Kështu po funksionon “uniteti” i politikanëve shqiptar për korrupsion dhe hajni ndaj shtetit

Kështu po funksionon “uniteti” i politikanëve shqiptar për korrupsion dhe hajni ndaj shtetit
Kështu po funksionon “uniteti” i politikanëve shqiptar për korrupsion dhe hajni ndaj shtetit

Skender Kapiti

  • 17 November 2020 - 18:54

Shkruan: Skënder Kapiti

E çfarë uniteti mund të kenë politikanët shqiptarë kur ata garojnë dhe vjedhin edhe vullnetin e popullit, votën e tyre, a mund të bëjë unitet pushteti dhe politika e cila në pushtet është në mënyrë antidemokratike dhe kundër legjitime?! Kush i beson atyre?! Politikanët shqiptarë kujtohen për unitet pas dëmeve të rënda që ata u kanë bërë shtetit dhe shqiptarëve; u kujtohet “uniteti” kur treni dhe koha ikin shumë larg. Është fatkeqësi dhe dëshpëruese që kjo politikë të kërkojë unitet kur ajo tradhton, vjedh, korrupton dhe kriminalizohet.

Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet më të korruptuara në Evropë. Shkaku i kësaj gjendjeje janë krimi i korrupsionit të lartë shtetëror në dy shtetet, dhe mos-hetimi, mosndëshkimi dhe imuniteti që gëzojnë peshqit e mëdhenj të krimit e korrupsionit. Këtë imunitet pa ndëshkueshmërie atyre ua jep “uniteti”, ”konsensusi” apo marrëveshja e padeklaruar që si do që të vërtitet e të ndërrohen pushtetet, VIP-at e lartë të politikës e pushtetit do akuzojnë e do denoncojnë njëri-tjetrin vetëm mediatikish dhe sa për mashtrim publik, por në asnjë mënyrë asnjëri prej tyre të mos ndëshkohet nga sistemi i drejtësisë.

Këtë e vërteton fakti se deri më sot asnjë peshk i madh i krimit , hajnisë dhe korrupsionit të lartë shtetëror nuk është ndëshkuar as në Shqipëri, pavarësisht se edhe ka filluar punë VETING-u, si dhe as në Kosovë. Pas miratimit dhe pas fillimit nga funksionimi të Gjykatës Speciale, tani kujtohen politikanët dhe intelektualët për ta zhbërë atë, madje tani kërkohet dhe unitet si kurrë më parë. Por, pse nuk kishte unitet në kohë, pse nuk kishte unitet politika shqiptare për ndërtimin e shtetit demokratik e ligjor gjë që do ta bënte të panevojshme këtë Gjykatë. Pse nuk ka unitet politika shqiptare për luftën kundër krimit dhe korrupsionit të mafi oligarkisë politiko-kriminale dhe as për integrimin?! Dhe pse politika kërkon unitet tani, kaq tepër vonë. Apo mos menduan politikanët se do të shpëtonin dhe nuk do të thërriteshin e të dilnin para kësaj gjykate?! Ky shkrim vjen nxitur nga ajo se shiko se çfarë solli pra politika e mbrapshtë e politikanëve të Kosovës por edhe të atyre të Shqipërisë në lidhje me Gjykatën Speciale. Ky është një dështim politik, demokratik dhe shtetëror i paprecedentë në historinë botërore, ku të funksionojë një Gjykatë e tillë kaq diskriminuese për shqiptarët dhe që të cilën e pranuan dy shtetet shqiptare. Një gjë e tillë tregon se çfarë politike dhe politikanësh, se çfarë lloj kualiteti, profili dhe karakteri pa dinjitet, pa personalitet dhe çfarë injorance e paska qeverisur Kosovën në këto vite. Gjithë ai krim e gjenocid i pashembullt dhe i paparë që nga Lufta e Dytë Botërore ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët, dhe ndodh që të ngrihet e të funksionojë një Gjykatë e cila gjykon viktimën dhe jo kriminelin. Politika dhe politikanët shqiptarë u bie ndërmend për unitet vetëm kur zullumet dhe skandalet e papërgjegjshmëritë e tyre degradojnë e shkaktojnë fatkeqësi e trauma kombëtare. Ata kërkojnë unitet për të shpëtuar veten nga ndëshkimi për haramet, zullumet dhe fatkeqësitë që ata u shkaktojnë shqiptarëve, Shqipërisë e Kosovës. Politika shqiptare nuk ka pasur kurrë strategji dhe as vizion kombëtar. Dhe duke qenë e tillë ajo nuk ka realizuar standarde mirëqenie; as standarde sigurie pune, ekonomike dhe juridike dhe as objektiva kombëtarë dhe as politiko-strategjikë.

