Qosiqi, i dehur, i tregon Fadil Hoxhës planet e shqiptarëve

Qosiqi, i dehur, i tregon Fadil Hoxhës planet e shqiptarëve
Qosiqi, i dehur, i tregon Fadil Hoxhës planet e shqiptarëve

Adil Fetahu

  • 23 January 2021 - 09:11

Shkruan: Adil Fetahu

“Babai” i kombit serb, Dobrica Qosiq (1921 – 2014), ka qenë njeri kontraverz në jetën e tij politike; herë shumë afër ose në krye të politikës (shtetit), herë  opozitë, disident  e kundërshtar i rreptë, por një nacionalist largpamës. Në librin e tij të fundit “Kosova 1966 – 2013”, të cilin e ka redaktuar e bija e tij, Ana Qosiq-Vukiq,  botoi Kompania “Novosti”, në vitin 2013, e në Serbi u konsiderua bestseler,- një pjesë të madhe të shënimeve (si ditar) i ka kushtuar çështjes së Kosovës. Ai shumicën e punës dhe aktivitetit të jetës së tij politike, letrare dhe shoqërore, ia ka kushtuar problemit të marrëdhënieve serbo-shqiptare në lidhje me Kosovën. Dhe është i pari që (më 1963, 1966 e 1968) ka propozuar ndarjen e Kosovës në pjesën shqiptare dhe atë serbe; herë 1/3, herë 1/4 për serbët, ndërsa në funt, bashkë me politikanët aktualë kanë rënë në 12%! 

Se Qosiqi ishte një “ujk” i moçëm, plot dyshime në ndjenjat jugosllave dhe të  vëllazërim-bashkimit jugosllav, sidomos të shqiptarëve të cilët s’i lidhë asgjë me sllavët, këtë e ilustron me një ankedotë, të vëtetë, nga një takim “jozyrtar” në Kabinetin e kryetarit të Qeverisë së Serbisë, Sllobodan Peneziq-Kërcun, dhe kryetarit të Këshillit Ekzekutiv  të Kosovës, Fadil Hoxha. Ja si e përshkruan Qosiqi atë takim.
“Ishte marsi i vitit 1963. Pas orarit të punës, në zyrën e Sllobodan Peneziq-Kërcun, që ishte kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Serbisë, ishte Fadil Hoxha, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovë-Metohisë dhe unë. Pinim venë të “Rubinit{“. Pak të dehur dhe qejfli, “mahiteshim” në baza nacionale.

Në bisedë e sipër për të ardhmën tonë, serbo-shqiptare, iu drejtova Fadil Hoxhës: Pranoje Fadil, se ju Shqiptarët keni këtë plan: do të mbeteni në Jugollavi deri sa të industrializoheni, të urbanizoheni dhe të arsimoheni, pastaj si pjesa veriore e përparuar dhe e demokratizuar, do të çliroheni dhe t’i bashkoheni pjesës jugore të prapambetur dhe jodemokratike – Shqipërisë. Ju tash po përgatiteni që Kosovën ta bëni Piemont të Shqipërisë së Madhe dhe t’i realizoni qëllimet e Lidhjes së Prizrenit”.
- Fadil Hoxha, kërceu nga kolltuku, më përqafoi e më tha: “Gexho, vëlla, sa mirë na kupton ti neve”.
* * *
Për Plenumin e Komitetit Qendror të LK të Serbisë, të mbajtur më 16 shtator 1966, në të cilin u gjykua grupi tradhtar Rankoviq-Stefanoviq-Llukiq-Saviq, Qosiqi si pjesëmarrës në atë Plenum, thotë se “ishte proces gjyqësor kundër kombit serb”, kundër lëvizjes komuniste dhe komunistëve serbë; ishte proce kundër gjeneratës e cila ka bërë revolucionin partizan. Ai proces u zhvillua në stilin stalinist dhe ballkanik. Kurrë nuk kam parë aq  shumë brutalitet dhe paskrupulla në marrëdhëniet midis njerëzve; kurrë nuk kam parë aq apetite të egra dhe primitive për pushtet, për të ruajtur pozitat, për të fituar poena në këtë ndërrrim të forcave në kuadër të oligarkisë birokratike, nuk kam përjetuar neveri të tillë të hapur; kurrë s’kam parë aq dhe aso mungese të arsyes, objektiviatetit, gatishmërisë për të kërkuar të vërtetën dhe përpjekje për drejtësi në një kolektiv të njerëzve, sikur sot që ishte në Plenumin e KQ të LK të Serbisë. ..
Udhëheqësit shqiptarë prinin në mënyrë furioze në sulmin kundër Rankoviqit dhe kundër nacionalizmit serb në Kosovë e Metohi nën krahun e tij dhe të UDB-s; serbët që ishin anëtarë të KQ nga Kosova e Metohia, bënin garë me shqiptarët  (lexo: krahas shqiptarëve) në gjykimin e nacionalizmit serb. Mijallko Todoroviq deklaroi se “mahnitëm me urtinë shtetërore të Veli Devës”…

Dje Serbia, udhëheqja e saj politike, Kosovë-Metohinë ia dorëzuan Shqipërisë,- thotë me brengosje në shpirt “Babai” i kombit serb, Dobrica Qosiq. (A.F.)

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".