Ilir Shaqiri: Pjesët korale në këngët e mia janë imazhe që më kthejnë te udha e nisur

  • A.P /
  • 01 January 2023 - 16:54
Ilir Shaqiri: Pjesët korale në këngët e mia janë imazhe që më kthejnë te udha e nisur

Intervistë me këngëtarin ILIR SHAQIRI

Këngëtari i mirënjohur Ilir Shaqiri me artin e tij muzikor ka lënë gjurmë në muzikën shqipe, andaj dhe është vlerësuar me çmimet "Artist i Merituar", "Kalorësi i Skënderbeut", "Nderi i Republikës së Kosovës".

Deri tani ka krijuar mbi 650 këngë në muzikën tonë të lehtë, popullore dhe për fëmijë, derisa ka botuar 34 albume muzikore dhe 4 video-albume me këngë.

Në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë boton albumin muzikor me 100 këngë të përzgjedhura.

Duke mos harruar pasionin e tij: Krijimtarinë letrare, atë dokumentare dhe interpretimet artistike, artisti Ilir Shaqiri edhe sot vijon ti falë artit shqiptar perla që i mbijetojnë kohës.

Në një intervistë të realizuar për gazetën "Kosova Sot Online", këngëtari i mirënjohur Ilir Shaqiri si rrallë herë, shpalos shumë të pathëna rreth jetës dhe karrierës së tij...

Së fundi keni publikuar këngët "Kongresi i Alfabetit", "Elbasan i bukur" dhe "Tempulli i lirisë", sa jeni ndarë i kënaqur me realizimin e këngëve dhe duke u ndërlidhur me këtë pikë mund të themi se jeni ndër artistet e rrallë që vazhdoni t’i këndoni atdheut edhe sot duke kontribuar me artin tuaj?

Ilir Shaqiri: Këngët të cilat në përmbajtjen e tyre evidentojnë ngjarje të mëdha historike, kërkojnë përkushtim të madh dhe angazhim shtesë të të gjithë pjesëmarrësve në projekt, që nga ideja fillestare e deri te finalizimi. Duke mbajtur kohezionin e krijimtarisë muzikore, bashkë me artistët e shquar të kësaj fushe, besoj së kemi arritur t’i shfaqim ndjenjat dhe përkushtimet tona në këto projekte domethënëse për ne dhe për shumicën, besoj. Të krijosh për ngjarjet historike, për personazhet që kanë bërë historinë tonë të lavdishme, asnjëherë nuk do të jetë mjaft. Më pëlqen krijimtaria për gjërat e përhershme!

Image

Ndër vite keni realizuar këngë hite si: "Nderi i Dardanisë", "Jam Evropë", "Fjalët e Qiririt", "Dridhe Shkup e Shkodër", "Komandant", "Zemra e Kumanovës”, “Princesha e Dukagjinit”,etj., por cilat mbetën këngët më të dashura për ty që më ëndje i këndon?

Ilir Shaqiri: Që nga fillimet e krijimtarisë sime, jam interesuar që projektet e mia muzikore t’i ngjajnë kohës, duke evidentuar ngjarje që kanë përshkuar jetën tonë nëpër periudha vendimtare që ka kaluar vendi ynë. Këto këngë janë krijuar në periudha të caktuara dhe bartin me vete mesazhin e kohës në cilën janë krijuar dhe natyrisht çdo njëra nga këto këngë ka peshën e vet, vendin e vet në mendjen dhe në zemrën time.

Image

Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje për të cilën edhe sot ke nostalgji nga vendlindja?

Ilir Shaqiri: Hapat e parë, vitet e fëmijërisë, vendlindja, domosdo janë element tepër të rëndësishëm në udhëtimin e jetës për çdo njëri, e në veçanti për njerëzit të cilët kanë zgjedhur të futën në fushën e artit, në fushën e krijimtarisë. Dhe krejt natyrshëm, në çdo projekt artistik do të ketë pak frymë vendlindjeje.

Unë jam rritur në një familje të madhe ku ka pasur shumë fëmijë dhe gjithë jetën jam munduar të krijoj këngë ku mund të dëgjohen shumë zëra (ndoshta kjo është reflektuar si kujtim i asaj jehone të largët) . Pjesët korale në këngët e mia janë pasazhe mbresëlënëse për mua, janë imazhe që më kthejnë te udha e nisur, te burimi, te vendlindja.

Kënga "Këtu shkëlqen plisi" e publikuar para shumë vitesh, mbetet një simbol i karrierës tuaj, si lindi kjo këngë e cila u bë hit dhe jehona e të cilës po dëgjohet edhe sot e do të dëgjohet edhe shumë dekada, duke mos i anashkaluar edhe këngët e tjera me frymë atdhetare e sidomos ato kushtuar Kosovës?

Ilir Shaqiri: “Këtu shkëlqen plisi”, është krijuar dhe realizuar dy javë pas betejës së lavdishme të Prekazit. Ishte kohë kur çdokush donte të bënte diçka për vendin. Edhe artistët nuk mund të rrinin duarkryq. Bashkë me Valton Beqirin, me profesor Fahriun, grupin “Corona”, Dilaver Kryeziun dhe “Ansamblin Akademik”, morëm përsipër ta realizojmë këtë projekt muzikor edhe pse në kushte tepër të jashtëzakonshme për kohën. Projekti i finalizuar arriti fshehurazi në Radiotelevizionin shqiptar dhe u bë lajtmotiv i luftës për liri, duke u transmetuar përnatshëm në programin satelitor të RTSh-së, deri në përfundim të luftës.

