Qeveria e re e Kosovës pas zgjedhjeve, me një qasje të re në vazhdimin e dialogut me Serbinë

Qeveria e re e Kosovës  pas zgjedhjeve, me  një qasje të re në vazhdimin e  dialogut  me Serbinë

Gani Qarri

  • 28 December 2020 - 07:04

Shkruan: Gani Qarri

Me mirëkuptimin dhe në bashkëpunim të ngushtë me ndërmjetësuesen e re të bisedimeve, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga SHBA, e cila urojmë të jetë Madeline Albright, do të ishte mirë, që të rishikohet e mundësisht edhe të rishqyrtohet, sidomos pika e "dakordimit" për Ujmanin, si dhe pjesë të tjera nga përmbajtja e ish marrëveshjes së parimeve të nënshkruara nën patronatin e ish Presidentit Amerikan Donald Trump, që edhe atëherë, nga shumë njohës të rrethanave politike u cilësua si përpjekje për përfitime elektorale të Donald Trumpit, e cila pas heqjes me pajtimin e vet butakut Avdullah Hoti të pikës kryesore të marrëveshjes, për njohjen reciproke, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të vetmen të mirë që i solli Kosovës, ishte vetëm njohja që ju bë shtetit të Kosovës nga ana e Izraelit.

Siç u vërtetua tanimë publikisht edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, katapultimi klandestin i Avdullah Hotit në krye të qeverisë dhe pushtetit vendor, ishte plotësisht i kundërligjshëm dhe antikushtetues, ndaj ashtu siç erdhi me votë të kundërligjshme edhe u rrëzua për shkak të konfirmimit të pavlefshmërisë së po asaj vote dhe për pasojë, u mor vendimi për zgjedhje të reja e të jashtëzakonshme në vend. Ndaj, pas shkarkimit të Qeverisë së jashtëligjshme të Avdullah Hotit e cila në pushtet u ngrit, me manipulimet kundërligjore të Isa Mustafës e Hashim Thaçit, si dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, medoemos duhet pritur formimi i qeverisë së re, rishikuar dialogu plot lëshime i deritanishëm me Serbinë dhe të bëhet rikthimi i tij në pikën zero, sa për arsye të mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Kosovë, edhe më tepër për shkak të humbjes së legjitimitetit përfaqësues dhe vendimmarrës me peshë ndërkombëtare të Qeverisë kundërligjore të Hotit.

aq më tepër, dialogu me Serbinë duhet të kthehet në pikën zero edhe për vet faktin se pas mbajtjes së zgjedhjeve të reja, në skenën vendore pritet të vije një Qeveri dhe udhëheqje krejt tjetër politike, pa kalkulime partiake dhe e legjitimuar me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës, e cila do të plotësojë kushtetutshmërinë institucionale për udhëheqjen e vendit dhe përgjegjësitë shtetërore për zhvillimin e procesit legjitim të Dialogut me Serbinë. Madje Qeveria e re, e ka për detyrë, që ti shfuqizojë të gjitha marrëveshjet e deritanishme antishtetërore dhe kundër kushtetuese të nënshkruara nga kuislingu Hashim Thaçi dhe jugonostalgjiku sllavokomunist Isa Mustafa ta nxjerr vendimin ligjor për vënien e tyre para drejtësisë për shkeljen e Kushtetutës së vendit, rrezikimin e rregullimit të brendshëm shtetëror dhe tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës si dhe veprimet e tjera kundërligjore të tyre, gjatë gjithë periudhës sa ata ishin në politikë dhe pushtetin vendor. Ndërsa në negociatat e mëtejme me Serbinë, Kosova detyrimisht duhet të shkojë vetëm me një platformë të mirë përgatitur shtetërore, që nuk shkel Kushtetutën e vendit, nuk negociohet për tërësinë territoriale, nuk rrezikohet konstitucioni brendshëm shtetëror dhe nuk bisedohet për shkëmbim territori as ndryshim të kufijve të Republikës së Kosovës, negociata që do të përfundonin, vetëm me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përndryshe nuk kuptim as arsye se pse duhet të vazhdohet një dialg i tillë shterp dhe i pa efekt me një shtet ish okupator e shovinist si Serbia.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".