Të penalizohen të gjitha emërimet e kundërligjshme kriminale, politike e familjare nëpër institucionet e shtetit të Kosovës

Të penalizohen të gjitha emërimet e kundërligjshme kriminale, politike e familjare nëpër institucionet e shtetit të Kosovës

Hajrullah Tërnava

  • 27 November 2020 - 17:07

Shkruan: Hajrullah Tërnava

Kur e kemi një situatë të tillë të kriminalizuar në shtetin tonë, tani edhe ky rast i emërimit të Flakëron Shalës konsull në Pragë, nuk është gjë tjetër veç se rezultat i tygjarllëkut politik që u zhvillua me kalimin e deputetit Haxhi Shala nga NISMA në AAK, pas takimit që ky kishte pasur me Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn, mbas gjysmës së natës që këta dy e kanë vizituar z. Shalën në shtëpinë e tij, kur edhe i është kërkuar vota për Qeverinë Hoti, pas prishjes së koalicionit me LVV-në. Rastet e tilla nuk duhet të lejohen në të ardhmen, por nëse përsëriten skandalet e tilla, autorët e tyre duhet edhe të penalizohen.

-Situata kaotike në rrafshin e politikës së jashtme, në të cilën gjendet tani Kosova, po e dëshmojnë edhe këto raste të emërimeve të familjarëve të deputetëve dhe të të mëdhenjve të shtetit, që tani e llogaritin shtetin ekskluzivisht si pronë të tyre. Po e them këtë sepse krimi në institucionet e Kosovës është duke u jetësuar kryesisht nga të fortit e shtetit, sepse tani ata merren më së shumti me shkeljen e ligjit dhe të kushtetutës, dhe për pasojë janë bartës të krimeve për të cilat as organet e ndjekjes nuk po guxojnë të merren me ta.

Ky fenomen i kapjes së shtetit vjen për pasojë të kulturës së krijuar duke e zhvatë këtë shtet, kur këta të mëdhenjtë në krye të shtetit, që nga paslufta e deri më tani, këtë shtet e kanë bërë si pronë të tyre. Prandaj është e kuptueshme se pse po thellohet akoma më shumë degradimi i politikës së jashtme të Kosovës nga emërimet jo profesionale, nga kapja e grupeve të ngushta të interesit, familjarizim dhe nepotizmi, sikur që është edhe rasti i fundit i emërimit të Flakëron Shalës, djalit të deputetit të AAK-së, që më parë ishte shef i grupit parlamentar në NISMA, Haxhi Shalës që është emëruar konsull në Pragë në mënyrë tinëzare dhe me pazare të shtrenjta politike.

Sido qoftë është mirë që zbulimi i emërimit kontrabandë të djalit të deputetit Shala konsull në Pragë, ka zgjuar reagimet kundërshtuese në të gjitha partitë politike, përveç AAK dhe Nisma, reagim ky që rezultoi me vendimin e u.d.p Vjosa Osmani për anulimin e vendimit për këtë emërim sipas dekretit të kundërligjshëm të Hashim Thaçit. Me këto veprime të u. d. p Vjosa Osmanit po konfirmohet se sikur edhe të tjerët politikan të zgjedhur nëpër institucionet e shtetit të Kosovës , të ishin të një modeli dhe logjike politikë e veprimi institucional si Vjosa Osmani, tani Kosova nuk do ishte në këtë situatë kaq të pa shpresë për popullin e Kosovës, sepse deri sa nuk luftohet çdo e keqe barabartë, pavarësisht se kush e ka kryer në këtë shtet, qofshin të mëdhenjtë e shtetit apo qytetarët e rëndomtë, shpresa e qytetarit për të jetuar në Kosove nuk do të kthehet, sepse qytetarët janë lodhur me të bërat e tyre deri me tani.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".