Të ndëshkohen me zbritje të mëditjes deputetët pasivë që shkojnë në seanca dhe nuk marrin pjesë në votim

Të ndëshkohen me zbritje të mëditjes deputetët pasivë që shkojnë në seanca dhe nuk marrin pjesë në votim

Hajrullah Tërnava

  • 18 October 2020 - 12:27

Shkruan: Hajrullah Tërnava

Me Kushtetutë deputetët ndjehen të obliguar të marrin pjesë në seanca plenare dhe t’i kryejnë detyrat si përfaqësues të popullit të Kosovës. Mos pjesëmarrja në votim, jo vetëm që nuk është detyrë, por është abuzim me vullnetin e zgjedhësve.

Nuk është për tu befasuar kjo mënyrë e sjelljeve të partive politike, sepse në të shumtën e rasteve të përzgjedhurit e partiakëve që i përfaqësojnë partitë e tyre në parlament, për gjithçka janë të dëgjueshmit e shefave të partive e që i jetësojnë politikat e tyre ashtu si ju thonë ata, e dihet se sa të ngritur-shkolluar i kemi ata shefat e tyre, e që më shumë punojnë për qëllime të përfitimeve të tyre se që ju intereson të punojnë për të mirën e popullit. Prandaj nuk duhet të na befasoj kjo mënyrë e instalimit të praktikave më e mbrapsht e sjelljes së papërgjegjshme të deputetëve në Kuvendin e Kosovës të cilët vazhdimisht shkelin mandatin e tyre për çka janë zgjedhur, vazhdojnë të shkojnë në seanca, sa për të arsyetuar mëditjet, dhe nuk marrin pjesë ne votim.

Kjo praktikë e përfitimit perfid duke qenë pjesëmarrës pasiv në Kuvendin e Kosovës është krijuar si sjellja deri më tash me e keqe e të (mos)votuarit. Edhe pse në të shumtën e herëve, në sallë po janë mbi 60 deputetë, ata qëndrojnë në seancë vetëm si shifra por në votim marrin pjesë më pak se gjysma e tyre dhe kjo po cilësohet si mungesë kuorumi në vendimmarrje, gjë që nuk është, dhe projektligjet po lihen për t’u votuar në seancat pasuese, duke pasur vazhdimisht seanca rezervë të pa përfunduara. Me këtë trend të vazhdimit të lojës perfide po zvarritet miratimi i ligjeve dhe marrja e vendimeve serioze, po ndodhë vazhdimisht që i njëjti projektligj të hidhet në votim në secilën seancë të mundshme të Kuvendit. Abuzimi me pjesëmarrje pasive në seancat e Kuvendit, duke mos votuar as për dhe as kundër, do të duhej ndëshkua duke ju zbritur deputetëve mëditja për seancën përkatëse. Është për tu habitur se si po lejohet shkelja e hapur e rregullores së Kuvendit të cilën e kanë bërë vetë deputetët, e sipas së cilës deputeti, ose deputetja duhet ta këtë të qartë se nëse nuk voton as “për”, as “kundër”, atëherë vota merret si “abstenim” dhe kjo prani në seancë duke mos e kaluar ligjin apo vendimin tjetër, nuk mundë të ketë kuptim tjetër pos atë të abstenimit , prandaj duhet të ndërmerren masat e përgjegjësisë ndaj deputetit me interpretimin e drejtë të rregullores dhe ligjeve në fuqi, assesi nuk duhet lejuar që ‘mos pjesëmarrja në votim’ të cilësohet ndryshe nga ‘abstenimi’. Me Kushtetutë deputetët ndjehen të obliguar të marrin pjesë në seanca plenare dhe t’i kryejnë detyrat si përfaqësues të popullit të Kosovës. Mos pjesëmarrja në votim, jo vetëm që nuk është detyrë, por është abuzim me vullnetin e zgjedhësve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".