Ndryshimi nuk vjen nga përbindëshat politik!

Ndryshimi nuk vjen nga përbindëshat politik!
Ndryshimi nuk vjen nga përbindëshat politik!

Florim Zeqa

  • 17 December 2020 - 09:40

Shkruan:Florim Zeqa

Analiza është sikurse puna e drejtësisë, sikurse gjykatësi i mirë që e ndanë në mënyrë të paanshme drejtësinë, ashtu edhe analisti i mirë e interpreton drejt situatën politike pa anime partiake.

Megjithatë, disa analist dhe gazetarë të mirë, nga dëshira që të mos i sakrifikojnë ambiciet e tyre personale për të shkëputur diçka nga pushtetet e qelbura, po mbajnë anë gjatë vlerësimit të situatave politike, duke mos e thënë të vërtetën ashtu siq është, por të kamufluar dhe megalomane në shërbim të figurave të caktuara politike.

Rrushi e sheh rrushin e piqet, duke i parë politikanët lakmitar të pasurohen në mënyrë të paligjshëm, edhe politikanët e ndershëm po digjen shpejtë nën flakët e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Hip njani, zbrit tjetri, më i zi i riu se i vjetri.

Prandaj pa largimin total të kësaj klase politike, pushtet dhe opozitë nga skena politike dhe pa depolitizimin e institucioneve të pavarura, filluar nga sistemi i drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, etj, do të jetë iluzive të flitet për ndryshime pozitive, e aq më pak të ndërpritet zbrazja e Kosovës nga të rinjët dhe truri i saj.

Si pasojë e keq-qeverisjes 12 vjeçare të kësaj klase politike dhe mungesës së një opozite konstruktive dhe atdhedashëse, shteti i Kosovës është plagosur rëndë nga dukuritë e shumta negative; nga krimi i organizuar, korrupsioni dhe  nepotizmi (punësimet familjare).

Nga zgjedhjet e parakohshme që i kemi shumë afër, qytetarët e vendit e kanë mundësinë e madhe të ndëshkimit të kësaj klase politike në pushtet dhe opozitë me bojkotim total të zgjedhjeve, si e vetmja mundësi për delegjitimimin e klasës së dështuar politike, përkatësisht të gjitha partive politike, të cilat, më për asgjë nuk dallojnë nga njëra-tjetra.

Liderët matrapaz dhe mashtrues të partive politike vetëm po luajnë bixhoz me fatin e vendit dhe jetën e qytetarëve të varfër dhe të pashpresë të këtij vendi, të cilët po i përdorim vetëm si objekt i përfitimit të votave.

Përderisa  liberazimi i vizave është në dorën e byrokratëve perëndimorë, përmirësimi i jetës së qytetarëve ishte në dorën e këtyre kusarëve politikë,  përveq mungesës së mirëqenjes, milionerët politikë për 21 vjet në liri dhe afro 13 vjet si shtet i pavarur jo vetëm që nuk arritën të krijojnë mirëqenje qytetare, nuk arritën të krijonë as sigurime shëndetësore për qytetarët e vendit, nuk arritën të krijojnë shëndetësi minimale.

Kusarët dhe përbindëshat e politikës kosovare, e bëjnë lojën e djallit në Parlament, të cilët para syve të opinionit shahen dhe perlahen me njëri-tjetrin, por në prapaskenë janë bashkë, ngrënë e pinë bashkë, tenderët i ndajnë bashkë, bizneset i kanë të përbashkëta, derisa edhe ekskursionet dhe vizitat jashtë vendit i bëjnë bashkë, kinse si "institucionalistë", për t'i hedhur pluhur syve mërgatës sonë.

Politikanët që ndajnë dhe përçajnë qytetarët duke u thirrur në parime dhe premtime megalomane, të cilët nuk kanë dhënë gjë kurrë nga vetja e tyre për shtetin janë djalli vetë. Duke u thirrur në "ç'kapjen e shtetit" si metaforë dhe mashtrim për qytetarët i kanë punësuar të gjithë familjarët e vet nëpër institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike, nëpër institucione të pavarura dhe publike të shtetit, duke u shndërruar kështu në kapësit dhe uzurpatorët më elegant të shtetit.

Këta që çirren e thirren në "ndryshime", nuk është se e duan ndryshimin, por vazhdimësinë, për arsye se pasuritë milionëshe i kanë të krijuara bashkarisht me bosët e korruspionit dhe janë të lidhur me kompanitë dhe korporatat më të inkriminuara në vend, me nëntokat kriminale dhe biznest e pista anë e kënd vendit, por qëllimin e kanë të vijnë në pushtet për ta marrë yndyrën, ndërsa hirren t'ua lënë të tjerëve. Kjo është logjika e ndryshimit e këtyre kusarëve politik që premtojnë shumë e nuk bëjnë asgjë për qytetarët.

Pa përgjegjësi nuk është as bashkësia ndërkombëtare, e cila me prezencën e  madhe politike dhe ushtarake në Kosovë, duke i përkdhelur politikanët e korruptuar, i ka lënë në harresë qytetarët e varfër dhe të nëpërkëmbur, të izoluar dhe pa liberalizim vizash, duke i shfrytëzuar vetëm si fuqi punëtore (me viza) për shtetet e tyre.

Bashkësia ndërkombëtare i instaluar në Kosovë, me prezencën e madhe fizike dhe ndikimin e fuqishëm mbi liderët partiakë dhe shtetëror, në bashkëpunim me klasën e korruptuar politike vendore, pozitë dhe opozitë janë kthyer edhe ata në shtypës dhe sundimtar të një populli të varfër.

Nuk ka si të jetë ndryshe, kur secili nga vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian dhe SHBA-të, sikur ta kishin vullnetin e mirë, brenda një kohe relativisht të shkurtër (më pak se pesë vjeçare), me resurset mbitokësore dhe pasuritë nëntokësore që ka vendi ynë, do ta kthenin Kosovën në vendin më të zhvilluar në rajon, ku përveq qytetarëve të vendit, edhe mërgimtarët që moti do ta shijonin mirëqenjen në atdheun e tyre.

Pa dënimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme të politikanëve të korruptuar nuk do të çlirohet shteti nga uzurpatorët dhe as që do të pasurohet arka e shtetit, por vetëm xhepat e matrapazëve politikë, që ndërrojnë parti dhe ideologji, bëhen herë të djathtë e herë të majtë për interesa personale dhe klanore.

Këta përbindësha politik duhet larguar të gjithë e jo pjesërisht nga skena politike. Nuk duhet trajtuar me ngjyra partiake, por si një e keqe e përbashkët e këtij vendi. Largimi nga skena e kësaj klase të qelbur politike, do t'i hapte shumë rrugë dhe përspektiva të reja zhvillimore vendit tonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".