Kështu po e mashtron LDK-ja ish kryeministrin Ramush Haradinaj si partner të koalicionit

Kështu po e mashtron LDK-ja ish kryeministrin Ramush Haradinaj si partner të koalicionit

Gani Qarri

  • 16 September 2020 - 14:49

Shkruan: Gani Qarri

“Ramush Haradinaj, përveç faljes së 8300 hektarëve tokë me nënshkrimin e vet personal Malit të Zi, duke e zhgënjyer kështu të madh e të vogël në gjithë Kosovën, ai iu bashkua edhe Qeverisë kukull të katapultuar të Avdullah Hotit nga kalkulimet e Hashim Thaçit e Isa Mustafës, për ta bërë hisedarë edhe Serbinë në liqenin e Ujmanit, futur në marrëveshje të Uashingtonit edhe ndërprerjen e ndërtimit të rrugës Deçan Plavë, realizuar Zajednicën serbe, për jetësimin e të cilës sapo kanë filluar serish bisedimet në Bruksel, e kush e di edhe sa e sa të zeza tjera, të cilat vetëm koha mund ti zbuloi të gjitha. Ndaj Kosova jo vetëm se po futet në një vjeshtë të nxehtë dhe me befasi të mëdha politike por mund të qoi edhe te rënia e qeverisë Hoti, për shkak të qarjeve serioze në koalicionin qeverisës LDK- AAK në përplasjet e tyre për kandidaturën e presidentit të ardhshëm, para përfundimit të mandatit të Hashim Thaçit”.

-Përderisa Ramush Haradinaj në legjislaturën e kaluar,i joshur nga Kadri Veseli me postin e të parit të Qeverisë shkeli me të dy këmbët mbi premtimin e dhënë publikisht popullit të Kosovës se nuk do ta pranonte kurrë demarkacionin sipas vizatimeve të Murat Mehës i cili parashihte kalimin e 8300 hektarëve tokë të Kosovës, nën sovranitetin e Malit të Zi, me të ardhur në krye të Qeverisë, për vetëm pak më tepër se një vit e gjysmë kryeministër, Haradinaj jo vetëm se pranoi ta nënshkruante po atë variant të trishtë të demarkacionit, por mashtroi dhe përdhosi në mënyrën më të rëndë, besimin e popullit të Kosovës dhe punën e madhe të ekspertëve Florim Isufi e Shpejtim Bulliqi.

Me nënshkrimin e demarkacionit, Haradinaj e shpëtoi edhe Isa Mustafën, i cili nga frika se do të hidhej poshtë varianti i imponuar prej tij dhe ai do të mbahej përgjegjës, iku në Gjermani me arsyetimin se ishte sëmurë rëndë dhe kinse nuk kishte shërim për "iletin" e Isa Mustafës, askund në Kosovë, duke lënë edhe Bondstillin Amerikan, për tu kthyer nga Gjermania vetëm me një "kërrutë" pleqsh në dorë. Për aq më tepër, LDK pas jetësimit të objektivave të saj të cilat i realizoi, pikërisht duke e mashtruar krejt sipas qejfit, Ramush Haradinajn, tanimë ka arsye të plotë që të jetë kategorikisht edhe kundër kandidaturës së Haradinajt për president, madje zëvendëskryeministri Driton Selmanaj,lidhur me ambiciet dhe kandidaturën e shpallur të Ramush Haradinajt për pozitën e Presidentit të shtetit, deklaroi se LDK nuk do ta pranojë kurrë kandidaturën e tij, edhe pse ai këtë po përpiqet ta përdorë si mjet shantazhi për LDK-në dhe funksionimin e koalicionit aktual.

Kështu që pasi e përdorën si deshën ku dhe krejt për çfarë dëshiruan, tanimë LDK jo vetëm që po dëshmon se është e gatshme ta hedhë përtokë Ramush Haradinajn si limon të shtrydhur, por po nënçmon në mënyrën më të ulët edhe aftësitë udhëheqëse të Haradinajt që sipas Driton Selmanajt, lënë shumë për të dëshiruar,ndaj do të ishte jo vetëm mëkat por edhe nënçmim për Kosovën, ti jepet një post kaq i lartë Ramush Haradinajt, shprehet publikisht, pa fije droje as turpi Driton Selmanaj.”

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".