Beteja për grabitjen e pozitës së presidentit brenda koalicionit LAN do ta shembë shpejtë Qeverinë Hoti

Beteja për grabitjen e pozitës së presidentit brenda koalicionit LAN do ta shembë shpejtë Qeverinë Hoti

Gani Qarri

  • 28 August 2020 - 17:47

Shkruan: Gani Qarri

“Fakti se kjo qeveri u konfirmua me votën e paligjshme të Etem Arifit, i dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim efektiv, nga Gjykata e shkallës së parë, ajo e shkallës së dytë,si dhe Gjykata e Apelit për shkak të mashtrimit me subvencione, të vjedhjes dhe përvetësimit të 26 mijë eurove ndihma të Ministrisë, ndarë komunitetit ashkali, flet më së miri për paligjshmërinë e kësaj qeverie. Ndaj, këmbëngulësia e LDK-së dhe AAK-së për pozitën e presidentit të ardhshëm të Kosovës,jo vetëm që është një provokim serioz i cili do ta tronditë koalicionin qeverisës, por dhe duhet të përdoret si shkak, që ta përmbysë këtë qeveri dhe dërgojë vendin në zgjedhje të reja të shpejta të parakohshme, pa e përmbyllur mandatin e rregull kushtetues, për zgjedhjen e një qeverie legjitime bazuar në votën e qytetarëve dhe vullnetin e popullit të Kosovës”.

Vetë votimi i qeverisë kukull të Hotit, është bërë në mënyrë të parregullt,kundërligjore dhe kundër kushtetuese, akt i presedan që mund të ndodhë vetëm në vendin e vogël të çudirave të mëdha, si Kosova,ku imponohen edhe vota të njerëzve të dënuar me burg efektiv si ajo e deputetit ashkali Etem Arifi, të cilit i është shty dy herë edhe ekzekutimi i dënimit me burg,me gjasë vetëm për të votuar rrëzimin e Qeverisë Kurti dhe aprovuar formimin e Qeverisë Hoti, gjë që në çdo vend të botës do të hidhej poshtë dhe dënohej me ligj.

Për aq më tepër, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, ka lënë të kuptohet se LDK, serish do të veprojë, apo thënë më saktë, do të manipulojë njësoj, sikurse është manipuluar për kryeministrin Hoti, edhe për postin e Presidentit të vendit, i cili thotë se duhet të jetë nga LDK-ja, pasi që edhe kjo pozitë kalon nëpër zyrat e LDK-së, siç ka kaluar zgjedhja e kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit, ndaj dhe zgjedhja e presidentit, sipas tij, varet kryekëput nga pozicionimi i LDK-s. E nga ana tjetër, përderisa PDK e gjendur para sfidës së madhe me kryetarin nën aktakuzë të shpallur nga Gjykata Speciale, deklarohet se në këtë situate te zhvillimeve politike nuk dëshiron, apo thënë më mirë nuk mundet te behet pjesë e koalicionit me LDK dhe AAK-n, paralajmërimi i LDK-së, për marrjen e pozitës së presidentit, bëhet edhe më serioz, qoftë pas shpenzimit të mandatit të Hashim Thaçit apo përshpejtimit të këtij procesi, si rrjedhojë e konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale kundër Hashim Thaçit”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".