Në përkujtim të 22 vjetorit të betejës së UÇK-së, të Llapashticës!

Në përkujtim të 22 vjetorit të betejës së UÇK-së, të Llapashticës!
Në përkujtim të 22 vjetorit të betejës së UÇK-së, të Llapashticës!

Ismail Muçiqi

  • 25 dhjetor 2020 - 09:31

Kjo datë historike nuk do të harrohet asnjëherë kur forcat serbe me arsenalin më të rëndë të armatimit, ju vërsulën Llapashticës heroike, duke granatuar me altireri të rendë.

Në  betejën e Llapshticës dhe në betejat tjera të kësaj ane ranë 16 dëshmorë emrat e të cilëve janë të skalitur në Përmendorën madhështore në Tabet e Llapashticës e të cilët janë: Isë Havolli, Bajrush Murati, Murat Murati, Rifat Haliti, Avni Selmani, Fatmir Selmani, Rushit Selmani, Bedri Ahmeti, Ismet Dërguti, Lulzim Jashari, Remzi Demolli, Miftar Zejnullahu, Skender Zejnullahu, Jetullah Krasniqi, Driton Azemi dhe Isak Lutolli.

Jemi dëshmitarë të gjallë të ati viti kur forcat e ushtrisë serbe bashkë me policinë dhe grupet paramilitare, kishin hyrë në disa pjesë të rajonit të Llapit, dhe kohë pas kohe maltretonin qytetarët civil të cilët ishin në rrethim klasik dhe jeta e tyre rrezikohej në çdo moment.

Beteja e Llapashticës do të mbahet gjatë në kujtesë ku banorët e Llapashticës ishin mobilizuar i madh e i vogël për ti dal në ballë armikut duke e pamundësuar plotë 3 muaj që forcat serbe mos të depërtojnë në këtë bashkësi lokale. Duhet të kujtojmë dhe përgëzojmë dhe njëherit ti falënderojmë edhe femrat e këtij fshati, vajza dhe gra të cilat në ditët më të vështira e ndihmuan UÇK-në, duke gatuar ditë dhe natë për ti ushqyer ushtarët të cilët qëndronin në vijat e para e frontit nga Burica, Gllamniku, Llapashtica e Poshtme, Obranqa dhe Bradashi. Llapashtica ishte vendi i rezistencës në të cilin vend u vendosë edhe shtabi operativ i zonës së llapit, deri në fund të mbarimit të luftës. Duhet theksuar se në këtë fshat qëndruan dhe vepruan shumë figura udhëheqëse të luftës së UÇK-së, të cilët më vonë morën gradat e gjeneralëve dhe u avancuan neper institucionet e ndryshme të shtetit të Kosovës.Mjerisht këto figura shpejt e harruan mikëpritjen dhe bukën e Llapashticës.

Llapashtica më vonë u bë shkrumb dhe hi nga ushtria dhe policia serbe e cila nuk la asnjë objekt banimi pa e rrënuar për toke.

Mjerisht një numër i të rinjve banorë të Llapashticës, të cilët me kilometra të tërë hapën istikame me mjetet e dorës me lopata, me shatnoj dhe mjete tjera klasike për ti ndihmuar UÇK-së që të vendosët në pozicione më të sigurta mbrojtëse, paslufte këta të ri jo që nuk fituan statusin e veteranit për të siguruar një pagë simbolike, por këta u margjinalizuan dhe nuk morën as statusin pjesëmarrës në UÇK.

Beteja e Llapashticës e cila mori jehonë gjithandej Kosovës dhe më larg, paslufte filloj të harrohet nga disa eprorë të cilët ishin bartës të organizmit dhe zhvillimit të luftës. Llapashtica paslufte mbeti e plagosur nga toka e djegur e forcave serbe dhe po mos të ishte Shoqata Humanitare Gjermane KAPANAMUR në krye me Rupert Neudeck, me të cilin unë kisha raporte miqësore dhe bashkëpunimi , qytetarët mbetën në mëshirën e Zotit, por falë këtij burri dhe humanisti me përmasa botërore, unë ia afrova projektin dhe elaboratin për dëmet e luftës në këtë fshatë dhe ai me mirëkuptimin më të mirë mori vendim dhe i ndërtoj 300 shtëpi të shkatërruara. Për çka e falënderojmë përjetësisht atë njeri të madh.

Në fund  kur po e përkujtojmë 22 vjetorin e Betejës së Llapashticës, me krenarin më të madhe mundë të themi se Llapashtica gjithmonë gjatë periudhave historike lindi djem dhe burra trima të cilët i dolën krah popullit dhe atdheut.

Në fund  lavdi të gjithë atyre që u flijuan dhe e dhanë jetën për lirin e këtij vendi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".