Qeveria Hoti po shkon me faqe të zezë, e mbuluar me njollën e trashë të krimit dhe të korrupsionit

Qeveria Hoti po shkon me faqe të zezë, e mbuluar me njollën e trashë të krimit dhe të korrupsionit

Gani Qarri

  • 28 February 2021 - 17:00

Shkruan: Gani Qarri

Mos funksionimi normal i sistemit gjyqësor e prokurorial të Kosovës, për qytetarët e vendit është që moti i njohur, ndërsa keqpërdorimet e vazhdueshme të pozitave institucionale, korrupsioni galopant dhe vjedhjet e pareshtura, si ajo e Arkës së Shtetit prej nga u zhvatën mbi 2.1 milio euro, si dhe rasti më i ri i aksionit policorë në disa qendra të Ministrisë së Bujqësisë të drejtuar po nga LDK, ku u konfiskuan edhe rreth gjysmë milioni euro të tjera të grumbulluara nga ryshfetet e kundërligjshme dhe korrupsioni i zyrtarëve të kësaj ministrie, e të tjera akte kriminale që ndodhën gjatë periudhës së shkurtër të qeverisjes antikushtetuese të Avdullah Hotit, e bëjnë gjendjen edhe më serioze dhe shpërfaqin tërë paaftësinë dhe papërgjegjësinë totale të qeverisjes së Hotit, si dhe të drejtësisë së kapur vendore.

Qytetari i rëndomtë i Kosovës, sot me të drejtë trishtohet kur mendon se po nga ky kuazi kryeministër debil si Avdullah Hoti, përkundër të gjitha fakteve dhe vërejtjeve të panumërta nga personalitete dhe organizata vendore e ndërkombëtare, u shua edhe Task Forca anti-korrupsion në një vend dhe Qeveri e cila e frymëzon vet korrupsionin dhe krimin e organizuar të instaluar e thelluar nga vet partitë politike dhe udhëheqësit shtetëror e institucional tash e dy dekada me radhë anë e mbanë Kosovës. Madje për aq më tepër, habit edhe fakti kur po nga sharlatanët Avdullah Hoti, Isa Mustafa e zyrtar të tjerë të dështuar të LDK-së, çdo ditë dëgjon përralla se si, kinse ata, paskan qeverisur me duar të "pastra" dhe pa hajni e korrupsion, gjë që vet rastet e lartcekura i demantojnë plotësisht dhe dëshmojnë komplet të kundërtën. Kështu që edhe në rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën, të miratuar para dy-tre ditësh, ashtu siç edhe pritej thuhet qartë dhe troç, se ky institucion i lartë i BE-së, shprehë shqetësim të thellë e serioz për shuarjen e Task Forcës anti-korrupsion, të ngritur enkas brenda Policisë së Kosovës, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, i cili siç shihet edhe nga rastet më të reja, as që ka të ndalur. Por qeveria e kundërligjshme në ikje e Avdullah Hotit, ashtu siç erdhi në mënyrë kundër kushtetuese në pushtet, shkatërroi edhe Taskë-Forcën në mënyrë antiligjore, të cilës Bashkimi Evropian, për krekosjen dhe zotimin e luftimit të krimit e korrupsionit, me plot të drejtë ia zhveshi tërësisht maskën false, duke e kritikuar ashpër për pengesat e vazhdueshme që qeveria e Hotit ka bërë me ndërhyrjen skandaloze , si në rastin e shuarjes së Task Forcës anti-korrupsion brenda policisë së Kosovës. Ky veprim skandaloz nuk u arsyetua asnjëherë me argumente bindëse nga Hoti as Isa Mustafa, prandaj nuk kishte edhe se si të jetë ndryshe përveçse për qëllimet më djallëzore të klikës së krimit dhe pengimin e luftimit të aferave korruptive pikërisht ndaj zyrtarëve më të lartë për zhvatje në shërbim të vetvetes, subjektit politik që i takonin dhe grupeve kriminale në vend, gjë që përveç vjedhjes së 2.1 milion eurove nga Arka e Shtetit, u vërtetua edhe me aksionin e fundit policor në Ministrinë e Bujqësisë të udhëhequr po nga LDK, ku u burgosën 10-12 persona dhe konfiskuan rreth gjysmë milioni euro nga veprimet e tyre korruptive dhe kriminale, që kishin fituar dorë të lirë pas shuarjes së Task Forcës anti-korrupcion nga kuazi-kryeministri sharlatan Avdullah Hoti.

Për aq më keq, vet kritikat e ashpra, të shprehura publikisht kundër Qeverisë Hoti, nga Bashkimi Evropian, edhe pse plotësisht të arsyeshme, dëshmojnë se amnistia e përligjur e korrupsionit dhe krimit të organizuar nga Qeveria kundër kushtetuese e butakut Hoti, do të shërbej edhe si një barrierë tjetër serioze, kundër shpresës së kamotshme të qytetarëve për liberalizim të vizave, pasi që shtetet kundërshtare të heqjes së vizave për Kosovën, arsyen për mos sundimin e ligjit në vend, e shohin si shtyllën më të dobët të një shteti jofunksional ndaj të cilit, sipas kritereve të BE-së, nuk preferohet heqja e vizave. Po ashtu, në raportin e parlamentit të Bashkimit Evropian, Kosova, përveç mos luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, kritikohet ashpër edhe për mungesë të theksuar të progresit në shumë fusha, sidomos në jetësimin e shtetit të së drejtës dhe prioriteteve të agjendës së reformave evropiane, që ndërlidhen kryesisht me fushën e sundimit të ligjit dhe me vazhdimin e ndikimit të politikës në sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor të Kosovës, veprime kundërligjore të cilat kanë bllokuar tërësisht edhe në rrugëtimin e vendit drejt integrimeve evropiane.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".