Nuk ka dorëheqje të Presidentit!
Riza Smaka
Shkruan: Prof. Dr. Riza Smaka
Jo Presidenti i dorëhequr ,por ,Presidenti në mungesë të përkohshme dhe ,ushtruesja de facti por jo edhe de jure e funksionit të Presidentit !
Pos shkaqeve për shkarkimin e Presidentit , të përcaktuara me dispozitën e nenit 91 të Kushtetutës së RK-së, siç është dënimi për shkak të kryerjes së krimit të rëndë, paaftësia për të ushtruar përgjegjësinë e postit ,sëmundja e rëndë dhe përcaktimi nga Gjykata Kushtetuese se ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës së RK-së, nuk egziston ndonjë bazë kushtetuese tjetër për shkarkim , pra as dorëheqja nga nga funksioni i Presidentit!
Ndryshe, në sisteme kushtetuese të disa shteteve, sikundër janë SHBA-të ( The USA Constitution, 1787, Article 12, Section 1 – 6 “ In case of removal of the Presidenti from office or his- her death, r e s i g n a t i o n ...”) dorëheqja është e përcaktuar si një nga bazat e shkarkimit të shefit të shtetit.
Kjo bazë as formë nuk egziston në Kushtetutën e RK-së për shkarkimin e Presidentit nga funksioni i tij!
Pasi që , posti i Presidentit të RK-së është kategori kushtetuese, zgjedhja ,shkarkimi dhe zëvendësimi i tij me Ushtrues- të Detyrës , sticto jure , kurdoherë do të duhej ,ius imperativum , të bëhej konform me dispozita kushtetuese përkatëse si dhe, nolens volens, do të duhej të përdoreshin terma adekuate kushtetuese!
Mungesa e përkohshme e Presidentit Thaçi e, jo , shkarkimi i tijKonform me dispozitën e nenit 90 par. 1 të Kushtetutës së RK-së , kur ,Presidenti i RK-së, çfarë është rasti i Presidentit Thaçi, nuk është p ë r k o h ë s i s h t i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e shefit të shtetit , ai, Ius Dispositivum, do të mund t’ia kalonte v u l l n e t a r i s h t detyrat e postit të tij Kryetarës aktuale të Kuvendit, z. Vjosë Osmanit ,e cila , sipas nenit 90 par. 3 të Kushtetutës së RK-së, do të ushtronte detyrën e Presidentit të RK-së deri në gjashtë muaj.
Kalimi i autorizimeve të Presidentit në mungesë të përkohshme të RK-së në Kryetarën e Kuvendit të RK-së , stricto jure ,sipas dispozitës së nenit 90 par. 1 të Kushtetutës së RK-së, do të duhej bërë dhe do të mund të bëhej vetëm sipas urdhrit shkrimor të Presidentit përkohësisht në mungesë , në të cilin , do të theksohej shkaku eventualisht shkaqet e mungesës së përkohshme si dhe kohëzgjatja e pritur e mungesës së përkohshme referuar kalimit të përgjegjësive ,për aq sa ai, do të kishte njohuri.
Presidenti në mungesë të përkohshme do të rifillonte ushtrimin e përgjegjësive atëherë kur do të ishte në gjendje për t’i ushtruar përgjegjësitë , kur Kryetarës së Kuvendit të RK-së , z. Vjosë Osmanit ,do t’i pushonte posti i Ushtruesës së Detyrës së Presidentit në mungesë të përkohshme, z. Hashim Thaçit.
Situata e fundit do të aplikohej nëse, në momentin e mejtjes së shkaqeve apo të shkakut për mungesë të përkohshme të Presidentit, të njëjtit nuk do t’i kishte skaduar afati pesëvjeçar i mandatit ( n. 87 par. 2 i Kushtetutës).
Ushtruesja e Detyrës së Presidentit ( në mungesë të përkohshme) , kryetarja e Kuvendit të RK-së z. Vjosë Osmani ,do të duhej që ,paraprakisht, të ishte urdhëruar shkrimisht nga Presidenti në mungesë të përkohshme për ta ushtruar funksionin e Presidentës së RK-së dhe nga ai, personalisht, të kishte pranuar dorëzim – pranimin e postit të Presidentit në mungesë të përkohshme !
Në aktin dhe procesin e lënies së funksionit të Presidentit të RK-së, z. Hashim Thaçit nëpërmjet “dorëheqjes” , në një anë si dhe, të marrjes së funksionit të Presidentit nga Kryetarja e Kuvendit të RK-së z. Vjosë Osmani pa urdhëresë shkrimore të ish Presidentit tani në mungesë të përkohshme, z. Hashim Thaçit, në anën tjetër , janë shkaktuar tri shpërfillje të Kushtetutës së RK-së!
