Kosovës i nevojitet më shumë se kurrë një President i zgjedhur me votë demokratike, jo me pazare të pista dhe katapultime politike

Kosovës i nevojitet më shumë se kurrë një President i zgjedhur me votë demokratike, jo me pazare të pista dhe katapultime politike

Gani Qarri

  • 13 November 2020 - 19:21

Shkruan: Gani Qarri

Përvoja e hidhur e deritanishme me katapultimet e personave të papërshtatshëm dhe të rrezikshëm për vendin në postin e të parit të shtetit, siç u veprua kohë më parë me kuislingun Hashim Thaçi, i cili për shkak të interesave personale e qoi vendin buzë ndarjes dhe shuarjes totale të shtetësisë së Kosovës, sidomos në momentet nëpër të cilat aktualisht po kalon Kosova, e bënë të patejkalueshme nevojën, që të mos u lihet më vend manipulimeve të figurave të degjeneruara dhe kalkulimeve të partive politike, por të bëhet zgjedhja e drejtpërdrejt e presidentit me vullnetin e qytetarëve dhe votën e lirë të vet popullit.

-Duke pasur parasysh faktin se deri më tani, që nga paslufta e këndej, nuk është marrë pothuajse asnjëherë në konsideratë vullneti i qytetarëve, është manipuluar me votat e tyre dhe nuk është informuar kurrë për kalkulimet që bënin partitë politike, është koha e fundit që për të rikthyer besimin në popull, tejkaluar situatat e krijuara nga kriza ekonomike, politike dhe sociale në vend, zgjidhja e presidentit, doemos të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me votën e lirë të popullit të këtij vendi.

Madje, në mënyrë që kjo të respektohet dhe të mos mbetet më vetëm retorik mediatike, duhet të formohet urgjentisht një komision shtetëror për ndryshimet e nevojshme kushtetuese përfshi edhe plotësimin e ligjeve për ndryshimin e sistemit qeverisës nga ai parlamentar, siç ishte deri më tani, në gjysmë presidencial apo sistem plotësisht presidencial, njëjtë siç është edhe në fuqinë më të madhe demokratike të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe besimi i popullit do të ishte më i madh në personalitetin e zgjedhur drejtpërsëdrejti me votën e lirë të qytetarëve, për president të vendit.

Përndryshe do të bëhej serish edhe një gabim tjetër fatal i gjithë spektrit politik në Kosovë, nëse lejohet përsëritja e të njëjtës gafë sikurse vepruan me kandidaturën e Hashim Thaçit që me vota të imponuara nga jugonostalgjiku dhe bashkëpunëtori i Rrahman Morinës, Isa Mustafa, e bënë (përdhunshëm) President, pavarësisht faktit që ishte e pritshme se pas formimit të Gjykatës Speciale, ai si emër i parë në listën e Dick Marty-it, gjithsesi do të ballafaqohej shpejt me drejtësinë, mbi bazën e raportit të të cilit u ngritën edhe aktakuzat për gjithë ish komandantë e UÇK-së dhe drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm.

Sidomos zhvillimet më të reja aktuale, që kanë ndodhur së fundi në Kosovë shtrojnë nevojën e domosdoshme të zgjedhjes së një figure të pastër intelektuale për president, drejtpërsëdrejti nga vet populli i Kosovës, pa u lënë më vend manipulimeve të mafio-oligarkistëve dhe kalkulimit të figurave të degjeneruara politike në vend. Madje për ti vënë nën kontroll, personat dhe partitë e inkriminuara tash e mbi 12-13 vite, presidentit të zgjedhur me votën e drejtpërdrejtë të popullit, duhet ti rriten e zgjerohen edhe kompetencat , në mënyrë që personat e korruptuar dhe segmentet e kriminalizuara të mos guxojnë më të kooketojnë me nëntokën dhe krimin e organizuar në vend, siç kanë vepruar lirshëm dhe pa fije droje, deri më tani.

Edhe paraqitja e kandidaturës për president të Kosovës, nga kreu i AAK-së Ramush Haradinaj dhe insistimi i tij që ai tani, të mbështetet me çdo kusht, përkundër faktit se edhe Haradinaj, njësoj sikurse Hashim Thaçi dhe të dyshuarit e tjerë, jo vetëm që është intervistuar, por edhe mund të arrestohet nga Prokuroria Speciale për krime të luftës, i cili për këtë arsye edhe kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të vendit, është vërtet jo serioze dhe pa asnjë garancë për qëndrueshmëri, ndaj është koha e fundit që të bëhen urgjentisht ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe presidenti të zgjidhet jo sipas dëshirës dhe kushtëzimeve ndërpartiake, por me votën e drejtpërdrejtë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve, njëjtë siç u zgjodh edhe Joe Biden në SHBA.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".