Hoti me ekipin e tij i nënshtrohen presionit të BE-së për vizitat e zyrtarëve serb

Hoti me ekipin e tij i nënshtrohen presionit të BE-së për vizitat e zyrtarëve serb
Hoti me ekipin e tij i nënshtrohen presionit të BE-së për vizitat e zyrtarëve serb

Faik Krasniqi

  • 02 December 2020 - 18:48

Shkruan: Faik Krasniqi

Është edhe moto e BE-së "Së pari Serbia". Kjo flet shumë. Prandaj nuk pres asgjë të mirë nga ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian sa i përket bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një dekadë bisedime dhe asgjë e mirë për Kosovën. Serbisë i ka mbetur vetëm edhe një hap për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, kurse Kosova as që është në rend të ditës për t'ju liberalizuar vizat. Dhe jemi në prag të 2021! Mendoj që pa ndërmjetësimin e SHBA-së, Kosovës nuk i garantohet ndonjë e ardhme e sigurt.

Kjo qeveri ka disa "kryeministra". Çdo ministër i përgjigjet "kryeministrit" të vetë. Respektivisht kryetarit të partisë që e ka nominuar për ministër. Veprimet e ministrave që nuk janë të LDK-se, tregon qartë se Avdullah Hotin askush nuk e pyet, por veprojnë sipas urdhrave të shefave të tyre. Është dëshmuar në shumë raste. Zyrtarët serb kanë ardhur gjithmonë pa asnjë pengesë në Kosovë, me ose pa leje të qeverive të Kosovës. Mos dhënia e lejes së Vuçiqit për të ardhur në Kosovë, më shumë është lojë në mes të AAK-së dhe LDK-së, dhe jo që e kanë seriozisht. Një "kërcënim" nga ana e BE-se nëpërmjet Lajçakut, i bën që të dorëzohen. Nuk zgjatë shumë. Pas disa ditëve e lejojnë që të vijnë. Bashkimi Evropian dhe në veçanti Miroslav Lajçak, gjithmonë kanë qenë në anën e Serbisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".