E para , konsiston në faktin se, në Kushtetutën e RK-së, nuk egziston dorëheqja nga posti i Presidentit të RK-së si një nga bazat e shkarkimit të njëjtit nga funksioni i shefit të shtetit ;
E dyta , konsiston në faktin se ,kryetarja e Kuvendit të RK-së , për ta marrë postin e Presidentit dhe për t’i ushtruar funksionet e shefit të shtetit, paraprakisht , Conditio Sine Qua Non , shprehimisht me dispozitën e nenit 90 par. 1 të Kushtetutës së RK-së, kërkohet ta kishte marrë urdhëresën shkrimore të ish Presidentit me shkakun apo shkaqet si dhe kohëzgjatjen e mundshme të mungesës së përkohshme të tij si dhe ,
E treta , konsiston në faktin se kryetarja e Kuvendit të RK-së , është të pranonte postin e Presidentit sipas urdhçresës shkrimore të theksuar personalisht nga Presidenti në mungesë të përkohshme e jo nga këshilltari i tij! Dorëzim – pranimi i postit të Presidentit në mungesë të përkohshme nuk është kryer sipas protokollit dhe zakoneve politike të mira, në mënyrë dhe rast enkas dhe të drejtpërdrejtë nga Presidenti në mungesë të përkohshme në një anë dhe nga kryetarja e Kuvendit të RK-së në anën tjetër.
Ushtruesja de facti por jo edhe de jure e detyrës së Presidentit (në mungesë të përkohshme), në shpërfillje të dispozitës së nenit 90 par. 1 të Kushtetutës së RK-së
Pasi që , akti i marrjes së detyrës së Presidentit të RK-së z. Hashim Thaçit nga kryetarja e Kuvendit të RK-së z. Vjosë Osmani , është bërë në shpërfillje të dispozitës së nenit 90 par. 1 të Kushtetutës, duke e pranuar detyrën e Presidentit në vend nga Presidenti (në mungesë të përkohshme) , nga një këshilltar i Presidentit si dhe, duke e marrë detyrën e Presidentit pa urdhëresë shkrimore të Presidentit (në mungesë të përkohshme), rezulton se ,z. Vjosë Osmani nuk është de jure por vetëm de facti Ushtruese e Detyres së Presidentit (në mungesë të përkohshme) !
Spekulimet paraprake për postin e Presidentit të RK-së, në kundërshtim me nenin 70 të Kushtetutës
Persona të caktuar,qe vetëvlerësohen meritorë , ka kohë qe kalkulojnë, spekulojnë dhe prima facie biznesojnë politikisht për të parasiguruar dhe paragarantuar për vetëvetën postin e Presidentit të RK-së!
Veprimet e tilla, pos qe nuk rezultojnë të jenë të moralshme dhe aspak të hijeshme, janë irrituese , antidemokratike dhe në kundërshtim me dispozitën e nenit 70 të Kushtetutës së RK-së , sipas së cilës , deputetet e deputetët kurdoherë duhet të votojnë, jo sipas “qëndrimeve politike” apo “ pikëpamjeve partiake” por, konform me bindjen e paimponuar me asnjëfarë metode , instrumentit as mekanizmit të tipit joshës apo kanosës , “ shkopit as karotës”!
Dispozita kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit e favorizon shkeljen e Kushtetutës !
Zgjedhja e Presidentit të RK-së është përcaktuar me nenin 86 të Kushtetutës së RK-së.Për të qenë ironia sarkastike , formulimi i nenit 86 par. 6 të Kushtetutës , e favorizon shkeljen e dispozitës së nenit 70 të Kushtetutës , nga se , me të , pos qe nuk kërkohet sikundër në dy roundet paraprake shumica e kualifikuar , por vetëm shumica absolute për të zgjedhur shefin e shtetit në një anë dhe, dështimi eventual i zgjedhjes së tij – saj, sanksionohet me shpërndarjen e Kuvendit, në anën tjetër !
Sëandejmi , edhe deputetet e deputetët qe kanë mundur të mos e kanë pasë votuar kandidaten apo kandidaten për President – e në dy roundet paraprake , në të tretën , në kundërshtim të nenit 70 të Kushtetutës së RK-së , mbase do ta votonin , jo lirshëm , por, për hir joshjes dhe kanosjes përmes shpërndarjes së Kuvendit e me te të humbjes së statusit të deputetit përkatësisht të deputetes poqëse edhe në roundin e tretë do të dështonte zgjedhja për President e kandidatit –es më parë të dështuar !
Pra , në atë mënyrë , në roundin e tretë , me dispozitën e nenit 86 par. 6 të Kushtetutës së RK-së, explicite imponohet votimi për zgjedhjen e kandidatit-es edhe kur do të kishte qenë i – e refuzuar në dy roundet paraprake dhe kur në rrethana pa atë sanksion nuk do të votohej dot !
Sëandejmi , është nevojë imediate qe , pos disa dispozitave tjera të saj, neni 86 i Kushtetutës së RK-së të amendohej në një nga formulimet tjera të mundshme e të ndryshme!
Poashtu, me dispozitë kushtetuese do të duhej të sanksionohej çfarëdo biznesimi politik për parasigurim dhe paragarantim të postit të Presidentit të RK-së për këtë apo atë person, kushdoqoftë ai apo ajo!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".