Diaspora nuk harroi, me votë demokratike ndëshkoi hajnat e dy partive që i vodhën dy fondet e luftës, 3% dhe VENDLINDJA THËRRET

Diaspora nuk harroi, me votë demokratike ndëshkoi hajnat e dy partive që i vodhën dy fondet e luftës, 3% dhe VENDLINDJA THËRRET

Gani Qarri

  • 03 March 2021 - 07:47

Shkruan: Gani Qarri

Pozicionimi kaq pozitiv ndaj këtij subjekti të ri politik, është ndëshkimi i vetëm që shqiptarët në vend dhe ata nga diaspora, në këto momente kishin mundësi tu bënin politikanëve të kriminalizuar të cilët ditën ta keqpërdornin në mënyrë aq të rëndë luftën dhe paçen si dhe të gjithë mundin dhe djersën e shqiptarëve në mërgim dhe atyre që jetojnë në Kosovë. Kjo ishte një hakmarrje minimale ndëshkuese ndaj LDK-së dhe PDK-së, si dy subjektet më të inkriminuara politike që fatkeqësisht janë përgjegjëset kryesore për abuzimin më të paskrupullt, të të dy fondeve të luftës; Fondit të "3%-shit" dhe atij VENDLINDJA THËRRET .

Politikanët e kriminalizuar ishin dhe mbeten të tillë, ata edhe sot, nuk i japin llogari askujt për asgjë dhe sikur mos të mjaftonin të bërat e tyre mafioze e kriminale, pa fije turpi vazhduan ta zhvatin e plaçkitin edhe shtetin tonë të ri e të sapo formuar me aq shumë mundi, djers e gjak të heronjve dhe dëshmorëve të këtij vendi, duke vjedhur, plaçkitur e marrë harraq me përqindje të larta edhe në fondet e varrezave dhe memorialëve kushtuar shqiptarëve të vrarë në luftë dhe masakrat e shkaktuara nga gjenocidi i okupatorit serb.

Që nga krijimi i institucioneve tona shtetërore të ndara nga ato të pushtuesit serb në Kosovë dhe deri në përfundim të luftës, diaspora shqiptare, më tepër se cilado mërgatë tjetër në botë, me zemërmadhësi të pa përshkruar, ka kontribuuar pa kursim për vendin dhe derdhur qindra miliona në dy fondet, dedikuara luftës dhe institucioneve paralele të shtetit të Kosovës, deri në fund të çlirimit të Kosovës.

Por nga ajo që është parë e dëshmuar publikisht, të dy këto fonde u abuzuan, keqpërdorën dhe u përvetësuan aq barbarisht dhe në mënyrë aq brutale nga menaxhuesit e tyre, sa që në vend të financimit të luftës dhe nevojave institucionale e shtetërore të Kosovës, qysh në ditët dhe vitet e para të pas luftës, me ato para, ata e bënë veten milioner, u bën vet biznesmenët më të mëdhenj dhe politikanët më të pasur, jo vetëm në vend por në rajon dhe më gjerë.

Madje mërgatës jashtë vendit i vunë edhe taksë në kufi, të cilën qytetarët e Kosovës që vinin nga diaspora, duhet ta paguanin me tu paraqitur në pikat doganore, si dhe i përjashtuan ata nga pjesëmarrja në zgjedhjet që mbaheshin në vend, duke krijuar barrikadë, pas barrikade, për pengimin me çdo mënyrë të votës së tyre dhe sikur mos të mjaftonin as të gjitha këto prapësi, pa vonuar shumë, filluan të qarkullojnë edhe thasë me para dhe çantat e mbushura me miliona euro të vjedhura, aeroporteve dhe metrove të Evropës dhe botës gjithandej, për deponimin e tyre deri në ishujt më të largët të globit tokësor.

Këto veprime të hajnave, zhvatësve dhe plaçkitësve të paskrupullt të vendit, u bënë shkaku kryesor që një parti si Lëvizja Vetëvendosje me një jetëgjatësi fare të shkurtër politike si segment më vete në skenën e vendit, me moton për luftimin për luftimin e hajnisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar, të fitojë besim kaq të madh dhe mbështetjen më të fuqishme të qytetarëve të Kosovës dhe diasporës kosovare në perëndim dhe gjithandej ku ka shqiptar, deri në Amerikë, Kanada dhe Australi, gjë që më së miri, u dëshmua në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti.Ndaj është mese e arsyeshme dhe shumë e pritshme që ndëshkimi i tillë, të thellohet edhe më tepër, nëse në krye të këtyre partive të inkriminuara politike dhe strukturave të tyre mafioze, vazhdojnë të defilojnë abuzuesit e fondeve:” 3% “ e "Vendlindja Thërret", dhe primatin e tyre, nuk e marrin njerëz të rijnë e të pa korruptuar.

Për aq më tepër, do të ketë edhe iniciativa të reja për avantazhin e LVV-s dhe Listës shpresëdhënëse për kthesë pozitive në vend, "Guxo" të zonjës Dr. Vjosa Osmani, si dhe subjekteve të reja politike që mund të krijohen, deri në zgjedhjet e ardhshme, për ri këndelljen e gjendjes së qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, mbi 21 vite pas çlirimit të saj, nga okupatorët serb dhe fundit të pushtimit nga krimi i organizuar në vend.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".