Gjykata Speciale nuk mund as nuk do ta akuzojë UÇK-ën

Gjykata Speciale nuk mund as nuk do ta akuzojë UÇK-ën
Gjykata Speciale nuk mund as nuk do ta akuzojë UÇK-ën

Shefik Shkodra

  • 17 November 2020 - 15:20

Shkruan: Shefik Shkodra

NË KOSOVË POLITIKA E ÇDO KUJT DHE E ASKUJT

[Politika nuk është arti më i lehtë, edhe pse shumë njerëz e marrin si shprehje pasioni e me një potencial të pamjaftueshëm, po për leverdi të veten, gjithnjë duke menduar se aftësia nuk u mungon. Veç intriga duhet bërë. Në esencë në rrethana tona si ndodhet Kosova, nuk është aq e lehtë të japësh përgjigje në çdo pyetje që i bëhet politikanit, në institucionin përgjegjës, as për vendorët e as për kërkesat e politikës së jashtme. Ani kur personit zyrtar i shihen, jo veç injoranca edhe etiketime të natyrës jo parimore! Jo intrigat janë të fundit në mes veti, për njerëz të ditur]Bëhet fjalë për individët dhe veprat e tyre (që na nuk i dimë), qofshin ata edhe përfaqësues të Ushtria Çlirimtare të Kosovës. UÇK është emër vërtet i përgjithshëm popullor, e nëse cilësohet me individët: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, etj. do të privatizohej. Si mund të personalizohet apo pronësohet ushtria e dalë nga populli liridashës. Ushtri e domosdoshme për mbrojtje koke në vatrat e veta. Të arrestuarit, pjesëtarë të SHP, ishin njëherë, por tash nuk duhet të identifikohen si UÇK. Dhe kjo ka pasur aleatin më të fortë botërorë - NATO-n. Në UÇK ka pasur njerëz të vullnetit të mirë, të cilët kanë dhënë jetën. Ata nuk kanë menduar për pushtet. Ata kanë menduar ta çlirojnë vendin. Dhe këtë parullë duhet ta flakin të arrestuarit në Gjykatën e Hagës. Ata vetë nuk duhet të thirren në emër të UÇK-s! Personat e arrestuar nuk janë UÇK. Kanë qenë përfaqësues, por nëse kanë gabuar duhet të përgjigjen për veprimet e tyre. Po as këta (këtu në Kosovë) nuk duhet të thirret askush në ushtrinë e Kosovës. Është shkallë e ulët për PDK, sikur mbajnë zi, për të përmendurit dhe nuk shkojnë deputetët e tyre në seanca për një javë. Ku ishin këta anëtarë të kryesisë (këshillit) që nuk e shoshitën punën mirë me kohë? Pse nuk filluan gjykimin me kohë në Kosovë, sikur bën Serbia tradhtare me gjykatat e brendshme, me gënjeshtra para krejt botës. Tash e këndojmë parullën: Liria ka emër! Po, por për këtë është dashur t’i hapin sytë me kohë, jo të merren me punë personale! Gjykimin e UÇK-s nuk e pranon askush prej shqiptarëve!

