Shpërthen ashpër mërgimtari: Liria e ka emrin edhe DIASPORË, mos na shani ju uzurpator të lirisë e shërbëtor të krimit të organizuar

Shpërthen ashpër mërgimtari: Liria e ka emrin edhe DIASPORË, mos na shani ju uzurpator të lirisë e shërbëtor të krimit të organizuar
Shpërthen ashpër mërgimtari: Liria e ka emrin edhe DIASPORË, mos na shani ju uzurpator të lirisë e shërbëtor të krimit të organizuar

Dr. Hysni Aliu

  • 26 December 2020 - 11:27

Shkruan: Dr. Hysni Ali

Debati i nxitur për diasporën, pikërisht tani, në prag të zgjedhjeve të lira, ku pritet që VV dhe znj. Vjosa Osmani ti fitojnë zgjedhjet bindshëm, duke i larguar nga pushteti robëruesit 20 vjeçar, së bashku me skllevërit e tyre nëpër disa media,  nuk mundë të jetë i rastësishëm. Mërgata shqiptare këtu në Finlandë, sipas të gjitha hulumtimeve që ka bërë shteti Finlandez, është mërgata më e integruar, në punën dhe jetën institucionale. Mërgata shqiptare, është më e pëlqyera prej të gjithave së bashku me atë Kurde, pikërisht duke ju falënderuar sjelljes së mirë, punësimit dhe integrimit në shoqërinë Finlandeze.

Kjo është edhe arsyeja që Finlanda, ka marr shqiptarë të Kosovës nëpërmes vizave të punës, sepse këtu respektohet përkushtimi i shqiptarëve për punën dhe detyrat që i ngarkohen, për respektimin e ligjit dhe rendit. 

Natyrisht, që kemi shumë për të bërë, pore jemi shumë më mirë se që kemi qenë. Fëmijët tanë, nuk janë më vetëm punëtorë krahu, por janë ata që janë  krah të  niveleve më të larta të shoqërisë Finlandeze, deri në nivelet e mësimdhënësve në universitete. E njëjta gjë eshte edhe në shtetet tjera ku jetojnë shqiptarët, tanimë shqiptarët nuk janë sharrëxhinj siç do  të donte Serbia e këta skllevërit e saj, por kemi profesorë, doktor shkence, inxhinier,  ekonomist, deputet e deri në nivelin e OKB-se, ku gjendet vajza e Ismail Kadaresë. Pra, ne kemi një shtet të tërë jashtë trojeve tona etnike. 

Mërgata, gjithmonë për ne shqiptarët si komb, ka qenë një qelizë, prej ku ka filluar zhvillimi i frytit të kombit shqiptarë, së bashku me atdhedashësit në trojet tona.  Shumë figura, prej më të ndriturave  në historinë tonë, u shkolluan dhe u edukuan jashtë atdheut.

Mërgata jonë nëpër botë, ishte determinuese  në procesin e pavarësimit të Shqipërisë dhe njohjen e saj ndërkombëtare, pore edhe në procesin e pavarësimit të Kosovës.  Si rrjedhojë, mërgata shqiptare, ka qenë halë në sy për armiqtë e kombit shqiptarë. 

Në vend që këta skllevërit e pushtetit, ti gëzohen faktit që mërgata, po i ndihmon për tu çliruar nga të qenit skllav, këta punojnë natë e ditë që ta thellojnë skllavërinë në të cilën jetojnë. 

