“Erë pranvere” libri i nxënëses së klasës së pestë Era Sinani

  • S.A /
  • 20 February 2024 - 11:57
“Erë pranvere” libri i nxënëses së klasës së pestë Era Sinani

Vëllimi me poezi “Erë pranvere” është libri i nxënëses së klasës së pestë, Era Sinani, në ShFMU “Pavarësia” në Prishtinë. Në këtë libër, autorja ka shpalosur përjetimet personale, imagjinatën dhe botën emocionale të saj, shkruan "Kosova Sot Online ".

Poezitë e Erës janë të thjeshta e të kuptueshme, me një larmi temash, duke filluar nga përshkrimi i natyrës, ngjyrat e stinëve, të mirat e tyre për njeriun, frutat dhe dobitë e tyre për shëndetin…

Po ashtu, një vend të veçantë autorja i kushton rolit të shkollës e librit, së bashku me informacionet shkencore për trupat qiellorë, pa harruar ndjenjat e ngrohta për mësuesen dhe vlerësimin për të.

Nuk mund të mungonte, gjithashtu, dhe hapësira që do t’u kushtohej figurave të rëndësishme për historinë e kombit tonë, duke dëshmuar kështu dhe mbrujtjen e saj me ndjenja të fuqishme atdhedashurie.

Pikërisht, poezia e fundit bart mesazhin e ruajtjes në kujtesën kolektive të të gjitha përpjekjeve të heronjve e dëshmorëve tanë për të gëzuar lirinë e pavarësinë që kemi sot.

Vargjet e këtij vëllimi kanë jo vetëm vlerë letrare e artistike, por njëkohësisht janë dhe mjaft edukative, prandaj besojmë se do të lexohen me ëndje e kërshëri, sidomos nga bashkëmoshatarët e saj.

Autorja e këtij vëllimi është nxënëse shembullore mjaft e talentuar, pëlqen leximin dhe matematikën, po edhe baletin dhe muzikën.

Vijon edhe shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ku ndjek mësimet për flaut, gjë që tregon përkushtimin e saj ndaj artit dhe kulturës.

(Kosova Sot Online )