Pasi u paraburgosen Beogradi i liron tre serbë të Kosovës

  • A.P /
  • 25 May 2023 - 17:31
Pasi u paraburgosen Beogradi i liron tre serbë të Kosovës

Autoritetet serbe i kanë liruar të enjten tre serbë të Kosovës nga paraburgimi, të cilët janë ndaluar me dyshimin se kanë punuar “kundër rendit kushtetues të Serbisë” dhe kanë synuar “ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë”.

Ivan Niniq, avokati i njërit prej të ndaluarve, Dragan Nikoliqit nga Leposaviqi, ka thënë se, klienti i tij është liruar, për shkak të mungesës së provave, ndonëse një javë më parë i është vazhduar paraburgimi për 30 ditë.

Leposaviqi është komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

“Pesë dëshmitarët e parë erdhën, refuzuan të dëshmojnë, duke thënë se kishin frikë për sigurinë e tyre, pastaj u thirrën edhe katër dëshmitarë, një dëshmitar erdhi dhe tre jo. Prokurori ka konstatuar se nuk ka asnjë mënyrë për të siguruar praninë e tyre, duke qenë se ata janë në territorin e Kosovës dhe Serbia nuk ka mekanizma që t’i detyrojë të vijnë”, ka thënë Niniq, duke theksuar se këta dëshmitarë janë identifikuar nga Policia e Serbisë, sipas rel.

Dragan Nikoliq, ish-polic i Kosovës, ka dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si pjesë e dorëheqjeve kolektive të serbëve në veri, nga institucionet e Kosovës.

Dragan Nikoliq dhe tre serbët tjerë nga Kosova janë arrestuar në muajin prill, teksa kanë qenë duke e kaluar pikën kufitare me Serbinë.

(Kosova Sot Online)