: Unë kam filluar që tani jam në përgatitje të një kënge kërçovare dhe një kënge kosovare të cilat do të realizohen edhe me videoklip. Shpresoj që para Vitit të Ri do të jenë gati. Megjithatë ja kam borxh edhe Kosovës një koncert të tillë dinjitoz, atyre njerëzve që me vitet tëra kanë nostalgji për Lumturinë për këngët dhe besoj se do ta befasoj sërish Hanin e Elezit.

Image

"Kosova Sot Online":  Cila është motoja që Lumturia përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?

Lumturie Axhami: Unë si njeri jam pozitive nga natyra andaj motoja ime për jetën është: Respeko të tjerët që të respektojnë ata.Nëse fal dashuri dhe respekt te njerëzit gjithmonë dashuria dhe respekti është i ndërsjelltë, të rikthehet ajo. Andaj gjithmonë ju them qoftë ogur emri im, gjithçka që prekni me lumturi ju shoqëroftë.

Intervistoi: Armend Preteni

Image
Image

(Kosova Sot Online)