Momenti për ta ngritur humanizmin dhe solidaritetin, shumë familje po përballen me skamje!

Momenti për ta ngritur humanizmin dhe solidaritetin, shumë familje po përballen me skamje!
Momenti për ta ngritur humanizmin dhe solidaritetin, shumë familje po përballen me skamje!

Ismail Muçiqi

  • 10 December 2020 - 09:35

Tek populli shqiptarë gjithmonë është ruajtur dhe kultivuar si vlerë nacionale, njerëzore dhe humane solidariteti dhe ndihma ndaj njeri tjetrit.

Kjo traditë fisnike u vërtetua sa here që shqiptarët kishin vështirësi për shkak të rrethanave të ndryshme politike, apo gjatë luftërave për ta mbrojtur atdheun dhe identitetin kombëtarë.

Humaniteti si rrjedhojë e traditës shekullore tek shqiptarët u sublimua  edhe me figurën historike të Nënës Terezë e cila morri dhe shpërblimin Nobel.

Ndjenja dhe përkushtimi si vyrtyt shpirtërorë u dëshmua edhe gjatë periudhave qe nga viti 1990 kur Serbia suprimojë autonominë e Kosovës dhe përmes masave të dhunshme largojë nga puna qindra mija shqiptarë.

Edhe në këtë periudhë shqiptarët treguan solidaritet shpirtëror dhe duke ndërtuar kauzë kombëtare "Familja ndihmon Familjen".

Projekti humanë nuk u ndal asnjëherë edhe nga vëllezërit dhe motrat qe jetuan në diasporë.

Kjo u vërtetua edhe me rastin e grumbullimit të “3 përqindëshit” dhe “Vendlindja thërret” si dhe fondit për ta ndihmuar luftën e UQK-së.

Mjerisht  edhe pas 21 vite në liri dhe pavarësi shumë familje kosovare ende po përballen me vështirësi ekonomike për shkak të papunësisë dhe rrethanave tjera të padrejta të cilat u krijuan nga qeveritë në pushtet të cilat përmes politikave për mirëqenie sociale i anashkaluan shumë familje për tu ndihmuar në zgjedhjen e problemit të banimit, apo të punësimit. Këto familje vazhdimisht po bëjnë përpjekje sistematike për ta siguruar kafshatën e bukës.

Këtë kategori të familjeve të varfura i goditi edhe më shumë dhe pamëshirë Epidemia e Koronavirusit e cila përpos që po i shkakton dëme ekonomisë në përgjithësi, kjo po i varfëron gjithnjë edhe shumë familje të cilat jetojnë me kushte shumë të vështira ekonomike dhe sociale.

Duhet theksuar se Shoqata Humanitare “HUMANIKOS” e cila vepron  në Prishtinë gjatë periudhës së Pandemisë përpos projekteve të cilat i ka në prioritet për familjet e varfura dhe personat me nevojë ka shpërnda 10 mijë kilogramë miell dhe artikujt të nevojshëm ushqimorë.

Për zhvillimin e këtij aktiviteti humanitar për Shoqatën Humanitare “HUMANIKOS” e kanë përkrahur dhe ndihmuar përmes donacioneve me artikuj ushqimorë nga: NLB Banka, Herta Komerc, Dauti Komerc, Ndërmarrja Ndërtimore Labi Com, Binni, Install Inzhinjering, Kontell si dhe Ndërmarrja Ndërtimore Inxhinjeringu.

Është interesant të theksohet se gjatë aktivitetit për tu ndihmuar familjet e varfura, është vërejtur edhe një fenomen i cili pasqyron gjendjen psikike të një numri të qytetareve të cilët për shkaqe të ndryshme ekonomike, familjare dhe shëndetësore janë të atakuar edhe nga problemet psikike të cilat po manifestohen me patologji të ndryshme.

Kjo kategori mjerisht është lënë jashtë përkujdesjes të institucioneve përkatëse shëndetësore të cilat kanë obligim  ligjorë për trajtimin e barabartë të gjithë qytetarëve të Republikës të Kosovës. Këta persona me probleme psikike po shkaktojnë probleme nepër familjet e tyre duke përdorur edhe dhunën ndaj prindërve. Kjo tregon dështimin e politikave të qeverive të shkuara të cilat sistemin e shëndetësis e kanë lënë anash duke mos përkrahur zhvillimin të kapaciteteve të burimeve njerëzore nga profesioni i kuadrave dhe ekspertëve të mjekësis si dhe mungesa e kapaciteteve dhe infrastrukturës spitalore për strehimin dhe trajtimin e kësaj kategorie me probleme psikike.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet përkatëse të shëndetësisë në këto momente të zgjerimit të Pandemisë patjetër kanë obligim  të hartojnë planin strategjikë në mbikëqyrjen dhe trajtimin e kësaj pjese të popullatës e cila është lënë pas dore dhe e cila po përballet me një vargë sfidash ekonomike apo shëndetësore.

Në fund koha kërkon vetëdije dhe ndërgjegjje në drejtim të rritjes së solidaritetit dhe humanitetit të njerzëve. Vetëm kështu jeta ka kuptimë...

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".