Kërkesat e qarta të faktorit ndërkombëtar për Qeverinë Kurti 2: Dialogu me Serbinë pa alternativë, çështje serioze dhe me prioritet

Kërkesat e qarta të faktorit ndërkombëtar për Qeverinë Kurti 2: Dialogu me Serbinë pa alternativë, çështje serioze dhe me prioritet

Gani Qarri

  • 19 February 2021 - 07:51

Shkruan: Gani Qarri

Përveç urimit të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje për fitoren, ambasadori amerikan Philip Kosnet duket të kete diskutuar me Kurtin edhe mbi hapat që duhet të ndërmarr Kosova për vazhdimin e dialogut, duke kërkuar të formohet sa më shpejt qeveria e re dhe kuvendi i dalë nga zgjedhjet e reja, për t’u shërbyer sa më mirë qytetarëve të vendit dhe adresuar sfidat urgjente që ka Kosova.

-Pas zgjedhjeve të mira e të suksesshme dhe fitores së thellë të VV-së në votime, vet vizita e ambasadorit Kosnet dhe porositë e udhëheqësve të vendeve më të fuqishme ndërkombëtare, nga SHBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar ,Franca etj, dëshmojnë se vetëm sa ka filluar seria e presioneve që do ti bëhet në mënyrë të vazhdueshme, nga tash e tutje, partisë së parë fituese LVV, dhe qeverisë në ardhje të z. Kurti, për fillimin e dialogut me Serbinë.

Kjo dëshmon se pas zgjedhjeve në SHBA, ka një interesim të shtuar, sidomos të z. Biden dhe BE-së, për ta riaktivizuar dhe përfunduar këtë proces shumëvjeçar me ish shtetin okupues të Kosovës, Serbinë shoviniste, e cila edhe mbi 21 vite pas çlirimit, shpreh pretendime të hapura ndaj territorit dhe tokave të shtetit tonë të pavarur të vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe të njohur ndërkombëtarisht nga shumica e shteteve të botës. Madje edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë se qeveria e re e Kosovës, duhet të përparojë në rrugën evropiane, dhe ta vazhdojë dialogun me Serbinë.

Kurse Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Philip Kosnet, dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, ka vizituar personalisht LVV-në dhe kreun e saj Albin Kurti dhe megjithëse takimi u zhvillua me dyer të mbyllura e nuk u dhanë deklarata publike, në një njoftim në tviter, u shpalosën edhe disa detaje nga ana e z. Kosnet . Po ashtu në një postim në Facebook edhe VV, ka bërë të ditur se me ambasadorin Philip Kosnet në zyrat e partisë së VV-së është biseduar për nevojën e formimit sa më parë të institucioneve të reja të Kosovës dhe avancimin e bashkëpunimit me mikun më të madh të popullit dhe vendit tonë, SHBA-të, me mbështetjen e të cilave dhe presidentin Biden në krye, populli i Kosovës ka shpresë të madhe se do të përfundojnë në mënyrë fatlume edhe bisedimet e stërzgjatura me një shtet ish agresor si Serbia.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".