Një mal argumentesh pse nuk duhet të mbështetet kandidatura e Ramush Haradinajt për president të Kosovës

Një mal argumentesh pse nuk duhet të mbështetet kandidatura e Ramush Haradinajt për president të Kosovës

Hajrullah Tërnava

  • 16 August 2020 - 08:46

Shkruan: Hajrullah Tërnava

“Partitë politike ishte dashur të marrin mësim kësaj radhe, qe kandidati për president të mos ketë probleme me drejtësinë, e kur dihet që Haradinaj është një nga të intervistuarit e Gjykatës Speciale, për çka edhe ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Marrë në tërësi tani është koha dhe momenti më kritikë që partitë politike të joshin kandidat më serioz për pozitën e lartë të të parit të shtetit, nga bota akademike, dhe të heqin dorë përfundimisht nga egot e sëmura politike të liderëve të tej konsumuar. Nëse përsëri në pozitën e presidentit zgjidhet një i dyshuar nga Gjykata Speciale, imazhi i Kosovës në skenën ndërkombëtare do të bjer në nivelin e mjerueshëm dhe ekzistimi i shtetit të Kosovës do të bihet në pikëpyetje, prandaj le ta dijë opinioni i mbar se Kosova nuk është pronë e askujt, por e të gjithë qytetarëve të saj, prandaj të gjithë duhet të punojnë për të mirën e vendit, dhe ata që s’punojnë për të mirën e vendit, të gjithë duhet të dënohen me dënime më të ashpra, edhe nga drejtësia por edhe nga vota e popullit”.

Situata në të cilën ndodhet Kosova tani, e kur ka fillua edhe ngritja e aktakuzave nga prokuroria e Gjykatës Speciale, sikur në rastin konkret të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit është serioze dhe me shumë të panjohura. Në këto rrethana të tanishme Kosova është e izoluar në të gjitha anët, dhe askush më nuk komunikon me Presidentin e vendit tonë. Edhe mos të ngrihej aktakuza per Presidentin e Kosovës, edhe ashtu jemi vendi më i izoluar pa liberalizim të vizave, që Kosova tani i përngjanë një vendi të shkretë. Është për tu habitur se si disa „rrahagjoksë“ që e kanë qeverisur qe një kohë të gjatë Kosovën, e që ia kanë sjellë të gjitha të këqijat këtij vendi, mbas lufte e deri më tani, po tentojnë tentojnë dhe po e përgatitin opinionin që të kandidojnë përsëri për president të vendit. Kandidatura për president të Kosovës nga ana e Ramush Haredinajt, apo edhe të tjerëve të ngjashëm, është dëshpëruese dhe e pakuptimtë, kur e kemi parasysh jetëgjatësinë në pushtet të këtyre „komandantëve“ që si kanë të kryera as shkollat e mesme si duhet, e mos të flasim për shkollimet e tyre më të larta, e sidomos kur i njohim çfarë të këqija i kanë bërë këtij vendi që nga paslufta e deri më tani. Kjo garë po bëhet absurde dhe e pa kuptueshme kur dihet se Presidenti i Kosovës, sipas Kushtetutës, zgjidhet nga deputetët me marrëveshje politike mes partnerëve të koalicionit, dhe jo nga vota e qytetarëve. Populli i këtij vendi është i irrituar me këta „udhëheqës“, sepse të gjithë janë të një niveli, dhe të gjithë këta prijës të këtyre partive, që i kanë deputetët e tyre në Kuvendin e Kosovës, ndoshta do të mundë të gjendeshin edhe si kandidat të mundshëm në listën e Gjykatës Speciale, por edhe qe disa nga ta nuk do të gjenden në ato aktakuza. Faktori ndërkombëtar po apelon ditë e për ditë që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni nëse duam të ecim tutje për në BE, e sidomos si kusht i vetëm që të lejohet Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, që të lëvizin lirshëm në vendet tjera të BE-së, sikurse qytetarët e shteteve të tjera. Prandaj kjo garniturë e këtyre politikanëve që konkurrojnë për President të vendit, e që kanë probleme me drejtësinë vendore dhe atë ndërkombëtare, do të jene edhe një element tjetër që ndikon në dështimin dhe devalvimin e vlerave të shtetit të ri të Kosovës dhe të devalvimit të vetë këtij posti më të lartë përfaqësues të vendit. Të gjithë këta prijës partiak, të mos i përmendi me emra, përpos kryetarit të LVV, të gjithë të tjerët që do të mundë të zgjidhen në pozitën e Presidentit, sipas marrëveshjeve mes partive politike, do ti sjellin vendit një lëvizje mbrapa, një mbrapshti dhe dërgim para humnerës, sepse këta udhëheqës të partive bota po i njeh si kriminel dhe po kërkojnë nga prokuroria e Kosovës, që ti burgosin. Si mundë të qëndrojmë indiferente ndaj këtyre liderëve të cilët që nga paslufta përmes formave më perfide të organizimit, e mbajnë pushtetin duke i ndërrua pozicionet në krye të institucionit të shtetit. Pazaret politike të tyre e kanë getoizuar Kosovën deri në këtë situate ku gjendet tani. Ta shikojmë nivelin e arsimit dhe edukimit deri ku ka devalvuar, kur PISA e radhitë ndër vendet e fundit Kosovën. Po këta e shkatërruan shëndetësinë deri në këtë nivel, që tani me pandeminë e corona virusit, Kosova po prinë si e para me të infektuarit dhe me rastet mortore në botë. I shkatërruan ndërmarrjet publike që tani gjenden para falimentimit. Për përfitimet e tyre të posteve funksionare dhe përfitimeve, këta i falen Malit te Zi 8200 hektar tokë.

Organizatat e Shoqërisë Civile në Kosovë duhet të ndërmarrin iniciativa për ndryshimin e neneve të Kushtetutës që Presidenti i Kosovës të zgjidhet nga vota e popullit si mënyra ma demokratike e një vendi. Është për tu habitur për një pjesë të intelektualëve shtetërorë apo edhe Akademisë të Shkencës Kulturës dhe Artit, që janë të heshtur dhe nuk tregojnë interesim për këtë çështje që është e dhimbshme për shoqërinë tonë. Kjo sjellje e tyre ka kontribuar që këta politikan të pasluftës të sillen në këtë mënyrë, dhe ta sjellin në pikëpyetje edhe ekzistimin e shtetit si të tillë. Partitë politike ishte dashur të marrin mësim kësaj radhe, qe kandidati për president të mos ketë probleme me drejtësinë, e kur dihet që Haradinaj është një nga të intervistuarit e Gjykatës Speciale, për çka edhe ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Marrë në tërësi tani është koha dhe momenti më kritikë që partitë politike të joshin kandidat më serioz për pozitën e lartë të të parit të shtetit, nga bota akademike, dhe të heqin dorë përfundimisht nga egot e sëmura politike të liderëve të tej konsumuar. Nëse përsëri në pozitën e presidentit zgjidhet një i dyshuar nga Gjykata Speciale, imazhi i Kosovës në skenën ndërkombëtare do të bjer në nivelin e mjerueshëm dhe ekzistimi i shtetit të Kosovës do të bihet në pikëpyetje, prandaj le ta dijë opinioni i mbar se Kosova nuk është pronë e askujt, por e të gjithë qytetarëve të saj, prandaj të gjithë duhet të punojnë për të mirën e vendit, dhe ata që s’punojnë për të mirën e vendit, të gjithë duhet të dënohen me dënime më të ashpra, edhe nga drejtësia por edhe nga vota e popullit”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".