Mahmut Ferati emocionon Tetovën me koncertin jubilar 'Jeho kënga ime'
Mahmut Ferati mbajti me sukses koncertin jubilar “Jeho kënga ime” në Tetovë, një mbrëmje e mbushur me emocione, duartrokitje dhe interesim nga publiku, shkruan gazeta "Kosova Sot Online".
Artistit të njohur të muzikës popullore iu rezervua një pritje madhështore nga adhuruesit e tij, ndërsa salla ishte e mbushur përtej kapaciteteve.
Pas koncertit, Ferati ka ndarë një mesazh falënderimi dhe emocioni për të gjithë të pranishmit, duke kërkuar njëkohësisht falje për ata që nuk arritën të hynin në sallë për shkak të interesimit të madh.
“Të dashur miq, dashamirë dhe publik i zemrës sime,
Mbrëmja e koncertit jubilar në Tetovë ishte një nga emocionet më të mëdha të jetës sime artistike. Dashuria, respekti dhe prania juaj ma mbushën zemrën më shumë se çdo duartrokitje.
Por, mes gjithë atij interesimi të jashtëzakonshëm, me dhimbje mora vesh se shumë prej jush mbetën jashtë sallës, pa mundur ta ndjekin koncertin. Për këtë, ju kërkoj falje sinqerisht e nga zemra.
Asnjëherë nuk e kisha menduar se dashuria juaj do të tejkalonte çdo parashikim tonin organizativ. Secili prej jush që erdhi për të më nderuar, për mua ishte mysafir i zemrës dhe mungesa juaj në sallë më ka lënë peng po aq sa juve.
Ju falënderoj për mirëkuptimin, për durimin dhe mbi të gjitha për dashurinë që ma dëshmuat atë natë. Ky jubile nuk ishte vetëm i imi — ishte i të gjithëve neve që kemi ecur bashkë ndër vite, me këngë, emocione dhe kujtime.
Me respekt, mirënjohje dhe përulësi,
Mahmut Ferati”
Koncerti “Jeho kënga ime” u cilësua si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Tetovë, duke dëshmuar edhe një herë dashurinë dhe respektin që publiku ka për Mahmut Feratin ndër vite.
(Kosova Sot Online)
