Monstrumët e ulur si deputet në Kuvend po e shkatërrojnë të ardhmen tonë dhe të shtetit të Kosovës

Monstrumët e ulur si deputet në Kuvend po e shkatërrojnë të ardhmen tonë dhe të shtetit të Kosovës

Gani Qarri

  • 22 November 2020 - 09:04

Shkruan: Gani Qarri

Zhvillimet monstruoze të kësaj legjislature në Kuvend, sidomos këto të muajve të fundit, po vërtetojnë se të gjitha të këqijat që njëra pas tjetrës po i ndodhin shtetit të Kosovës, asnjëra nga to, nuk po i vijnë vendit aq shumë nga Serbia dhe partitë politike të minoritetit serb në Kuvend dhe Qeveri, sa po i vijnë nga vetë partitë e pa përgjegjshme politike të shumicës shqiptare, pozitë dhe opozitë, të cilat po dëshmojnë në vijimësi se nuk e kanë prioritet interesin e shtetit por interesat personale, grupore e klanore të lidhura ngushtë me krimin e organizuar me qëllim të uzurpimit dhe zhvatjes së buxhetit të shtetit dhe asgjë tjetër.

-Për plot 11 muaj të jetës parlamentare, dështimi po e arrin kulmin gjatë këtij viti. pothuajse asnjë vendim dhe ligj serioz për ta rregulluar mirëqenien qytetare, nuk ka kaluar dhe gjithçka është bllokuar për inate politike, derisa Kuvendi është shndërruar në arenë përplasjesh deri në fyerje të ulëta dhe kacafytje sporadike në mes të deputetëve. Për aq më tepër, këtë gjendje të rrezikshme të krijuar për vendin, nga inatet politike, më së miri e ka dëshmuar në reagimin e tij deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, i cili me plot të drejtë, i ka akuzuar të gjitha partitë politike, se nuk po punojnë drejt për vendin dhe me shumë të drejtë theksoi se ne si deputet e kemi sjell shtetin në këtë situatë, se nuk kanë faj pakicat, as Lista Serbe, dhe askush tjetër, por ne vet jemi duke e marrë në qafë Kosovën, të gjithë bashkë LDK-VV, PDK e Aleanca.

Ai tha se ne nuk jemi duke punuar drejt edhe mirë, qysh duhet të punohet në situata të caktuara për mbarëvajtjen e shtetit. Ishte ky një flakaresh serioz i një njeriu të guximshëm dhe real që jua përplasë kolegëve të tij të pa përgjegjshëm, edhe bashkë partiakëve në koalicion dhe partneritet qeverisës, edhe opozitarëve inatçor. Dhe në fund z. Rexhepi me arsye shton, se nëse e duam njëmend Kosovën, duhet ti mbledhim përfundimisht mendtë dhe të punojmë bashkë për çështje të mëdha shtetërore, pastaj bëni gara politike, kudo që të dëshironi. Kjo është një thirrje serioze e një zëri të vetmuar, por le të shpresoj se nuk do të shkon krejt mundi kotë, dikush do ta merr seriozisht atë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".