Në vend që të hapin tema, në lidhje me arsimin në Kosovë që është në nivelin më të ulët në Evropë dhe botë, këta skllevër hapin tema për diasporën. Në vend që të flasin, për korrupsionin megaloman, për kriminalitetin, për mungesën e sundimit të ligjit, për shtetin e kapur, për papunësinë, për shëndetësinë e mjerueshme, për varfërinë ekstreme, për dhunën në familje, për abuzimet e punëtorëve, për veteranët e rrejshëm, për njollosjen e luftës së shenjtë të UÇK -së, për presidentin që ju burgos e për shumë të tjerë ish funksionarë të lartë që do të burgosen nga Gjykata Speciale, për vënien në pikëpyetje të shtetit ku jetojnë nëpërmes këtyre proceseve, në vend që të flasin për analfabetizmin e shtuar në shekullin e 21,  për diplomat universitare të blera me para e për publikime shkencore të falsifikuara, për kapjen e Akademisë së Shkencave, për shumë media të skllavëruara, për radikalizmin e për përdorimin e shtuar të lëndëve narkotike nga të rinjtë, për abuzimet seksuale me të mitura, për mungesën e perspektivës për të rinjtë dhe të rejat, për trurin që po largohet nga Kosova, për mjekët e infermierët që po i lënë vendet e punës zbrazët duke shkuar në perëndim për një jetë më të mirë, për shoqërinë ku pozita e femrës është në një gjendje të mjerueshme, për fëmijët që vazhdimisht i ekspozohen dhunës fizike dhe psikologjike, për trajtimin e pasojave psikologjike që i ka lënë lufta, për traumat e luftës, për shëndetin mendor, për shëndetin e të rinjve, për shëndetin e dhëmbëve, për shëndetin e të porsalindurve, të nënave që lindin fëmiu, për nënat shtatzëna, për shëndetin e të moshuarve, për vdekjet e dyshimta nëpër spitale, për pagat 150-200 euro në muaj në sektorin privat, për mungesën e sigurimeve për punëtor e deri tek mungesa e sigurimeve për shtresën e të rrezikuarve  siç janë policia e Kosovës, për ushtrinë e Kosovës dhe buxhetin e saj, për pensionistët, për bujqit e për ndërtimtarët, për rininë që po humbet e po tretet në perëndim, ende pa e krijuar një personalitet që i jep siguri për jetë të pa varur, për vdekshmërinë që po shtohet, dhe lindshmërinë që po zvogëlohet, për parat e buxhetit që zhduken sa qelë e mbyllë sytë, për tenderët dhe për harraqin 10 %, për vdekjet në komunikacion, për lejet e vozitjes që shiten me para. Këta skllevër të mjerë merren me dukuri e individ nga diaspora, me të rinjtë që për herë të parë e shijuan jetën pasi që mërguan nga vendlindja, duke mos harruar asnjëherë rrënjët prej nga vijnë. 

Po, në mërgatë ka gjithçka, dhe do të ishim budallenjë nëse nuk do dinim ti identifikojmë dobësitë tona,  si brenda ashtu edhe jashtë trojeve shqiptare, pore, është e rëndësishme që së pari të gjendet pikënisja e këtyre devijimeve, e pikënisja është vendi amë, pra vendlindja ose e tyre ose e prindërve të tyre. Natyrisht që, kur Kosova ofron arsimim që dallon si nata me ditë me arsimimin perëndimorë, ajo ndikon edhe tek niveli edukativ i njerëzve, dhe te niveli edukativ edhe i gjeneratës tjetër që pason. 

Neve po na emigrojnë të rinjtë ende pa i mbushur 18 vite, ende pa e krijuar identitetin e tyre kulturore, arsimore, profesional dhe familjare. Si rrjedhoje ata munden edhe më lehtë të devijojnë kur përballen me sfidën e mbijetesës në perëndim, pore kjo është një temë më e gjërë, andaj po e lë me kaq, duke ju bërë  me dije këtyre skllevërve që kanë shitë gjithçka nga vetvetja, që ndryshimi nuk mund të bëhet as në diasporë as në Kosovë me dhunë e as me etiketime të ndryshme antinjerëzore, pore duke punuar në ngritjen e institucioneve të shtetit, kur arsimimi dhe edukimi e shëndeti do ishin prioritet. Mërgata, ishte ajo, që e mbajti gjallë ëndrrën për liri të popullit të Kosovës gjatë viteve 1989-1999.

Mërgata e rimëkëmbi Shqipërinë pas 40 viteve diktature. Mërgata e mbajti gjallë luftën e UÇK -së, e mbajti gjallë, edhe rezistencën paqësore të udhëhequr nga Presidenti Rugova. Mërgata, e mbajti gjalle mbijetesën e një populli të tërë, atëherë kur nga Millosheviqi u shuan të gjitha institucionet dhe të gjithë ata që nuk ishin lojal ndaj Serbisë u përjashtuan nga puna. Po, mërgata, e ringjalli Kosovën e djegur të tërën gjatë viteve 1998-1999, duke mos lënë shtëpi të pa riparuar. Mërgata, ringjalli ekonominë e rrezuar përtokë pas luftës së Kosovës. 

Paraja e mërgatës, i shpëtoj me qindra e mijëra jeta  të familjarëve të vetë, duke marrë pjesë në aksione humanitare, për shërim jashtë vendit nga kanceri, sepse vendlindja e vet nuk i ofronte atë. Mërgata i shëroj me djersën e vetë me qindra e mijëra të sëmurë kronik, duke ju bërë pagesa me dhjetëra mijëra euro, në spitalet private në Kosovë , Maqedoni, e Shqipëri, e së fundmi madje edhe në Beograd, sepse shteti  ku jetojnë nuk ju ofron mundësinë e trajtimit të dinjitetshëm për sëmundje të rënda. Po, mërgata shqiptare, ndanë paranë e bukës së gojës, duke mos ju ofruar familjes së ngushtë atë që mundet të i ofronte, vetëm e vetëm për ti përkrahur familjarët e vetë ( nënën, babin , motrën e vëllain,  agjën e dajën, rastet sociale, të sëmurët e tjerë), sepse shteti në të cilin jetojnë nuk ua ofron as minimumin e asaj që ju nevojitet dhe që meritojnë,  edhe pse kaluan 20 vite nga çlirimi. 

