Draft-statuti i Asociacionit, Qeveria thotë se dokumenti i publikuar nuk është propozimi evropianoamerikan

  • S.A /
  • 01 November 2023 - 12:43
Draft-statuti i Asociacionit, Qeveria thotë se dokumenti i publikuar nuk është propozimi evropianoamerikan

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka  thënë  se dokumenti që është publikuar dhe që ka qarkulluar mbrëmjen e së  martës në media si “draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” absolutisht nuk përkon me propozimin Evropiano-Amerikan që i është dorëzuar kryeministrit Kurti në takimin e 21 tetorit si plan për ecjen përpara, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Dokumenti që është publikuar dhe që ka qarkulluar mbrëmë në disa portale dhe televizione si “draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” absolutisht nuk përkon me propozimin Evropiano-Amerikan që i është dorëzuar kryeministrit Kurti në takimin e 21 tetorit si plan për ecjen përpara. “, ka thënë Kryeziu përmes një postimi në Facebook.

Drafti i statutit të Asociacionit, për të cilin reagoi Kryeziu, u publikua dje nga disa media në Kosovë.

Objektivat kryesore në draft-statut u raportua të jenë, “Zbatimi i Marrëveshjes bazë të vitit 2013 e ratifikuar nga Kosova dhe e marrëveshjes së vitit 2015, siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës, mbrojtje e dyfishtë”.

Ky draft-statut ka një përmbajtje prej 11-faqesh dhe përmban në të shkruar parimet, objektivat e kompetencat e themelimit të Asociacionit.

Bazuar në këtë draft-statut, Asociacioni do të ketë kuvendin e tij, kryetarin, nënkryetarin, bordin, këshillin këshillëdhënës dhe zyrën për ankesa. Ndërsa, në konkluzionet e draft-statutit theksohet se “projekt statuti nuk e kalon ndonjë nga vijat e kuqe të Kosovës”.

Ky draft, i propozuar nga Bashkimi Evropian, u është prezantuar Kosovës dhe Serbisë gjatë vizitës më 21 tetor në këto dy shtete të përfaqësuesve të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

(kosova Sot Online )