Stop pazareve të fshehta në dialogun me Serbinë, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e ka vulosur pavarësinë e shtetit të Kosovës

Stop pazareve të fshehta në dialogun me Serbinë, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e ka vulosur pavarësinë e shtetit të Kosovës

Gani Qarri

  • 08 February 2021 - 13:34

Shkruan: Gani Qarri

Duke pasur parasysh faktin se sipas analistit serb Zeçeviç këtë të ashtuquajtur ide "inovative" e mbështetë edhe Macron si kundërpeshë e një zgjidhje që Beogradi të mos kundërshtojë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara edhe pa e njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, pasi që opsioni për njohje të pavarësisë së Kosovës në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkim Evropian, sipas tij është i papranueshëm, Kosova duhet të jetë e përgatitur për çdo situatë dhe tu përgjigjet me kohë e si duhet, të gjitha sfidave dhe pretendimeve ekstremiste serbe, vetëm në bazë të ligjeve e Kushtetutës së vendit dhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi vulosjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës.

-Pas dështimit të shkëputjes së veriut të vendit tonë, të iniciuar publikisht nga kuislingu dhe i burgosuri për krime kundër njerëzimit, renegati Hashim Thaçi, në vrapin për shpikjen e alternativave tjera, për ta dëmtuar sa më rëndë dhe në çdo mënyrë kontinuitetin shtetëror dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës, prapa të ashtuquajturës ide të zgjidhjes inovative të propozimit "francez" për marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë, sipas idesë së kriminelit Aleksandër Vuçiq të mveshur për kamuflimin e strategjisë së tij anti-shqiptare, presidentit francez Macron, përveç autonomisë substanciale për veriun e vendit tonë, duket të jetë futur edhe eksterritorialiteti për ish kishat dhe manastiret tona, të përvetësuara dhe tjetërsuara nga ortodoksia serbe dhe Serbia.

Madje megjithëse ende e pa shpërfaqur publikisht, kjo ide është përmendur ditë më pare edhe në kryeqytetin francez, ku presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq u prit nga Emmanuel Macron, me ç ‘rast u deklarua se ata, përveç "tjerash", kanë diskutuar edhe për çështjen e Kosovës dhe se Macron do të jetë i hapur për gjetjen e një zgjidhje të ashtuquajtur "inovative" në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu që, siç mundohet ta "shpjegojë" sipas shijeve të tij, edhe anëtari i Institutit për Studime Evropiane, profesori serb Sllobodan Zeçevic, zgjidhje "inovative" mund të vijnë vetëm ato që do të ishin të pranueshme për palën serbe, si autonominë për Kishën Ortodokse dhe manastiret, duke harruar se këto janë pasuri të Kosovës dhe qytetarëve të saj, për të cilat mund të flasë dhe vendos vetëm populli i këtij vendi dhe qeveria e shtetit tonë, sipas ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës dhe jo Serbia, e cila shqiptarëve në Kosovën Lindore ua ka ndaluar të gjitha dhe mohon çdo të drejtë.

Për aq më tepër, një ide e tillë jo vetëm që është e papranueshme për ne si popull shtet formues, por do të ishte edhe tepër e rrezikshme për Kosovën, e cila qon përsëri atje ku synon Serbia, në formimin e një republika srpska të kamufluar si “Asociacion” me kompetencat ekzekutive, si dhe rritjen edhe më të madhe të autonomisë së kishës serbe që në një formë do të ishte një lloj pushteti paralel, brenda shtetit të Kosovës, sipas direktivave nga Beogradi.

Prandaj, sot më shumë se kurrë, është tejet e domosdoshme për Kosovën dhe popullin e saj, që të mënjanohen urgjentisht të gjitha zënkat ndërpartiake dhe të formohet një Qeveri vërtetë serioze, me një koalicion të qëndrueshëm e stabil, të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, në mënyrë që në këtë proces jetik për vendin, të ketë unitet të njëmendtë dhe konsistencë të fortë e të vazhdueshme politike për mbrojtjen në mënyrë konstante e serioze dhe më të fortë se asnjëherë më parë, të interesave të shtetit të Kosovës, sidomos në këtë mandat, kur president i SHBA-ve është Joe Biden miku më i madh i Kosovës dhe shqiptarëve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".