Askush të mos i gëzohet njollosjes së luftës së drejtë të UÇK-së nga Gjykata Speciale , ju që jeni në pushteti mbrojeni shtetin dhe vlerat e luftës

Askush të mos i gëzohet njollosjes së luftës së drejtë të UÇK-së nga Gjykata Speciale , ju që  jeni në pushteti mbrojeni  shtetin dhe vlerat e luftës
Askush të mos i gëzohet njollosjes së luftës së drejtë të UÇK-së nga Gjykata Speciale , ju që  jeni në pushteti mbrojeni  shtetin dhe vlerat e luftës

Dr. Hysni Aliu

  • 09 November 2020 - 12:28

Shkruan: Dr. Hysni Aliu

 -Fatkeqësisht, po detyrohem të shkruaj gjithmonë për gjërat negative që po ndodhin në atdheun  tim, gjë që po më vënë në siklet të madhe. Do të doja të ishte ndryshe, do të doja të shkruaj dhe të përgëzoj për gjëra  të mira, do doja të krenohem me vendin dhe kombin tim, por s’është e mundur. Arrestimi i presidentit  të vendit z. Thaçi, arrestimet e z. Krasniqi, Z. Veseli dhe z. Selimi, e më herët i z. Gucati e Z. Haradinaj, do të duhej të sillte një reaksion institucional e partiak gjithëpërfshirës dhe në të gjitha nivelet. Pra do të duhej të mblidhej qeveria e vendit, këshilli i sigurisë kombëtare, krerët e të gjitha partive politike në vend, krerët e komunave, institucioneve fetare e univerzitetit, akademia, krerët e ushtrisë e policisë në mënyrë që të analizohet situatë e krijuar, dhe pasojat që do i sjell për vendin, rreziqet që i bartë kjo situatë, dhe hapat e mundshëm  të armiqve të Kosovës në ditët dhe muajt e ardhshëm.  Do të duhej të mblidhej edhe shteti Shqiptar, në të gjitha nivelet ashtu si në Kosovë, dhe të koordinoheshin me Kosovën për atë se si më tutje.

Pore çka ndodhi? Si askund në botë, pati një shpërfillje totale institucionale, politike e shoqërore të asaj që ndodhi. Kjo do të ketë pasoja të rënda në të ardhmen. Asnjë individ, e asnjë parti politike, nuk pati reagim adekuat në përputhje me situatën. Në vend që të gjithë së bashku ta formonin një front për ta përballur këtë situatë, të gjithë, ama bash të gjithë vrapuan mbas interesit vetiak, duke menduar se si ta shndërron këtë tragjedi të vendit, në një benefit personal e partiak. Po them tragjedi, jo se këta që shkuan në Hagë janë krenaria jonë, po flas për periudhën e pasluftës, por sepse këta njerëz dhe shumë tjerë që do akuzohen më pastaj, do jenë mbrojtës ose termet  për shtetin e Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare, pore jo tani në Kosovë, si në kohën e UÇK-së, por në Hagë, para një gjykatë ndërkombëtare një-etnike. 

Si është e mundshme  që të neglizhohet çdo gjë që ndodhi me vendin tonë. Kush ju ndali që të shprehni shqetësimin për këtë që ndodhi, kush ju ndali të shprehni,  minimumin, keqardhje për atë që i ndodhi. A do të thotë  kjo që ju nuk keni shqetësimin për identitetin ton kombëtar, shtetëror , njerëzor e institucional. A do të thotë kjo, që ju i konsideroni këta si kriminel lufte ashtu siç i konsideron Serbia, ende pa u gjykuar fare, e si rrjedhojë nuk duhet të reagohet. Si është e mundshme që nga 2 milion shqiptar të Kosovës, nuk u pa një njeri që të protestonte qetësisht, dhe të fliste një fjalë miradije për luftën e këtyre njerëzve në kohën UÇK së dhe luftës së sajë çlirimtare. A e kuptoni ju udhëheqës institucionesh që dje e pardje u sulmua vendi juaj e jo armiku  juaj.

Të gjithë ata që u dërguan atje, kanë mundur të jenë armiqtë tuaj individualisht, por ata i takojnë shtetit tuaj, shtet për të cilin jeni të emëruar ta udhëhiqni dhe mbroni. Ata njerëz , tani përfaqësojnë shtetin tuaj në Hagë, ashtu siç po e përfaqësoni ju në Kosovë. Zonja Vjosa Osmani, e zotëri Albin Kurti, po ju drejtohem juve veçanërisht, sepse Kosova i ka sytë në ju si dy individ që ju ka votuar populli me shumicë.  Ju lus që në këto kohëra të vështira, mos lejoni të ju udhëheqin ndjenjat, por udhëhiqni nga mendja. 

 Shikoni gjërat nga këndvështrimi juaj, nga ai i mikut, nga këndvështrimi i armikut dhe ai i popullit, nëse dëshironi të mos gaboni. Mbajeni mend, që ju dy individ, përfaqësoni afër gjysmë milioni shqiptare, andaj, nuk mundeni të veproni si një individ, që nuk i jep llogari popullit por vetvetes. Mos harroni, që kur armiku të troket në derën e  fqiut, nesër do të troket edhe në derën tënde. 

Ata që kanë vdekur në luftë, kanë vdekur për këtë shtet që tani po e gëzojmë, e ju po e udhëhiqni, andaj edhe ju që jeni të gjallë, luftoni për ta mbrojtur këtë shtet e jo për vetveten apo shfryrjen e inateve personale.  Gjerat duhet të bëhen në kohën e duhur, dhe momentin e përshtatshëm.

Nuk guxoni të bëni gabime në hapa, sepse  gabimet e juaja, janë së pari gabime të shtetit e pastaj të juajat, dhe për këtë populli ju shikon dhe gjykon. Nuk besoj që i ndjeri dr. Ibrahim Rugova ju ka gëzuar shkuarjes së këtyre njerëzve në Hagë, e as Komandanti legjendar Adem Jashari. Unë besoj, që po të kishin mundësi të flisnin,  dy themeluesit e shtetit tonë, do të ju  thonin, ” Ne vdiqëm  për të mos vdekur kurrë, u flijuam  për atdheun tonë, dhe për këtë shtet, e tani po bëjmë gjumë  në paqe, ndërsa ju duajeni shtetin e Kosovës dhe  njeri tjetrin, sepse ajo do të ishte  dhurata, dhe respekti më i mirë  i mundshëm për ne” .

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".