Neve na duhet ligji e gjyqi i jonë

Nuk dua të flasë për Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës. Por, ne këtu brenda duhet ta shohim punën si ka shkuar dhe po vijon në të njëjtën mënyrë. Shihet qartë se si krijohet vorbulla politike në mese të shqiptarëve. Po është vërejtur herët se protagonistë të interesit parcial dhe individual, e devalvuan interesin deri në rrezikimin e përgjithshëm të shtetit dhe jo veç UÇK-n. Kështu është kur egoizmi nuk përfill asnjë mundësi për një rrugëdalje të vlerës kolektive – kombëtare. Kështu është vepra e egoistit, përkundër shumë zërave me vërejtje, ata që nuk kanë interesa tjera pos atdheut të pavarur. Kështu është kur nuk i lë ta hapin gojë asnjë institucion, asnjë grup qytetarësh, asnjë person tjetër; kështu është kur nuk lejon të funksionojë asnjë element akademik. Kështu është kur një pjesë e medieve paguhen (kush di nga cila anë) dhe veprojnë me elemente diskriminuese brenda shtetit, para opinionit publik. Si ai B. Haxhiu e me E. Ramën. Taborre të shumta lëvrojnë fjalë në TV-t për të shkarkuar psiken e njerëzve, të çdo elementi që grimcon atdheun, duke mbrojtur pa të drejtë një politikë të monopolizuar, për të mos thënë diskriminuese, arbitrare e injorante, krye në vete, shpeshherë dogmatike.

Politikë e çdo kujt dhe e askujt

Me politikën shqiptare njeriu shpeshherë bie në dilemë se, kujt i kanë shërbyer partitë politike, përkatësisht liderët e ashtuquajtur të atyre grupimeve, me tendencë për t’u marrë me çështje shumë jetike kombëtare. Kënd e kanë favorizuar dhe kënd e kanë ndëshkuar (ndrydhur) në një mënyrë apo tjetër. Qoftë në organizimin dhe respektimin e një kushtetutshmërie brenda, qoftë asaj politikës së marrëdhënieve me botën e jashtme, natyrisht duke respektuar një kushtetutë të vendit. Politika e brendshme shtetërore reflektohet në atë të jashtme, pothuajse në mënyrë simetrike. E sidomos kur përcjellja është në mënyrë të përhershme për interesin e atyre vendeve përreth, kështu sikur gjendet Kosova sot e disa kohë. Kush e di tash për tash, cilët persona ishin dhe janë të inkuadruar në shërbime të ndryshme të huaja për çështje të Serbisë...Kush e di tash, kush çka ka e kë e kanë paguar dhe rregullisht insiston për ç’arkodim të politikës përbrenda shqiptarëve. Këtë është dashur ta dinë liderët tanë pak më herët. Jo ta konsumojnë kohën me grindje e sharje në mes veti. Më mirë do të ishte me popull e për popull se sa përralla, intriga e bishta njëri-tjetrit. Këto punë janë rrugaçërie, jo të nivelit për shtet-ndërtim!

Ujë amull – i papijshëm

Çdo ditë parulla të njëjta. Të harxhuara. Të pa krip. Mashtrime ordinere. Kur në pritje të çdoditshme ishte qytetari i jonë për një mirëvajtje, sidomos pas shpalljes së pavarësisë. Për një liberalizim vizash. Një punësim adekuat dhe më të hovshëm. Një ligj për të drejtën e tyre në sektorin privat e kudo qoftë. Në mbështetje. Për këtë qëllim edhe janë votuar tipat, gjithnjë duke dëgjuar fjalë të “rëndësishme” prej tyre, për popullin (!). Është thënë e është pritur të bëhet reformim i partive, sidomos të LDK-s dhe PDK-s, si më të mëdhatë dhe me një prioritet nga një përvojë e tyre. Kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi. Në këto dy parti duhet ta pranojmë se ka pasur mjaft njerëz të ngritur dhe me arsimim adekuat, në të cilët qytetarët kanë shpresuar të mbështeten. Por jo. Fatkeqësisht liderët e këtyre dy partive (Isa e Hashimi) kanë qenë të orientuar ndryshe. Madje për të mbizotëruar (sunduar) në pushtet dhe të kapin privilegje për vete dhe rrethin e ngushtë. Kjo është parë dhe shihet shumë larg. Kanë pranuar njerëz të dyshimtë deri në institucione shtetërore. Duke dashur t’i varin veç për interesa të tyre. Kanë futur gjykatës deri në atë të Kushtetueses të dëgjueshëm dhe të manipulueshëm lehtë prej liderëve partiak. Me persona në institucione, të cilët heshtin para krimit nuk mund të organizohet e të formohet shteti. Këta e gënjejnë më parë veten, pastaj gjithë popullin, sikur ka ndodhur rregullisht deri më sot. Një politikë e cila është e angazhuar kundër qytetarit, ngjashëm me tipa e frymë të asaj të djeshmes. Madje edhe njerëz që i kanë shërbyer të djeshmes.

