Patriotët dhe klerikët shqiptar ortodoks, mendimtarë dhe martirë të shqiptarizmës

Patriotët dhe klerikët shqiptar ortodoks, mendimtarë dhe martirë të shqiptarizmës
Patriotët dhe klerikët shqiptar ortodoks, mendimtarë dhe martirë të shqiptarizmës

Skender Kapiti

  • 26 October 2020 - 11:48

Atdhetarët shqiptarë të besimit ortodoks  kanë meritën e madhe pasi ata janë treguar dhe kanë vepruar si  patriotë e kombëtarë të mëdhenj, si lëvrues të letrave e të gjuhës shqipe për zgjimin e ndjenjës kombëtare, sepse fjala komb kupton gjuhë dhe kulturë.

Atdhetarët shqiptarë ortodoksë kontribuan për kombin shqiptar kudo që ata ishin në Shqipëri, Stamboll, Egjypt, Rumani, Bullgari, Itali  dhe SHBA si: Konstandin Kristoforidhi, Dhaskal Todri,Naum Veqilharxhi, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Spiro Dine,  Petro Nini Luarasi,  Sotir Peçi , Fan Noli e shumë të tjerë.

Dhe pra, pikërisht gjuhës dhe alfabetit shqip, përhapjes së shkollës dhe  mësimit të tyre iu përkushtuan me mish e me shpirt intelektualë dhe klerikë  patriotë ortodoksë shqiptarë në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Të gjithë shqiptarët, por sidomos ata ortodoks gjithmonë kanë qenë nën presion e nën terror të egër nga kultura, gjuha, shovinizmi dhe nga shteti e  kleri ortodoks grek  synimi i të cilëve ka qenë helenizimi dhe asimilimi i shqiptarëve  pasi sipas klerit ortodoks helen por edhe atij serb  kush është ortodoks ai është grek apo  serb, ndërsa shqiptarët e besimit musliman janë dëbuar nga trojet e tyre shqiptare që sot janë nën shtetin grek.

Shqiptarët ortodoks të Çamërisë dhe ata arvanitas pothuajse janë greqizuar ashtu sikurse janë sllavizuar edhe shqiptarët ortodoksë në Maqedoni e Serbi si pasojë e politikës genocidiale  dhe asimiluese të shteteve  dhe të kishave ortodokse helene e sllave.

E ndërsa shqiptarët muslimanë as nuk u turqizuan, as nuk u sllavizuan e as nuk u greqizuan por mbi  ta gjatë  shekullit të 19-të dhe në  vazhdim edhe gjatë  gjithë shekullit të 20-të janë ndërmarrë kryqëzata dhe genocid i paparë sllavo-serbo-greko ortodoks duke ushtruar dhune , krime, masakra, vrasje, tortura, pastrim etnik e dëbim të tyre nga trojet shqiptare të Kosovës, Toplicës, Sanxhakut, të Maqedonisë shqiptare dhe të Çamërisë.

Shtetet dhe kleri ortodoks i shteteve të krishtera, fqinje  të shqiptarëve e kanë përdorur fenë për asgjësimin e shqiptarëve si komb dhe për asimilimin e tyre; dhe duke e ditur këtë fakt, prandaj edhe u vunë në krye të lëvrimit, të arsimimit dhe të përhapjes së gjuhës shqipe intelektualë dhe klerikë patriotë  shqiptarë ortodoksë  si dhe për formimin e Kishës së Pavarur Ortodokse shqiptare.

Përballë këtij rreziku e kërcënimi shqiptarët ortodoksë kanë dhënë kontribute dhe kanë luajtur një rol jashtëzakonisht dhe vendimtar   për Rilindjen Kombëtare gjatë shekullit të 19-të  edhe me pushkë, por sidomos me shkrim e me penë për shkollën dhe gjuhën shqipe,  për zgjimin kombëtar, për kulturën shqiptare  me qëllim për  bashkimin e shqiptarëve në një shtet të lirë e të pavarur gjithkombëtar shqiptar.

Kisha greke me anë të klerit grek dhe të gjuhës greke të liturgjisë fetare synonte helenizimin e shqiptarëve ortodoksë, dhe për këtë qëllim ajo vrau, përndoqi e maskroi të gjithë klerikët shqiptarë që përhapnin alfabetin dhe gjuhën shqipe e që mbanin mesha në gjuhën shqipe. Shumë klerikë shqiptarë ortodoksë janë martirë të shqiptarizmës dhe të gjuhës shqipe.

Rilindjes shqiptare i kanë dhënë hov të madh veçanërisht intelektualët patriotë ortodoksë të kolonive në Rumani, Bullgari, Egjypt, SHBA etj., si dhe arbëreshët e Italisë të cilët ishin ortodoksë unitë.

Botimet, alfabeti, abetaret  e shkrimet shqip  të tyre hynin fshehurazi nga Stambolli, Egjypti, Sofia, Bukureshti dhe nga Italia me qëllim për ngjalljen dhe rilindjen e ndjenjës kombëtare shqiptare, për zgjimin kombëtar.

Patriotët e shquar shqiptarë ortodoksë kurrë nuk u gjunjëzuan dhe nuk u frikësuan as nga “mallkimet”, as nga ç’kishërimet e Patrikanës dhe të klerit grek  të cilët përdorën edhe krimet e rënda si helmimet, vrasjet me plumba e me thika si me Papa Kristo Negovanin, Stathi Melanin, Mjeshtër Todërin, Naum Veqilharxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin etj.

Pas shumë përpjekjesh, sakrificash  e mundimesh të patriotëve të mëdhenj shqiptarë me 7 Mars 1887 u hap shkolla e parë shqipe me drejtor të parë Pandeli Sotirin i cili u kthye  në Korçë apostafat për këtë mision të lartë kombëtar. Pas tij drejtimin e shkollës e morën patriotët e tjerë Thanas Sina, Petro Nini Luarasi  e Nuçi  Naçi.

Ndësa shkolla e parë shqipe për vajza u hap në vitin 1891 nën drejtimin e Gjerasim Qiriazit dhe ku dhanë mësim heroinat e gjuhës shqipe Sevasti Qiriazi, Katerina Cilka,Polikseni Luarasi, Parashqevi Qiriazi etj. 

Pra, në ballë të zgjimit të ndjenjës kombëtare dhe të Rilindjes kombëtare ishte pena e intelektualëve shqiptarë ortodoksë, veprimtaria e të cilëve vazhdoi me përkushtim edhe në fillim të shekullit të 20-të në koloninë shqiptare në SHBA, ku përmendim veprimtarinë e P.N. Luarasit i cili formoi shoqërinë “Mall i Mëmëdheut”; në vitin 1906 Sotir Peçi hapi gazetën “Kombi”, dhe sidomos kulmin e arriti Fan Noli i cili për t’i shkëputur shqiptarët nga ndikimi i kishës greke shpalli krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare me liturgji fetare në gjuhën shqipe.

Me këtë shkrim të shkurtër, por i cili është shumë pak për atë se çfarë kanë dhënë shqiptarët ortodoksë për Kombin shqiptar, për lirinë, pavarësinë dhe për shtetin shqiptar, pasi nuk është e mundur që atë ta shkruash në një shkrim sepse për këtë rol të jashtëzakonshëm që ka dhënë patriotizmi i shqiptarëve ortodoksë  për Rilindjen Kombëtare Shqiptare ka shkruar me qindra faqe Historia Shqiptare si dhe po hulumtojnë dhe që po e pasurojnë edhe sot studiuesit , letrarët dhe historianët shqiptarë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".