Zgjedhjet e 14 shkurtit, shpresë për një qeveri të shpëtimit të vendit nga thellimi i krizës politike dhe ekonomike

Zgjedhjet e 14 shkurtit, shpresë për një qeveri të shpëtimit të vendit nga thellimi i krizës politike dhe ekonomike
Zgjedhjet e 14 shkurtit, shpresë për një qeveri të shpëtimit të vendit nga thellimi i krizës politike dhe ekonomike

Ali Hertica

  • 10 January 2021 - 15:48

Shkruan: Ali Hertica

Kosovës në këtë periudhë nëpër të cilën po kalon politika globale i nevojiten institucione të qëndrueshme, me udhëheqës kredibil dhe me legjitimitet të plotë qytetar, sepse këtë e kërkojnë edhe rrjedhat e rrugëtimit të vonuar në integrimet evropiane, sepse më së paku ne si pjesë e lënë pas në Evropë e kemi luksin ta vazhdojmë amullinë e krijuar ndër vitet e kaluar, sidomos tani më kur shkalla e zhvillimit ekonomik është në zbritje, kur kemi rritje rapide të papunësisë për shkak të pandemisë. Është momenti kritik që me masa të veprimit të shpejtë të rimëkëmbjes ekonomike ta shmangim krizën serioze që po e kërcënon vendin deshëm apo nuk deshëm të pranojmë këtë realitet.

Republika e Kosovës, në shkurt po hynë edhe në një cikël të ri të parakohshëm të procesit zgjedhor, duke u ballafaquar edhe me kushtet serioze të rrezikut të pandemisë në shkallë vendi.

Këto zgjedhje po vijnë si imponim të situatës së krizës në funksionimin e institucioneve të shtetit, dhe përpjekje në kërkim të daljes nga kjo krizë, pasi parlamenti tani më është shpërndarë, Kurse Qeveria, institucioni i ekzekutivit po funksionon në mënyrë të kufizuar, sikurse edhe presidenca që është në situatë të njëjtë krize me ushtrues detyre. Shikuar nga këto këndvështrime e gjithë beteja politika gradualisht po zhvillohet në një pikë, ndërtimin e institucioneve të reja në pako. Ballafaqimi me realitetin nuk do të jetë aspak i lehtë për këtë lidershipi i cili është përgjegjës për krijimin e kësaj krize, e tash vendi po hyn në këtë proces zgjedhor pikërisht duke u ndikuar nga kriza politike dhe ajo ekonomike, pavarësisht pandemisë, e cila nuk po sfidon akoma, nuk shënon zbritje të të prekurve në masën e dëshirueshme, përkundër masave që po ndërmerren sipas modelit të standardeve që po aplikojnë shtete tjera.

Zgjedhjet e këtij viti, këto për nivelin qendror janë test serioz për qytetarin e zhgënjyer nga këta që e qeverisën deri sot. Për qytetarët nuk është kriza politike aq e rëndësishme sa ajo ekonomike, prandaj partitë politike duhet ti japin prioritet programor gjetjes së formulës më të mirë të zhvillimit ekonomik. Po e them këtë sepse procesi zgjedhor po ndodhë në një kohë kur qytetarët janë varfëruar, kur pandemia ka ndikuar edhe në shëndetin mental të qytetarëve, ka ndikuar edhe në arsim , shëndetësi, por edhe në ofrimin jo adekuat të shërbimeve publike.

Qytetarët janë para një provimi të madh historik, duhet të jenë më të kthjellët se kurrë më parë nga nevojat e tyre për punë, kushte të punës dhe sundim të ligjit, sepse tek e fundit secili qytetarë për prioritet e ka planifikimin për mbijetesë, sa ka hapësirë dhe kushte pune dhe sa para kanë deri në fund të muajit në llogarit e tyre personale.

Për ta kthyer shpresën e humbur të qytetarëve për vitet që po mbeten pas partitë politike duhet të dalin përtej interesit të klientelave të tyre të ngushta dhe të kërkojnë strukturë përfaqësuese në listat për deputet të profileve që janë të mirë përgatitura nga aspekti profesional, profile që kanë kapacitete dhe aftësi profesionale për projekte dhe ide të zhvillimit të përshpejtuar të vendit, për ta zënë kohën e humbur. Kjo mundë të arrihet vetëm nëse listat e kandidatëve do të pastrohen dhe në to nuk do të figurojnë njerëz të përfshirë në afera korruptive dhe me dosje të organeve të ndjekjes për të kaluarën e tyre ndesh me ligjin dhe penale. Vetëm duke bërë një ndryshim të thellë reformator të përfaqësimit në listat zgjedhore, partitë politike mundë ta kthejnë besimin qytetar dhe ta mënjanojnë edhe krizën politike dhe ekonomike, së paku për një mandate të plotë të mos kemi kriza të reja që rrezikojnë stabilitetin e vendit dhe për interesa të grupeve të caktuara në politikë që po udhëhiqen nga inatet personale, inate këto me të cilat po braktiset sovrani për teket dhe dëshirat e individëve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".