Ka pasur shkarje që në fillim – s’ka drejtësi në Kosovë
Të zezat, pas luftës, kanë filluar me privatizimin e çdo gjëje, e duke i lënë punëtorët në mëshirën e zotit. Kështu është konstatuar keqmenagjimi i pasurisë publike, sigurisht dikush prej tyre është pasuruar nga tenderët me pa të drejtë; janë plaçkitur toka, banesa, dyqane, pyje, lumenj, etj. që të gjitha këto kanë ndodhur nga grupet partiake e të liderëve të tyre; punësimi është bërë pa konkurse (ose formale) para krejt opinionit publik. Vetëm ata të dëgjueshmit – servilët (militantë), apo ryshfeti dhe lidhja e drejtpërdrejtë me pushtetin, s’ka pasur rëndësi arsimi dhe aftësia. Provë e kësaj ishte afera Pronto! Kjo ka ndodhur deri te komuna në çdo sektor. Haptas për fushë! U është lënë militantëve, anëtarëve të partive të shkatërrojnë pasurinë shoqërore dhe të degradojnë çdo pasuri publike: – bëni çka të doni! Të mos keni frikë nga askush...! këtu jemi ne (liderët) që e kemi këtë vend veç për ne, ne jemi “gazda” këtu! Degradimi më i vrazhdët ishte dhe është në drejtësi. S’ka drejtësi në Republikën Demokratike të Kosovës. Drejtësia është vetëm term. Gjykatat ishin të Hashim Thaçit&Co me kompromisxhinjët tjerë, sipas nevojës si krah. Për këtë dëshmojnë aferat e krijuara, të mëdha e të vogla e shumë të fshehura: vjedhja e Dhomës së dëshmive; vrasje e policëve dhe njerëzve të tjerë politik; vrasje e njerëzve në burg; vjedhje e buxhetit, përkatësisht harxhim i tij pa ndonjë mbulesë, po për asnjërën e as tjetrën kush nuk ka dhënë përgjegjësi.

Mirë, edhe pak kohë ndoshta ka mundur të planifikohet e të formohet skuadër për eliminimin e atyre që nuk heshtin, që nuk imitojnë fjalët e papagallit për çdo ditë. Degradimi tjetër ka ndodhur në mënyrë të tejdukshme me arsimin. Janë përmendur qindra herë cilat ishin e janë mungesat për njëzet vite. S’ka pasur rëndësi për këta liderët tanë dështimi. Ata kanë dashur vota! Po degradime ka pasur edhe në shëndetësi, në polici, në administratë, në urbanizëm dhe ambient, në kulturë, etj. Asnjë skutë nuk ka mbetur pa u prekur prej oligarkëve dhe politikës. Po si bëhet shteti me hajdutë e plaçkaxhinj, me krijimin e mafive me vepra kriminale të nëntokës? Arrestohet “dosti”, mbahet një muaj në burg, lëshohet i “pafajshëm”. Le të del dikush prej këtyre adhuruesve të kësaj politike të deritashme e le të thotë, se shteti lulëzon nga vjedhja dhe grabitja e pasurisë shtetërore, nga mafiozët, nga kriminaliteti i të gjitha llojeve. Dhe si është parë deri më tash, askush që ka qenë në lidhje partiake në pushtet, nuk ka mbetur pa u përlye. Prandaj ata/ato e dëshirojnë një atmosferë të tillë. Zihet për hajni, lirohet dhe vjen në pushtet. Kërkon pozita të larta. Shihe ti çfarë gjendje është krijuar në këtë vend?!

