E zbulon analisti i njohur: Mungesa e dakordimit në mes SHBA-së dhe BE-së në dialogun Kosovë-Serbi vitin e kaluar i shembi dy Qeveri të Kosovës

E zbulon analisti i njohur: Mungesa e dakordimit në mes SHBA-së dhe BE-së në dialogun Kosovë-Serbi vitin e kaluar i shembi dy Qeveri të Kosovës

Gani Qarri

  • 16 January 2021 - 08:52

Shkruan: Gani Qarri

Ky rast i paprecedent duhet të jetë një mësim i mirë edhe për Qeverinë e re të Kosovës, në mënyrë që të përgatitet si duhet dhe ta analizojë hollësisht dhe me gjithë seriozitetin e nevojshëm qasjen e faktorit ndërkombëtar, për të mos rrëshqitur përsëri në një situatë të tillë, sikur ajo e vitit të kaluar, kur administrata e presidentit Trump e keqpërdori edhe dialogun me Serbinë për disa poenë fare të vogla në fushatën elektorale pak para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, gjë që tanimë pranohet publikisht edhe nga vet Përfaqësuesi i BE-së për dialogun se ky ishte një proces krejtësisht i pa koordinuar ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, gjë që nuk pati guxim ta thoshte kurrë jugo komunisti Isa Mustafa as pioni i tij dhe Hashim Thaçit, Avdullah Hoti.

Po del tanimë hapur në sipërfaqe, skandali i cili ishte inskenuar gjatë vitit të kaluar lidhur me vazhdimin e dialogut me Serbinë, pa harmonizim dhe dakordim të temave mes SHBA-së dhe BE-së, më në fund edhe vet përfaqësuesi i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak e pranoi publikisht, se nuk kishte pasur asnjë koordinim midis Brukselit dhe Uashingtonit në vitin e kaluar, lidhur me këtë temë. Madje ai tha se vitin e kaluar, kishte të paktën dy pista: evropiane dhe amerikane dhe nuk ishte zgjedhja jonë të shkonim veç e veç në bisedime, për aq më tepër, partnerët tanë në rajon ishin tërësisht të hutuar sepse nuk donin të ishin në një pozitë nga e cila duhej të zgjidhnin anë.

Siç duket ky mos dakordim mes SHBA-së dhe BE-së vitin e kaluar për strategjinë e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, pati ndikim të madh edhe në tronditjen që ndodhi edhe në skenën politike të Kosovës, i cili theu koalicionin LVV-LDK, dhe futi vendin në krizë me improvizimin e një qeverie antikushtetuese të pakicës, duke i bashkuar në një koalicion të panatyrshëm LDK-në, AAK-në, Nisma-në dhe Listën serbe apo dorën e zgjatur të Vuçiqit në Kosovë, madje duke ngritur në postin e zëvendëskryeministrit të parë edhe vet Goran Rakiqin, deri në rrëzimin e kësaj ngrehine të paligjshme nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".