Menaxhimi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, vetëm në bashkërendim të kujdesshëm me shtetet mike

Menaxhimi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, vetëm në bashkërendim të kujdesshëm me shtetet mike
Menaxhimi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, vetëm në bashkërendim të kujdesshëm me shtetet mike

Dr. Hysni Aliu

  • 03 March 2021 - 09:48

Shkruan: Dr. Hysni Aliu

-Kohëve të fundit Kosova po i nënshtrohet një presioni të jashtëzakonshëm në lidhje me vendosjen e Ambasadës së vetë në Jerusalem. Njohja nga Izraeli, erdhi si një produkt i ndërmjetësimit të ish presidentit Trump, si pjesë e një pakete të përgjithshme të marrëveshjes në Shtëpinë  e Bardhë, ku Kosova bëri kompromise shumë të dhimbshme, vetëm e vetëm që Serbia të mundohet të jetë bashkëpunuese me perëndimin. 

Kjo karotë që mori Kosova, po duket që kishte qenë me bisht, dhe tani po e sfidon Kosovën në raportet ndërkombëtare dhe gjeostrategjike si një  shtet ende i pa formuar mirë dhe pa qenë ende anëtare i OKB-së.  Presioni nga SHBA-të në krye me ish presidentin Trump, që të nënshkruhet një  marrëveshje e atillë me kushtëzime, presioni nga BE që  Kosova të qëndron në një linje me politikat e tyre në lidhje me Izraelin, presioni nga Turqia, që Kosova të punoj në kundërshtim me atë për të cilën u akordua në SHBA, në vlerësimin tim është johuman.

Nëse kësaj ja shtojmë edhe  ndjeshmërinë e çështjes tek popullata, mendoj që shumë gjera po rrezikohen, dhe njohja nga shteti i Izraelit, rrezikon të sjell dëme vendit tonë, nëse kjo situatë nuk mëngohet siç duhet, nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë kompleks situate. Kosova, nuk e ka merituar një presion të tillë nga Turqia, sepse shqiptarët kanë qenë mbrojtës të Turqisë  evropiane.

Lufta  në Çanakala, ku u flijuan 25 000 shqiptare, për ketë kauze, është vetëm njëri nga faktet pamohueshme historike, që shqiptarët kanë qenë miq të Turqisë dhe mbrojtës të identitetit të tyre në kohërat më të vështira për ta, si rrjedhoje Turqia nuk duhet ti bëjë presion Kosovës, kur e din se në çfarë gjendje të vështirë gjendemi.  

Edhe vetë Turqia është e orientuar aktualisht edhe kah perëndimi edhe kah lindja, pikërisht sepse ashtu ka vlerësuar vetë që është në dobi të shtetit Turk, andaj nuk mundë të kërkoj diçka tjetër nga Kosova, përveç që ta mbroj interesin e vetë.  

 Edhe presioni  i administratës së Kaluar  Trump që Kosova te jetë ajo që e thyen  akullin, e para nga vendet me popullate shumicë myslimane, dhe të vendosë ambasadën e saj në Jerusalem, ishte jo humane, sepse Kosova ka nevojë të ketë miq nga të gjitha anët e botës, dhe nga të gjitha besimet fetare, e jo të pozicionohet në një anë duke rrezikuar raportet me anën tjetër.  çka do thuhet, nëse shumica e vendeve myslimane që e kanë njohur Kosovën, vendosin për tërheqjen e njohjeve, sa do mbetet  numri i njohjeve atëherë?

