Të ndërpritet pazari politik për postin e presidentit!
Florim Zeqa
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në vend që t'u shërbejnë qytetarëve, janë vënë në shërbim të agjendave partiake. Këtë e dëshmon mosvotimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe jo vetëm.
Nisma e mbarë, ishte shpresë për ndryshime
Duke i parë vështirësitë dhe prapaskenat e zgjedhjes së presidentit, Ibrahim Rugova ishte ndër të parët që kishte kërkuar zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejtë nga populli, e jo të mbetet objekt i pazareve politike.
Kjo ide kishte filluar të materializohet në pranverën e vitit 2011, përkatësisht më 22.04.2011 në Kuvendin e Kosovës, ku formohen Komisionet për ndryshime kushtetuese, përkatësisht Kosmisioni për Reformën Zgjedhore, gjegjësisht për krijimin e më shumë zonave zgjedhore në Kosovë dhe Komisioni për Zgjedhjen e Presidentit drejtëpërdrejtë nga populli, me ç'rast të dyja komisionet ishin votuar në Kuvendin e Kosovës me 76 vota për, 6 kundër dhe 4 abstenime. Këto dy komisione ishin formuar pas një marrëveshje politike ndërmjet tri partive; PDK-së LDK-së dhe AKR-së, e cila i kishte dhënë fund krizës institucionale me zgjedhjen e presidentës (së zarfit) koncensuale Atifete Jahjaga. Në bazë asaj marrëveshje dhe ndryshimeve kushtetuese që pritej të ndodhnin, parashihej që presidenti të zgjedhej drejpërdrejt nga qyterarët e jo përmes marrëveshjeve politike.
Komisioni për Reformën Zgjedhore dhe Komisioni për Zgjedhjen e Presidentit drejtëpërdrejtë nga populli, ishin ngarkuar me detyrë që të hartonin dhe harmonizonin amandamentet e nevojshme kushtetuese dhe legjislacionin e nevojshëm për të amandamentuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që presidenti të zgjedhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Pritjet ishin që ky komision të përfundojë punën e vet brenda 6 deri në 9 muaj nga data e themelimit të tij.
Pazari politik i natës që e la në harresë nismën e mbarë
Mirëpo, jo vetëm që kjo nuk ndodhi asnjëherë, marrëveshja e fshehtë politike mes Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës e vitit 2014, "Unë sot kryeministër, ti nesër president", i hodhi në koshin e mbeturinave të gjitha përpjekjet e komisioneve parlamentare, duke e kthyer sërish në pazar politik postin e presidentit, pazar ky që po vazhdon edhe në ditët e sotme.
Analizuar nga këndvështrimi i pavarur analitik, e keqja më e madhe e këtij vendi në dhjetvjetëshin e fundit mbetet binomi Thaçi-Mustafa, të cilët përveq minimit të reformës zgjedhore i sollën shumë të këqija akoma më të mëdha vendit...
Ishte pikërisht ajo marrëveshje private, e pazarit politik mes dy dy figurave, sa të njëjta po aq të kundërta politike që thyen shpresat e qytetarëve për ndryshime pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014.
Arritja e "kurorës politike" mes dy liderëve partiak (Thaçi-Mustafa), duke u thirrur në emër të strukturave të partisë pa i pyetur fare ato, ishte injorimi dhe poshtërimi më i madhë që i bënë elektoratit, kryesive dhe këshillave të përgjithshme të të dyja subjekteve politike, duke instaluar kështu masat më të tmerrshme të diktatit brenda këtyre dy partive politike.
Mirëpo kjo nuk ishte e keqja më e madhe. Binomi fatkeq për vendin, Thaçi-Mustafa shkuan tutje me konçesione tjera të dëmshme për vendin në dialog me Serbinë, duke e përdorur Kuvendin si dekor "demokratik" për marrjen e vendimeve antidemokratike, antishtetërore dhe antikombëtare në dëmë të shtetit dhe qytetarëve. Nën trysninë e këtij binomi fatkeq për vendin u votua Asociacioni i Komunave Serbe, u votua Gjykata Speciale, u votua Demarkacioni me Malin e Zi (me ndihmën e Ramush Haradinjat) si dhe një varg i gjatë i vendimeve që rënduan jetën e qytetarëve...
Të inicohet reforma zgjedhore në Kuvendin e Kosovës
Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi për arsye tashmë të njohura, kjo legjislaturë e Kuvendit me urgjencë dhe sa më parë duhet të inicojë ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht amandamentimin e ligjit për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt nga populli, i cili do të pamundësonte futjen në pazar të postit të presidentit nga partitë politike.
Kosova duhet të bëhet në kuptimin e plotë të fjalës shtet ligjor dhe demokratik, në të kundërtën rrezikon të shndërrohet në anarki totale, ku të fortët e politikës vendosin se kush do të jetë kryeministër dhe president i këtij vendi, duke i përdorur zgjedhjet vetëm si dekor dhe mashtrim për elektoratin.
Demokracia përveq lirisë së shprehjes nënkupton barazinë e qytetarëve para ligjit, të drejtën e zgjedhjes dhe për të qenë i zgjedhur.
Pas situatës së krijuar politike dhe mosfunksionimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zgjedhjet e parakohshme do të jenë të pashmangshme. Është në dorën e kësaj legjislature të kuvendit që të ri-inicoj ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore, përmes së cilës do të ndërpritet pazari politik për postin e presidentit!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".