Ata që në politikë erdhën kriminalisht, po e marrin epilogun e ndëshkimit me “vdekje” politike!

Ata që në politikë erdhën kriminalisht, po e marrin epilogun e ndëshkimit me “vdekje” politike!
Ata që në politikë erdhën kriminalisht, po e marrin epilogun e ndëshkimit me “vdekje” politike!

Ali Hertica

  • 18 January 2021 - 19:04

Shkruan: Ali Hertica

Nuk mundë të ketë në të ardhme parti politike fiktive të regjistruar për teket e dikujt, e që nuk arrin ta mbledh as një autobus me votues, përderisa futja aksidentale në Kuvend, e bënë atë që të ngritët pazari i votës dhe të gjenerohen kriza nga të cilat po e pëson jeta publike, politike dhe institucionale. Duhet të mbetet histori e harruar praktika e mbrapsht kur një parti politike virtuale me dy deputet ka kërkuar dhe i ka drejtuar 5 ministri, e kjo le të mbetet për Librin e Ginisit si njollë e zezë e politikës që ka bërë histori politike të korruptuar.

Tani të gjitha partitë e mëdha politike thuajse janë të vendosura që të mos ju nënshtrohen kushtëzimeve të krijesave të vogla hibride, marioneta të krimit të organizuar, parti satelite të nëntokës kriminale, që nuk ju dha mundësia të bëjnë koalicion parazgjedhor për të kërkuar pastaj kulaçin e madh në ndarjen e pogaçes së pushtetit. Refuzimi I koalicionit me të vegjlit, është një risi interesante që po e shohim në zgjedhjet e 14 shkurtit, prandaj këtë veprim të partive më të mëdha politike duhet ta shohim si një tentativë për imponimin e profilizimit të shpejtë programor e politikë të skenës politike të vendit. Kjo situatë në lë të kuptojmë se ka ardhur koha e krijimit të identitetit të fuqishëm politik e programor për të gjitha ato grupe të interesit që duan të bëjnë politikë serioze, prandaj është e kohës dhe urgjente nevoja e shuarjes së këtyre satelitëve të vegjël, në mënyrë që në të ardhmen të kemi hiq më shumë se tri blloqe të mëdha politike, të reformuara, profilizuara dhe të dëshmuara për pastërtinë e figurës dhe seriozitetin e programit qeverisës. Ata që në politikë erdhën kriminalisht, po e marrin rrugën dhe epilogun e ndëshkimit me “vdekje” politike !

Nëse mbetet diçka nga të vegjlit e politikës që ka vlerë profesionale dhe bagazh akademik, atëherë kandidatë si individ të dëshmuar dhe të vlerësuar nga ato mbetje politike mundë të integrohen në listat zgjedhore të partive më të mëdha politike, për ti dhënë impuls zhvillimit më të shpejtë të demokracisë dhe avancimit të pluralizmit real politik të standardeve evropiane.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".