Politikë dezintegruese – në “shekullin e shqiptarëve”

Tash po kërkohet uniteti. Po ishte një politikë dezintegruese e përçarëse të spektrit politik e presidentit Thaçi. Një rënie të vlerës historike, patriotike e kulturore ndër shqiptarë. Një zymtësi. Një politikë provinciale (çfarë provincash kemi në Kosovë?!) e çuditshme. Këtu vjen në shprehje injoranca dhe bajraktarizmi i feudalizmit të vonshëm, e zbatuar në shekullin XXI – në “shekullin e shqiptarëve”, që sa më shumë të uzurpohet, plaçkitet, vidhet e degradohet si diçka e huaj. Shumëkush e tumir këtë sjellje të politikanëve të tillë te ne, madje edhe disa intelektualë, pse?! Sepse shpirti i shqiptarit, te pjesa më e madhe është shndërruar në parâ, në privilegje, është materializuar. Këto dhe të tjera mund t’i fitojë nga pushtetarët të palëkundshëm në frone, vetëm duhet të flasë mirë, të këndojë ode për ta. Madje edhe libra nëse kërkohet nevoja, të shkruhen me epitete të larta për ta. Hë! Sicili thirret në të bërat e të pabërat nga e kaluara e vet. Me këtë do të thotë, ai tipi ka të drejtë çka të dojë të veprojë, sepse ishte në luftë. Gjithnjë nën këtë parullë merr ofiqe shtetërore të pa meritueshme, vjedh apo plaçkit, por nuk ka gjyq për të. Dhe kjo është kohë e gjatë, njëzet vite. Shkurt, asgjë s’ka pasur në të mirë të qytetarëve, asgjë atraktive për rininë dhe punësimin e tyre. Vetëm ikja nga vendi pas “çlirimit” është menduar. Dhe kjo është shumë e dhimbshme. Për këtë nuk është menduar sa duhet apo nuk kanë dashur partitë tona me liderët në “zulmëmadh”. Kjo veprimtari politike, sot, nuk mund të mbulohet me parullën: L i r i a k a e m ë r! Fol tash drejt! Dikush duhet të kërkojë falje!

nga përfundimi i luftës, fillimi për shtetin LDK & PDK janë përgjegjësit (liderët e tyre) për krejt gjendjen që është krijuar në Kosovë. Këta e kanë filluar herët plaçkitjen, me tre 3% dhe atë “Atdheu thërret!” Pas LDK-s, PDK është përpjekur me çdo kusht të marrë primatin dhe privilegjin shtetërorë (menduam se do të bëjnë më mirë), duke rekrutuar militantë e rrugaç (në shumë raste) dhe njerëz nga ish sistemi e regjimi serb në partinë më të besueshme. Shumë prej tyre e përvetësuar parullën: nuk guxon kush të flasë ndryshe prej tyre – merre me mend, në çfarë shkalle kemi arritur, duke quajtur me fjalë veten demokratë, për shtetin e ri, të robëruar deri dje nga diktatura e huaj! Ka pasur kërcënime indirekte, por edhe direkte. Nuk ka mundur njeriu t’u besojë veshëve as syve. Është menduar se, këto sjellje e veprime janë lokalizma primitive, të ndonjë militanti gjysmë të çmendur. Por jo. Kjo ishte saktë direktivë dhe mobilizim prej qendre partiake. Vetëm militanti dhe anëtari i PDK-s ka të drejtë, mbrapshtë e mbrapshtë!...Ndërsa LDK, tinëzare. Vetëm pas shpine, me lidhje të veta, gjithashtu me militantë e rrugaç kockalëpirës, me disa paçavraxhinj. Kanë marrë nëpër këmbë edhe intelektualë. S’është çudi për këtë, nuk është pritur asnjëherë më shumë prej tyre. Kuadrot e duhura kanë ikur prej tyre. Kanë mbetur ata që bëjnë obstruksione me PDK-n, përkatësisht me Hashim Thaçin & Co. Si ishte rasti në mes të Pandemisë CO 19, kur e rrëzuan Qeverinë Kurti. Pse? Sepse paraqitej rreziku i një pastrimi. E pastrimi duhej të bëhej që nga këto dy parti. Është parë kjo haptas. Nuk e mbroj as VV as A. Kurti, se, asgjë nuk kam prej tyre, por ishte një procedurë shumë e shpejtuar, krejt nga frika e këtyre dy liderëve (I. Mustafa&H. Thaçi), e paarsyeshme. Nejse edhe kjo mund të ndodhë. Le të mendojnë për këtë vetë ata që e kanë krijuar dhe e kanë sjellë vendin deri në këtë gjendje.

