Nëse ka shtet dhe ka drejtësi, privatizimi në Kosovë duhet të hetohet dhe pasuria e fituar me abuzim ligjit të konfiskohet

Nëse ka shtet dhe ka drejtësi, privatizimi në Kosovë duhet të hetohet dhe pasuria e fituar me abuzim ligjit të konfiskohet

Gani Qarri

  • 22 October 2020 - 13:37

Shkruan: Gani Qarri

Kujdes të veçantë, me këtë rast duhet kushtuar sidomos zonave të vlerësuara me kosto të lartë për tregti dhe tokave me rëndësi të veçantë ekonomike për zhvillim të bizneseve, të cilat nga të fortit e vendit po përvetësohen forcërisht, apo vetëm me çmime qesharake, nga "1 euro-ari" sikur ata të vinin si investitor të stimuluar nga shteti, për hir të potencialeve të pakrahasueshme të investimit dhe zhvillimit në masë të vendit, dhe jo individë që njihen si plaçkitësit më të mëdhenj dhe shkatërruesit e çdo gjëje në Kosovë. Prandaj kompletimi i dosjes me të gjeturat skandaloze të këtij komisioni,do të jetë sprova më e rëndë për Prokurorinë dhe gjyqësorin e Kosovës, por vetëm për një gjyqësor dhe prokurori që do ta ketë kaluar Vettingun dhe nuk do të interferohet e frikësohet nga mafio politika.

-Pas gjithë këtyre parregullsive pronësore e juridike që kanë ndodhur gjatë të gjitha viteve të pasluftës, në Kosovë, është koha e fundit që të krijohet sa më parë një komision i veçantë parlamentar, për rishikimin e legjitimitetit të privatizimit, rishqyrtimin e mënyrës së përvetësimit të pronave dhe pasurive private e shoqërore, si dhe normalizimin ligjor të problemit të pronësisë,pas një hetimi të hollësishëm e thelbësor, nën mbikëqyrjen e Kuvendit të Kosovës, përderisa edhe 21 vite nga paslufta, shteti ynë i brishtë ende mbetet totalisht i zhytur në kaos dhe parregullsi ligjore. Paradoksi i quajtur privatizim, shkon deri në atë shkallë të habisë, sa që sot në Kosovë, kushton shumë herë më lirë, një ari tokë i blerë nga Ramush Haradinaj dhe komandantët tjerë, se sa një hyrje e një qytetari të thjeshtë të vendit në Prishtinë, i cili sipas paralajmërimeve të Shpend Ahmetit, do të paguaj dhjetë euro taksë ekologjike për hyrjen në kryeqytet me makinë. Paradokse të tilla të pa dëgjuara kund në planetin tokë, në shekullin XXI mund të ndodhin vetëm në Kosovë dhe askund tjetër, sado pa rend e ligj dhe mënyrë të çakorduar që mund të qeveriset një shtet bashkëkohor kudo qoftë ai në botë.

Ndaj pas rasteve më të reja,prokuroria e shtetit, si dhe ajo Speciale për hetim dhe ndjekje, duhet ta merr seriozisht dhe hetojë deri në fund, gjithë skandalin dhe korrupsionin që është duke u zbuluar nga Komisioni parlamentar për Privatizimin në Kosovë, si dhe nepotizmi, korrupsioni, krimi i organizuar, plaçkitja, menaxhimi mafioz dhe përvetësimi i egër e kundërligjor i tokave dhe pasurive kryesore të vendit nga komandantët, të cilat tash e sa vite kanë bllokuar shtet ndërtimin, zhvillimin normal dhe ecurinë e investimeve serioze në Kosovë. Madje me një projektligj krejt të thjeshtësuar dhe pa komplikime burokratike nga Kuvendi, do të mund të provohej, jo vetëm pronësia por edhe forma e përvetësimit të pasurive kundërligjore, do të bëhej në mënyrë fare të lehtë vërtetimi i pronësisë së secilit individ a kompanie në Republikën e Kosovës, si dhe do të qartësohej plotësisht, se kush dhe si janë bërë pronar, në ç ‘mënyrë dhe me çfarë çmimesh, kanë përvetësuar tokat e trojet dhe pasuri,të e këtij vendi duke filluar nga çmimet më skandaloze; "një euro për ari"dhe bartur mbi vete, në mënyrë të jashtëligjshme pronat të cilat deri vonë nuk u kanë takuar fare atyre.

Në këtë mënyrë, të gjitha partitë politike do të tronditen thellë nga vazhdimi i zbardhjes së të vërtetës për uzurpim të pronave nga mafio politika dhe oponentët kryesor të saj, nën maskën e privatizimit të paligjshëm, të lidhur edhe me zyrtarët e korruptuar të ish administratës së UNMIK-ut, e cila, përveç komplikimit të gjendjes edhe më tepër, asgjë të mirë nuk i solli Kosovës. Për këtë arsye nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë, që të bëhet ligjësimi i pronësive të dyshimta, qofshin ata edhe komandant Hasha, Ramush Haradinaj,Isa Mustafa, Haki Rugova, Adem Grabovci, komandant Remi, Sami Lushtaku apo kushdo qoftë tjetër, pa zhvillimin normal të proceseve administrative dhe vlerësimin real-ligjor të pronave e pasurive të paluajtshme, qofshin ato private, apo pasuri të shtetit, nga një komision i paanshëm dhe i specializuar pronësor i formuar enkas nga Kuvendi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".