Po, mërgimtaret, çdo vit, kanë qenë buxheti i dytë për Kosovën, pra, 2 miliardë euro çdo vit janë investuar nga mërgimtarët, atje ku i lindi nëna dhe atje ku panë ëndrrat e para si fëmijë. Po, mërgimtarët, edhe pse të mbyllur nga pandemia Covid 19, dërguan këtë vit afër 1 miliardë euro familjarëve të vetë që mbetën tërësisht në mëshirën e fatit, sepse udhëheqësit e tyre luftonin njëri tjetrin për pushtet , në mënyrë  që ti mbajnë milionat e vjedhur nga buxheti i po ktij shteti. 

Po mërgimtarët, duhet të kujdesen edhe që të afërmit e tyre të kenë para për të blerë barnat e infuzionet për tu trajtuar nga Covid. Po, mërgimtarët, kujdesen, edhe për ata që shteti i harron tërësisht, duke i lënë pa kulme mbi kokë. Me paranë e mërgimtarëve po shërohen plagët e mijëra nënave e baballarëve e mijëra fëmijëve duke ua siguruar kulmin mbi kokë, ose nëpërmes Halil Kastratit ose Elvis Naqit, apo direkt me iniciativa vetanake. Po, mërgimtarët, nuk i lejuan ushtarët e UQK-së,  që të vuajnë, vetëm sepse nuk ju bashkuan këtyre që janë në pushtet. 

Po, mërgimtarët, nuk lejuan që vajzat, motrat dhe nënat e tyre të bëhen viktima të abuzimit seksual, vetëm e vetëm, për ta siguruar ose mbajtur një vend pune. Po, mërgimtarët, i mbajnë nga dy apo tri familje tjera, përveç të vetes, si rrjedhojë, nuk kanë para të paguajnë për jetën luksoze nëpër hotele, e as për jetën mbretërore që do ta jetonin sikur të kujdeseshin vetëm për vetveten. Mërgimtarët, nuk ishin të këqij, kur përkrahen LDK-në,  PDK-në, NISMA-n, AKR-në ose AAK-në, pore janë të këqij vetëm tani, sepse po duan ta bëjnë ndryshimin, në mëmëdheun  e tyre duke përkrahur Z.  Albin Kurtin e znj. Vjosa Osmanin. 

Po, mërgimtarët, janë të këqij për juve pushtetar dhe skllevër të pushtetarëve,  sepse, nuk po e shesin votën e vetë me para, sepse nuk po e shesin dinjitetin e tyre moral, njerëzore, kombëtar e intelektual, sepse nuk po duan ti përkrahin udhëheqësit tanë që lëvizin poshtë e lartë së bashku me eskortat e tyre të sexit, duke shfrytëzuar paranë e popullit, janë të këqij sepse, nuk po i përkrahin të korruptuarit, dhe ata që janë pjesë e nëntokës së Ballkanit, po janë të këqij sipas jush, sepse nuk e përkrahin, shkrirjen e shtetit të Kosovës, pikërisht nga ata që pritej të bëjnë më së shumti për këtë shtet.

Po, mërgata, është e keqe sipas jush, sepse nuk mundë të shantazhohet me humbje të vendit të punës, nëse nuk e jep votën pro robërisë, nuk mund të shantazhohet as me  shërbime seksi  e as me shërbime në Motelet që i keni mbush përplot me viktima të dhunës seksuale, ku edhe shpesh po përfundoni me fatalitet.

 Po, mërgata është e keqe sipas jush, sepse është e lirë ta thotë mendimin e vet kundër,  pa ju dridh qerpiku për pasojat. Është e keqe sipas jush, sepse po ua dridh dheun  ndër  këmbë  juve së bashku me skllevërit e juaj, ashtu siç nëpër dekada ja dridhi dheun ndër këmbë çdo robëruesi që kaloi nëpër këto troje. Po, mërgata, është e keqe sipas jush, sepse po i shfrytëzoj kapacitetet e saj intelektuale, për ta shembur robërinë në mëmëdheun e saj, dhe për ta bërë vendin e vetë të barasvlershëm, me vendet  në të cilat  jetojnë, dhe një shtet ose shtete shqiptare, me të cilat do të krenohemi. Ne duam,  që  me kokë lart të themi jemi shqiptar nga Kosova, tani është e vështirë ta bëjmë këtë, sepse ata që na kanë udhëhequr deri më tani na kanë njollosur e përdhosur edhe si shtet edhe si komb. 

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".