E keqja ndaj nesh e fshehur prej nesh!

Derisa Serbia ka forcuar kuadrot e veta me ideologji fashiste, ka qarkuar mbarë Europën e botën, ka bërë shkrime si zakonisht trilluese. Ka gënjyer për shqiptarët çdo të keqe, ka penguar shtetin e Kosovës, shqiptarëve nuk u është dëgjuar zëri. Sikur çdo gjë për ta është normale. Sikur asgjë nuk ka ndodhur rreth tyre. Si “gjynaha” para të huajve. Shumë trima para të vetëve! Kështu u ka thënë padroni, Serbinë s’bën ta ngacmojmë! Hë! E keqja ndaj nesh e fshehur prej nesh! Kjo është shumë interesant. Ani do të bëhet historike, kur të verifikohen disa veprime tinëzare...Ç’mund të bënte Franca për ne? Anglia? Gjermania? Italia? Austria? Para së gjithave, shqiptarët do të insistonin dhe të jepnin kërkesat e tyre. Në mënyrë të dokumentuar. Pa hamendje. Pa ndrojtje prej armikut. Por jo, këta kanë qenë edhe të shantazhuar. E di secili prej tyre, ku ishte pengesa. Pse luftonin kundër Kosovës. E para nuk ka pasur organizim serioz shtetërorë, që të bëhen paditë me evidencë e fakte kundër Serbisë, e cila jemi, dëshmitarë, ka bërë gjenocid shtetëror në Kosovë, të organizuar me ushtri, polici e paramilitarë, para luftës dhe gjatë luftës. Organizimi i Serbisë –shtet ka pasur plane zhdukje të shqiptarëve, plane të përsëritura që nga gjysma e parë e shek. XIX për asimilim, për depërtim (largim individual e kolektiv – për Turqi, me kontratë), me çdo kusht për zhdukjen e etnisë së tyre deri në këtë kohë. Sot kemi mbetur si t’ishim agresorë dhe jo viktimë. Hashim Thaçi, president hyn në dialog me Serbinë pa kushte. As për viktimat – të pagjeturit nuk ka biseduar (meqë nuk kemi dëgjuar asnjë raport para opinionit publik) edhe pse kërkesat kanë qenë për çdo ditë. Kështu i nderuari, president, ka vepruar si përgjegjës shteti kundër Kosovës e më në fund kundër vetvetes. Serbinë e ka pranuar në tavolinë për dialog duke shpresuar se do të merret vesh me Vuçiqin, njeriun e S. Milosheviqit (sikur serbët të kishin besë), madje me çdo kusht, edhe me ndarje të Kosovës, pa pyetur askënd. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (nga vetë Hashimi), e pasi na pranuan një mori shtetesh, ky pranoi një fusnotë për Kosovën, sipas sugjerimit të Vuçiqit, duke iu nënshtruar kësaj politike të pa besë nga serbi, futet në një degradim për Republikën. Pastaj insistoi të falë tokë M. të Zi, ashtu si kishte ndodhur para pak vitesh me Maqedoninë Veriore. Në këtë kurth u fut kësaj radhe Ramush Haradinaj, derisa fitoi gradën e kryeministrit, që pak para do kohe rrahke gjoks, dhe shante çdo kë se, nuk mund të bëhet një gjë e tillë (!) Kjo menjëherë u bë. Dhe shihet se nuk kanë parime. Veç pushtet duan – pushtues! Si pjesëtarë e komandantë të UÇK-s, nuk e kanë ruajtur vlerën e luftës që e kanë bërë. Nuk janë tërhequr nga politika, edhe pse disa herë u është bërë me dije edhe nga politikanët e vendeve aleatë. Kush e nënshkroi “Zajednicën” dhe u demaskuan në kundërshtim disa nene të ligjit nga kushtetuta jonë? Sërish në pushtet, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Çudi pas çudie. Hiç pa ndalë. Hiç pa kursyer asgjë. Po qysh kështu? Ku shkoni dhe ku do të arrini me këtë mënyrë politike? Ndoshta do të bashkohet një rrip i tokës së Kosovës me Shqipërinë(!) Hë!