Edhe ato arritje që ka bërë Shqipëria e Kosova i kanë falë ndihmës së perëndimit, kryesisht të SHBA-ve.

Politika e Tiranës dhe ajo e Kosovës janë politika pa objektiv dhe pa strategji kombëtare, janë kuturu dhe sa për fasadë mashtrimi patriotik; janë politike grindavece, egoizmash, të pabesa, hipokrite dhe urrejtëse e përçarëse. Historikisht politikanët shqiptarë gjithmonë janë grindur mes vetes së tyre për interesa personale pushteti. Atyre gjithmonë u ka munguar dhe u mungon sinqeriteti mes vete, por edhe respekti, sinqeriteti dhe ndershmëria e përgjegjshmëria para shtetit, popullit dhe kombit të vet.

Në një linjë me politikanët janë edhe intelektualët dhe mediat shqiptare të cilët i bëjnë fresk gjithmonë kësaj lloj politike. Shqiptarët gjithmonë kanë pasur probleme, por problemet shqiptarëve u kanë ardhur nga politika dhe politikanët e tyre. Pra, politika dhe politikanët shqiptarë, ata janë problemi që vetëm sa prodhojnë po probleme, kriza, konflikte. Edhe atëherë kur duket se ata po zgjidhin ndonjë gjë të hajrit, politikanët shqiptarë janë dhe tregohen tepër dritëshkurtër dhe vizioni i tyre zgjat vetëm disa ditë. Kur shohin dështimin e madh, atëherë ata kujtohen për unitet, dhe madje edhe atëherë me hipokrizi dhe vetëm sa për mashtrim momental e kanë patriotizmin dhe dukjen si kombëtarë.

Vetëm pushtetin dhe interesin e vet familjar e klanor synojnë politikanët shqiptarë, ata synojnë vetëm pushtetin për të kapur shtetin , për ta vjedhur e grabitur atë, për të punësuar në administratën shtetërore të afërmit dhe familjarët e tyre: fëmijët, nipat, mbesat, xhaxhallarët, tezet , hallat, miqtë e krushqitë, kunetërit e kunatat. Duke qenë të tillë politika dhe pushteti në dy shtetet shqiptare, atyre nuk i bie ndërmend aspak për interesin kombëtar, as për atë të përgjithshëm, as për zhvillimin e progresin ekonomik e demokratik, as për mirëqenia publike dhe as integrimi në BE. Krimi, korrupsioni, pasurimi i paligjshëm dhe paraja janë trofetë e politikanëve të “mëdhenj” shqiptarë të cilat ua siguron politika dhe pushteti. Edhe kur flasin për patriotizëm atë e bëjnë sa për mashtrim dhe sa për të mbuluar tradhtitë e veta, akuzojnë dhe fajësojnë njëri-tjetrin kur në fakt janë njëlloj të papërgjegjshëm dhe antikombëtarë, janë të mbushur e të përlyer në afera korrupsioni, krimi, hajnie e tradhtie dhe duke qenë të tillë vjen edhe pyetja: se për çfarë uniteti flasin dhe që mund të arrijnë ata, përveçse “unitetin” për të mbrojtur zullumet, vjedhjet dhe poshtërsitë e veta.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".