Kur gabon populli dhe kur korruptohet demokracia, atëherë fiton politika dhe humbet populli

Kur gabon populli dhe kur korruptohet demokracia, atëherë fiton politika dhe humbet populli
Kur gabon populli dhe kur korruptohet demokracia, atëherë fiton politika dhe humbet populli

Skender Kapiti

  • 28 January 2021 - 09:26

Shkruan: Skënder Sadri KAPITI

Kur gabon populli dhe kur korruptohet demokracia  faji nuk është vetëm  i politikës.

Demokraci do të thotë sundim i popullit, sundim i cili realizohet nga procedura demokratike  e zgjedhjeve të lira një herë në 4 vite.

Në këtë sistem veprojnë si aktorë kryesorë partitë politike që garojnë për pushtetin.

Nëse politika degradon, manipulon, spekulon, keqpërdor, dhe arrin që ta përvetësojë dhe ta korruptojë demokracinë kjo do të thotë se demokracia qarkullon si thashathemnajë publike pasi ajo në  raste  të tilla nuk gjëndet më në popull, populli është jashtë saj, demokracia bëhet vegël pushteti e korruptimi e politikës dhe që populli e pëson prej saj.

Kur korruptohet dhe kapet politikisht dhe juridikisht demokracia nga politika dhe korrupsioni atëhere nuk kemi të bëjmë më me sistem demokratik por në raste të tilla kemi të bëjmë me autokraci, klanokraci, hajdutokraci, mafiokraci,oligarkokraci e krimokraci.

A nuk është ky realiteti në Shqipëri por edhe në Kosovë, përderisa dhe pasi  pavarësisht alternimeve në pushtet, demokracia shqiptare montoi korrupsionin dhe krimin në shtet, kjo pasi ”demokracia”tipike  shqiptare e kapi politikisht demokracinë, shtetin,ligjin,drejtësinë, shoqërinë, pasuritë   dhe ekonominë dhe si rezultat  as në Shqipëridhe as në Kosovë  nuk ka as zhvillim ,as mirëqënie, as progres, as shtet ligjor, as integrim

Dhe pra kur demokracia nuk gjëndet në popull, dhe kur popullit demokracinë dhe votën  ia rrëmben politika, dhe kur populli nuk reagon për ta marrë demokracinë që atij i takon; dhe kur populli zgjedh  keq dhe në mënyrë të përsëritshme, atëhere për gjendjen e rëndë nuk është fajtore politika, pse toleron dhe pse gabon populli.

Politika është një aktivitet i pandershëm ,sepse ajo punon gjithmonë pandershmërisht kundër popullit dhe kundër demokracisë, sepse politika synon vetëm pushtetin dhe qeverisjen, sepse politika  synon autoritet,privilegje dhe sundim.

Nëse politika arrin që ia rrëmben demokracinë popullit, nëse politika e korrupton demokracinë,  dhe kur korruptohet demokracia do të thotë se korruptohet shoqëria,  dhe nëse shoqëria pajtohet më këtë atëhere ajo  gabon rëndë dhe faji i këtij gabimi i kushton shtrenjtë asaj.

Kështu ka ndodhur me politikën dhe me demokracinë prej 30 vitesh në Shqipëri.

Pra, kur themi se gabon demokracia, kuptohet se gabon populli i cili lejon që me demokracinë të spekulojë dhe ta rrëmbejë e përvetësojë atë dhe ligjin e saj politika.

Kundër të këqijave dhe dëmeve të politikës e të pushtetit në Shqipëri  janë disa intelektualë të paktë realist dhe të guximshëm; janë disa media të rralla kritike kundër politikës e pushtetit të keq , jane dhe të rrallët opinionistë e gazetarë, si dhe politika e cila vetëm kur ndodhet  në opozitë bën sikur kritikon politikën në pushtet se pastaj kur ajo merr pushtetin po njëlloj apo më keq akoma se paardhësit e saj sillet e punon.

A nuk është ky realiteti aktual në Shqipëri, ku pushteti i sotëm i Ramës dhe i Rilindjes vetëm sa e ka përkeqësur dhe rënduar gjëndjen politike,demokratike, sociale e ligjore me krimin,drogën,korrupsionin, vjedhjen e pronave e të parasë publike dhe ka shtuar varfërinë, papunësinë, mjerimin e eksodin dhe e mban jashtë integrimit Shqipërinë? Dhe me të gjitha këto populli e duron pasi ka 8 vite që qeveris kjo rilindja me Edi Ramën si një  e keqe e madhe kombëtare.

Si ka mundësi që  shoqëria shqiptare  është kaq shumë e durueshme.

Nëse  mundohemi dhe akuzojmë vetëm politikën, por që po kjo politikë vazhdon dhe po kësaj politike shqiptarët ia japin votën dhe të drejtën për të qeverisur keq duke bërë hajninë, krimin ,korupsionin si dhe duke tradhtuar gjithmonë interesat e atdheut dhe të popullit e të demokracisë , pra,  nëse populli dhe demokracia gabojnë vazhdimisht atëhere faji për këtë nuk është i politikës dhe as pushtetit por faji është edhe i shoqërisë  i cila gabon vazhdimisht.

Politika dhe pushteti synojnë të realizojnë interesat e veta  kundër interesave të popullit, dhe nëse populli e duron politikën dhe pushtetin e tillë , dhe nëse shoqëria zgjedh keq dhe i voton  të këqijtë dhe të këqijat ,atëhere ajo kështu gabon ,dhe për gabimin e vet vuan me merite pastaj po vetë shoqëria shqiptare.

Këtë e thotë feja, e thotë filozofia më e arrirë botërore, e thotë edhe përvoja botërore e politikës dhe e pushtetit, e thonë atë se:

individi dhe populli fiton atë që punon dhe atë që meriton; si të jetë mileti ashtu u vjen edhe hyqymeti  dhe  se: pushteti dhe qeverisja në një komunitet është pasqyrë e atij komuniteti.

Edhe demokracia  si alternative më e mirë qeverisëse , pasi nuk ka tjetër më të mirë akoma deri sot, edhe demokracia mos të mendojmë se nuk ka gabime dhe është e pagabueshme. E keqja më e madhe e demokracisë në Shqipëri është liria e saj për mashtrime, gënjeshtra të mëdha publike e mediatike që helmojnë popullin me premtime e rrena fantastike dhe me spekulime amorale dhe që shqiptarët kanë 30 vite që u besojnë atyre, apo edhe pse jo është edhe tjetra sepse ato edhe u pëlqejnë një pjese jo të vogël të votuesve , ku ka edhe asish rastesh që edhe shitet e blihet vota, pra, bëhet trafimi i saj.

Pra nuk është vetëm faji i politikës që manipulon,mashtron,gënjen dhe e korrupton demokracinë, por është edhe faji i shoqerisë: i rinisë, studentëve,  intelektualëve dhe  inteligjencës, i shoqërisë civile dhe sindikatave të cilat  ia lejojn një gjë të tillë politikës ,si dhe është po gabim i shoqërisë që ua beson gjithmonë pushtetin një politike të tillë  e që pasojat dhe prej tyre vuan dhe pëson po vetë populli.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".