Politika pa etikë, është vetëm një estetikë sociale

Politika pa etikë, është vetëm një estetikë sociale
Politika pa etikë, është vetëm një estetikë sociale

Fadil Maloku

  • 10 February 2021 - 09:51

Shkruan: Fadil Maloku

Që në fillim duhet sqaruar se me termin “social aesthetics” në sociologjinë e demokracisë digjitale nënkuptojmë një aso gjendje ku politika në pamundësi të përmbushjes së synimeve afatgjate, në vazhdimësi detyrohet ta improvizoj atë. 

Nëse, etika mund të përkufizohet si një lloj mënyre e studimit dhe e vlerësimit te sjelljeve njerëzore në dritën e parimeve morale, atëherë, morali padyshim që mund të përkufizohet si një normë, rregull apo edhe parim i paravendosur nga ana e ndonjë shoqërie e komuniteti që është pranuar mu nga kjo shoqëri e komunitet.

Në anën tjetër, sociologjikisht etika mund të shquhet identifikohet edhe si formë e superstrukturës ideore, si arti, kultura, morali, filozofia e religjioni. Ajo kryesisht trajton diskurset mbi të mirë dhe te keqen, si edhe do thoja çështjen e subjektivizimit të njërës apo tjetrës kategori.  Pra, ku është kufiri dhe a ka ndonjë kufi social midis këtyre kategorive sociologjike?

Në varësi prej kulturave, traditave dhe kushteve qytetërimore, ato merrnin edhe konotacione e primesa nga më të ndryshme morale e sociale. Edhe në kohën tonë ato kanë marrë dimensionet dhe specifikat e veta të kohës në të cilën manifestohen.

Aludimi im këtu është te periudha e transiocionit. Tani, zakonisht në periudhën e tranzicionit, kur kalohet nga një ekonomi e kontrolluar në ekonomi të lirë, është e qartë që përveçëm superstrukturës ekonomike dhe asaj ideore, të pësojë edhe ajo juridiko-politike.

Themi kështu edhe për shkakun se aty ku targetohen sjelljet në politikë targetohen në veçanti edhe raportet që “mbahen si produkte” ekskluzive nëpër partitë politike. Detyrimisht, si pasojë e këtij procesi dhe zhvillimi tejet interesant e dinamik, është e kuptueshme dhe e logjikshme që të identifikohen edhe ca tipe specifike të etikave sociale.

Ndër këto tipe të etikës (si shkencë mbi moralin) që unë mendoj se i ka “testuar me sukses”, për këto dy dekada të instalimit të demokracisë skena politike kosovare janë;

Etika Ndërgjegjësuese,  ka të bëjë më shumë me pasojat se sa shkaqet e vendimmarrjes. Logjika dhe intenca e kësaj etike na thotë se vendimet gjithnjë merren në përputhje me kalkulimet e matura që mund t’i shkaktojnë pasojat

Etika Nënshtruese, që ndryshe mund të emërohet edhe si poltrone e vasale. Objekti i shtrirjes së këtij tipi shumë prezent në skenat tona politike shqiptare, pothuajse në shumicën e rasteve edhe si ofertë politike, po edhe si tendencë sociale ka të bëjë më shumë me krijimin e poltronëve apo vasalëve “oborrtarë” brenda partisë,  se sa me krijimin e ndjenjës së inferioritetit ndaj miqve apo faktorëve ndërkombëtar. 

Etika Konformiste, i adresohet më shumë pozicionimeve të atilla politike, ku tipi i politikanit injorant e mediokër, për të mbijetuar në ambiente armiqësie e konkurrence jo  lojale,  në vend të parimeve morale, pasta normave dhe rregullave të dobishme sociale në skenën politike, “aktivizon” dhe kultivon kryesisht sjellje dhe veprime të atilla që në shumicën e rasteve bien ndesh edhe me bindjet e tija personale.

Por, që atij këto sjellje i shërbejnë vetëm si mjete mbijetese dhe qëndresë politike.

Etika e Interesit, kalkulimi më i thjeshtë i këtij tipi është; “ti mua lekët, unë ty shërbimin”…Një sjellje etike që i karakterizon shumicën e vendeve transitive. I gjithë konstruksioni social, i këtij tipi ndërtohet e rindërtohet jo përmes institucioneve te konsoliduara juridike, por përmes normave. 

Etika Klanore, në kulturën dhe etnopsikologjinë tonë sociale e sidomos këtë politike, për këto dy dekada përvojë në ndërtimin e demokracisë, është dëshmuar, se; përveç që nuk njeh kufi ideologjik, nuk njeh as kufi partiak, e as sish politik. Ky gjykim më së miri mund të ilustrohet me përvojat e “bashkëpunimit” të gjitha koalicioneve të ndodhura midis partive politike kosovare. Ku u dëshmuan më të fuqishme klanet mbipartiake, se sa organet formale të partive të mëdha politike.

 Etika IDEOLOGJIKO-PARTIAKE, formalisht është dhe ka mbetur vetëm një sintagmë do thoja më shumë folklorike, se sa funksionale. Shkaku i vetëm i folklorizmit të tillë nuk qëndron edhe aq në parime, norma e standarde partiake, sa dilemat dhe (pa)përcaktimet ideologjike. Kjo etikë, që zakonisht kur dëshirohet të kamuflohet një veprim apo gjest diplomatik, merret si një lloj “mbulese” formale sa për të krijuar një “alibi” kontravers dhe dezorientues.

“Alibi”, ky që vlen si për kundërshtarët politikë ashtu edhe për faktorët dhe miqtë ndërkombëtarë. Ndërkaq, ky tip etike si mekanizëm mbrojtës, pothuajse gjithnjë kamuflimin ideologjik e përdorë më shumë si pretekst se sa si shkas për të thithur benificione dhe donacione të ndryshme. Etika e BINDJES, si diskurs publik e obligon një politikan të ndërgjegjshëm që vendimet e veta t’i sjell jo në bazë të parimit dhe obligimit të interesit praktik e pragmatik, po në bazë të përshtypjes dhe principeve të drejtësisë. Ky tip etike, vlen më së shumti për mobilizimin e masave të gjëra për tema e agjenda kruciale politike e institucionale.

Mirëpo, më së miri efektet e këtij tipi “testohen, kur kërcënohen bie fjala interesat kombëtarë e sosh shtetërorë të vendit, por, edhe kur vërtetohet se ato interesa shantazhohen politikisht apo ekonomikisht.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".