Mërgimtarët e infektuar në Kosovë kërkojnë të kthehen në Zvicër, shteti helvetik ua organizon transportin

  • E.K /
  • 31 August 2021 - 14:20
 Mërgimtarët e infektuar në Kosovë kërkojnë të kthehen në Zvicër, shteti helvetik ua organizon transportin

Radio Televizioni Zviceran (Radio Télévision Suisse – RTS) ka raportuar se ka kërkesa të mëdha të shtetasve zviceranë të infektuar me COVID-19 për t’u kthyer në Zvicër. Shumë prej kërkesave për kthim në Zvicër vijnë nga mërgimtarët në Kosovë, e cila po përballet me situatë të rëndë me koronavirus.

Një kërkesë e fortë për kthimin e të infektuarve me koronavirus u regjistrua në muajt korrik dhe gusht. Në total, qendra e thirrjeve urgjente Medicall organizoi 110 kthime, përfshirë 23 nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Nga këto 23 kthime, 18 kishin të bënin me pacientë me COVID-19, raporton televizioni zviceran.

Pacientët me COVID-19 kanë përfaqësuar 50% të të gjitha kthimeve në Zvicër në dy muajt e fundit, tha Medicall, duke konfirmuar informacionin e botuar nga shtypi gjerman. Pacientët e kujdesit kritik përbënin një total prej 43%.

Jo më pak se 69 raste kthimi ishin ende në procedurë në Medicall të martën. Sipas kompanisë, 54 prej tyre ishin nga Evropa dhe 25 prej tyre, ose 36%, nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Kërkesat për kthim Medicall po i shqyrton në detaje. Një ekip mjekësh vlerësojnë gjendjen e pacientit sipas standardit zviceran, para se të vendoset për procedurën e kthimit në Zvicër.

Të shtunën gazeta e njohur zvicerane, SonntagsZeitung ka shkruar se si Zvicra ia pa sherrin Kosovës lidhur me rritjen e rasteve të reja me koronavirus. Në një artikull të gjatë, kjo gazetë shkruan se si shpërtheu vala e radhës e COVID-19 në Kosovë gjatë verës dhe se si Zvicra nuk ishte e përgatitur për mërgimtarët që do të ktheheshin atje, pas një pushimi pa asnjë kufizim në Kosovë.

(Kosova Sot Online)