Image

Talentin tuaj për muzikë e ka trashëguar edhe djali juaj Korabi, një këngëtar tanimë i dëshmuar, pas "Ata u bënë dritë" dhe "Këngë moj", a keni menduar ta realizoni edhe një duet të ri së bashku?

Ilir Shaqiri: Po, patjetër! Korabi edhe pse ka angazhime të shumta në Akademinë e Arteve, dega e muzikës si pedagog dhe angazhime në krijimtarinë e muzikës artistike për të cilën është specializuar, ai përsëri gjen kohë për të punuar në studion e tij, duke krijuar këngë të reja. Këto kohë ka kompozuar disa krijime tepër mbresëlënëse për mua dhe besoj që së shpejti ato të shfaqen para publikut të gjerë.

Image

Së fundi artisti i njohur arbëresh Italo Elmo ju ka vlerësuar këngëtarin më të madh të zonës ballkanike, citoj "ILIR SHAQIRI është autor i mbi 600 këngëve të muzikës së lehtë dhe popullore. Ka marrë pjesë në më shumë se 1000 koncerte, shpesh për qëllime humanitare, nëpër Evropë: Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Britani, Itali, Norvegji, Suedi, Austri, Holandë dhe Shqipëri", si ju bën të ndiheni kur merrni të tilla epitete, aq më tepër kur ato vijnë nga Arbëreshët e Italisë?

Ilir Shaqiri: Të jesh i dashur për publikun shqiptar të cilit i takon është kënaqësi dhe privilegj! Arbëreshët me çdo gjë që kanë janë pjesë e pandashme e identitetit tonë kombëtar, me gjuhë, kulturë dhe histori. Po bëhen 600 vjet që ata mbajnë sytë nga bregu i detit këndej, dhe i gëzohen të arriturave të vëllezërve të tyre si në Kosovë, Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.

Kam pasur fatin e mirë që para katër vitesh bashkë me grupin “Corona” dhe kantautorin arbëresh Zef Kakoca të realizojmë një turne prej shtatë koncertesh nëpër Kalabri, turne e cila ka zënë vendin qendror në memorien tonë përgjatë karrierës dyzetepesëvjeçare në skenë.

Arbëreshët janë krenaria më domethënëse e identitetit tonë kombëtar, fuqia e mostjetërsimit, bukuria e mosharrimit!

Image

Një pasion i juaj pa dyshim mbetet edhe letërsia për të cilën edhe keni studiuar, “Estetika dhe semiotika në krijimtarinë e nënës”, romani "Tan Temali", romani “Lemza e dheut”, poema "Adem Jashari" , përmbledhja poetike “ITH”, mbeten disa nga titujt e librave që i keni botuar, sa po i kushton sot rëndësi shoqëria shqiptare leximit duke marr për bazë "bastardimin" e gjuhës jo vetëm në disa media por edhe në rrjetet sociale?

Ilir Shaqiri: Gjuha është elementi themelor i identitetit të një kombi.

Gjuha në të folur, në të shkruar dhe në të kënduar përcakton nivelin kulturor të një bashkësie etnike.

Image

"Sërish vjen marsi" mbetet një këngë kushtuar historisë së lavdishme të familjes së Komandantit legjendar Adem Jashari, cila ishte arsyeja që ju vendosët ta sillnit këngën në dy versione: Solo dhe në kuartet me këngëtarët e njohur Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli dhe Sabri Fejzullahu?

Ilir Shaqiri: “Sërish vjen marsi” është realizuar në vitin 2000, nga poeti Adem Gashi, me orkestrim nga Xhevdet Gashi dhe nga unë si kantautor. Kur u shfaq për herë të parë ishte mjaftë mbresëlënëse për të gjithë, posaçërisht për këngëtarët gjithandej hapësirës shqiptare. Të gjithë donin të ishin pjesë e këtij krijimi dhe rrjedhimisht është kënduar edhe nga Hysni Klinaku, Elife Podvorica, Sanije Matoshi, e shumë të tjerë.

Image

Festës së Vitit të Ri në dekadën e fundit sikur i ka humbur ajo "madhështia" që e kishte dikur/Si e festonit Vitin e Ri para shumë vitesh dhe si e feston sot?

Ilir Shaqiri: Festa e ndërrimit të moteve ka qenë dhe vazhdon të jetë një ngjarje e bukur festive, ku mblidhen familjarët, miqtë, duke uruar njeri-tjetrin për një vit më të mirë, më frytdhënës, më të begatë nga ai që po lëmë pas. Në mediumin e vetëm të atëhershëm Radiotelevizionin e Prishtinës punohej disa muaj përpara për të sjell një program të begatë në këto tri ditë feste, e që për ne krijuesit muzikor konsiderohej si një festival treditor. Tani mundësitë janë shumë të mëdha për sjell gjëra të bukura për këtë festë, gjithashtu zgjedhjet e publikut janë të pakufishme.

Image

Cila është motoja që përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?

Ilir Shaqiri: Punë, punë dhe vetëm punë! Atë që mund ta bëjmë sot nuk duhet ta lëmë për nesër!

Intervistoi: Armend Preteni

Image

(Kosova Sot Online)