Politika e inkriminuar bënë tregti edhe me ligjin, drejtësia përbënë problemin më të madh për Kosovën

Politika e inkriminuar bënë tregti edhe me ligjin, drejtësia përbënë problemin më të madh për Kosovën
Politika e inkriminuar bënë tregti edhe me ligjin, drejtësia përbënë problemin më të madh për Kosovën

Skender Kapiti

  • 18 October 2020 - 16:31

Shkruan: Skënder Kapiti

Pra, në Kosovë ka një demokraci dhe shtet të kapur nga drejtësia politike dhe nga korrupsioni e krimi i saj, që do të thotë se drejtësia kosovare është mjet shërbimi, mbrojtjeje dhe avokatie në shërbim të politikës ,hajnisë dhe pushtetit e korrupsionit të saj. Prandaj edhe është po kjo politikë armikja më e madhe e VETING-ut të sistemit të drejtësisë ,VETING i cili do ta dëbonte nga politika dhe do ta pastronte edhe politikën nga halabakët, mashtruesit, injorantët, dhe nga ata me rekorde krimi, tradhtie publike e kombëtare dhe nga hajnia institucionale.

Problemet më të mëdha që ka sot Kosova janë e vërteta dhe drejtësia,pasi që të dyja këto janë tej mase të korruptuara nga hipokrizia, egoizmi, paraja dhe sidomos nga politika. Të gjithë dhe kudo flasin për të vërtetën dhe për drejtësinë por që realisht ka pak drejtësi dhe shumë padrejtësi, djallëzi e hipokrizi. Drejtësia duhet të përshtatet dhe vërtetohet prej të vërtetave reale e faktike. Pavarësisht se të vërtetat dhe realiteti duken e preken por me to manipulohet, spekulohet dhe ato shtrembërohen. Të vërtetat janë produkte të sistemit të mendimit të lirë, të debateve për realitetin politik e demokratik , ndërsa drejtësia është sistemi rregullator institucional, pra drejtësia është vlera më e madhe e vërtetësisë që institucionalizohet në shoqëri dhe në shtet.

Pra kështu që problem më i madh që kanë sot shqiptarët reduktohet në problemin, vlerën ,moralin dhe në ligjin e drejtësisë. Në Shqipëri e Kosovë ka ligje të miratuara por ama keq funksionojnë institucionet e drejtësisë, por kur ato manipulojnë dhe japin padrejtësinë ose kur e shtrembërojnë dhe e korruptojnë dhe kur ato manipulojnë dhe tregtojnë të drejtat dhe drejtësinë atëherë ato bëjnë dëm ndoshta shumë më të madh sikur ato të mos ekzistonin fare. Në këto kushte është nevojë jetike reformimi i sistemit të drejtësisë, dhe në gradën ku ka rënë sistemi i drejtësisë shqiptare më mirë do të ishte një ndërtim i ri i sistemit të drejtësisë nga e para duke dëbuar e larguar nga sistemi të gjithë gjyqtarët e prokurorët aktualë, e madje edhe avokatë e punonjësit e tjerë të cilët janë sekserët e sistemit të drejtësisë. Një sistem drejtësie i aftë dhe i drejtë do t’i shërbente edhe ndërtimit dhe funksionimit të drejtë dhe të vërtetë të shoqërisë, shtetit ,pushtetit dhe demokracisë. Në Shqipëri kjo tashmë duket sikur po ndodh pas miratimit dhe vënies në funksionim të VETING-ut, dhe po kjo gjë duhet urgjentisht që të ndodhe edhe në Kosovë. Kur dështon sistemi i drejtësisë , aty ka dështuar edhe demokracia sepse demokraci do të thotë sundim i ligjit. Ky dështim i demokracisë ka ndodhur dhe është realitet edhe në Kosovë.

Armiku kryesor në demokraci është politika, e cila si gjithmonë ia ka me hile popullit dhe sillet pandershmërisht, por edhe kriminalisht, pabesisht dhe tradhtisht me Demokracinë. Por në Demokraci është Ligji ai që e mbron dhe e ruan atë. Dhe kur ligjin dhe demokracinë i kap dhe i pronëson politika dhe mafia politike e krimi i organizuar dhe korrupsioni politik aty nuk bëhet fjalë më për shtet ligjor, por për një shtet të kapur nga korrupsioni dhe nga antishteti e antiligji i oligarko-mafisë politike. Dhe përderisa Kosova nuk ka ndërtuar akoma shtetin ligjor, atëherë nuk ka as liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës dhe as integrim të mëtutjeshëm për në BE.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".