Vetë H. Thaçi insistoi të formohet Gjykata Speciale, duke shpresuar sërish se, pas marrëveshjes me Serbinë, në mënyrën e tij, do të gjejë mundësinë t’i ikë kësaj gjykate. Po shokët e luftës? – Shokët le të shkojnë...! Po kur e pa se nuk mund të strehohet nga aktakuza, e cilësuar për vepër penale, nisi përpjekjet për ta zhbërë këtë gjykatë, ndonëse kjo do të formohej më në fund edhe prej OKB-s. Por disa shqiptarë, si ky, mendojnë se mund ta korruptojnë krejt botën, si janë korruptuar vetë në vendin e tyre, në kurrizin e popullit të vet të shumëvuajtur.
Më duket më shumë ‘kori se sa fika’ për ne

Është shumë e shëmtuar puna e arrestimit të këtyre njerëzve në krye me Hashimin. S’ka dilemë se, për çdo shqiptar arrestimi i një presidenti të shtetit për vepër penale është për keqardhje. Kjo skenë është e dëmshme në përgjithësi për shqiptarët e në veçanti për Kosovën. Këtu vjen në shprehje edhe një revoltë dhe inati nga serbët dhe Serbia. Këtë e kanë dëshiruar ata dhe këtë e kanë organizuar mirë. Kjo është lufta psikologjike kundër shqiptarëve. Po këtë e kanë përvojë dhe sjellje elastike, sidomos për ata që mund t’i varin, nuk i lënë gojën ta qelin. Këta janë racë e veçantë. Për këtë nuk mund të shprehim krejt atë që e ndiejmë. Po për këtë kemi qenë të shqetësuar me kohë. Po për këtë është dashur të angazhohet ana e jonë, prej më të voglit në politikë e deri te ata që po e quajnë veten “shumë” politikanë efikas. Sikur të funksiononte drejtësia në Kosovë, me gjyqet e veta, ndryshe prej asaj të Hagës për krime lufte. Dhe po të kishte qenë H. Thaçi president për të gjithë qytetarët i barabartë dhe vërtet demokrat, të gjithë në këmbë do të ishin kundër arrestimit të tij. Ky njeri me co. e tij e pronësoi si të veten Kosovën materialisht dhe shpirtërisht. E nëse dikujt po i dhimbset shpirtërisht, pse nuk e sugjeroi për të gjitha ato që i bëri mbrapshtë? E nëse PDK kishte kuadro të ngritura, pse nuk vepruan për Kosovën, duke ia tërhequr vërejtjen atij. Por të gjithë ishin në një kallëp. Po qysh nuk doli një dashamirë i tij, një grua, një fëmijë, një vëlla, një familjarë, kushdo t’i thotë se, kështu nuk bën të veprohet me popullin e shumëvuajtur të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".