Thotë nja fjalë e urtë popullore ” një budalla e hedh një guri në ujë e njëmijë të mençur s’munden  ta nxjerrin”

Edhe insistimi i Izraelit, që Jerusalemi të jetë vendi ku do hapet ambasada, është për mendimin tim, jo human, sepse në këtë mënyrë, njohja po e ka një kosto rëndë të përballueshme dhe me kosto afatgjatë në raportet e Kosovës me boten myslimane.  Izraeli, është dashtë të mendoj më thellë rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e popullatës  Hebreje  gjatë luftës së dytë botërore, ku shqiptarët ishin populli i vetëm evropian që edhe si popullatë pore edhe si pushtet kuisling gjatë luftës, nuk dorëzuan Hebrenjtë, që tmerrësisht i ishin  nënshtruar një shfarosje masive.  Natyrisht që edhe ne duhet ta dimë që për Izraelin, orientimi në krahë  te Kosovës, në këtë kohë, dhe një konfrontim diplomatik me shtetet kundërshtuese të pavarësisë së Kosovës, është gjë e vështirë për ta, por ata janë të fortë dhe e përballojnë më lehtë këtë sfidë. 

 Edhe presioni i BE-së, është  johuman, sepse ata e dinë mirë, që as brenda vetë vetes nuk e kanë linjën e njëjtë në raport me këtë çështje, e në anën tjetër kërkohet nga Kosova të bënë të pamundshmen. Pra, Kosova është në një pozitë siç thotë populli ” hip se të vrava , e zbrit  se të vrava” , kah të ja man mundet me pasë pasoja të rënda për shtetësinë e vet. 

 Edhe deklarimet e ambasadorit Palestinez në Beograd, janë jo vetëm jo humane, por edhe të turpshme, dhe deklarime që vetëm një shtet që mohon gjenocidin ndaj një populli mund ti bëjë. Gjersa Palestina, përkrahu Millosheviqin, si kasap i Ballkanit,  dhe tani përkrahë Vuçiqin dhe është rreshtuar në anën e vendeve armike ndaj Kosovës, si është e mundshme që ata të thirren në vlera që vetë nuk i respektojnë. Për mua ishte tepër,  tepër  neveritëse. Ata harruan që Izraeli përkrahu Kosovën në kohërat më të vështira, ofroj strehim për refugjatët, dhe lobi Izraelit në SHBA ishte përcaktues në orientimin perëndimorë ndaj Kosovës, të kundërtën e bëri Palestina, ata pranuan të jenë miq me urdhërdhënësin e Masakrës së Srebrenicës  ku u vranë më tepër se 8000 mysliman ”vëllezër  të tyre” e qindra mijëra të tjerë gjatë asaj lufte shkatërruese., e më tepër se 13000 myslimanë të tjerë në Kosovë pikërisht nga Vuçiq e Daçiq, si bashkëpunëtorë të ngushtë të Millosheviqit. 

Nga ky këndvështrim kur shikohen gjërat, Palestina e meriton një sjellje të tillë të Kosovës pa asnjë dyshim.  Besimin fetar nuk mund ta përdorësh si vegël punë, kur të nevojitet e merr, e kur s’të nevojitet e hedhë në bërllok. Thotë populli, miku i mirë gjendet në ditë të vështira, e këtë nuk janë duke e bërë miqtë tanë nga të katër anët e botës. Përdorimi i Kosovës, si akullthyes në detin e hapur, është gjë e dhimbshme. Nuk kemi kapacitete për aksione të tilla, andaj miqtë tanë duhet të jenë të mëshirshëm, ndaj nesh, dhe mos të na shtyjnë në vend ku mund  ta thyejmë qafen. Ne nuk po kërkojmë mëshirë nga armiqtë e as nuk kemi kërkuar kurrë, por vetëm nga miqtë. Shqiptaret krenohen me  harmoninë fetare, dhe këtë duhet ta ruajmë. Ne krenohemi me dashurinë tonë ndaj të gjitha besime fetare, dhe me respektin që kemi ndaj njeriut së pari e tek pastaj ndaj besimit të tij fetare. Ne krenohemi, si shqiptar, që kurrë gjatë historisë, nuk kemi tentuar ta nënshtrojmë dikën, vetëm se ka qenë  i lig, por kemi bërë të kundërtën, e kemi përkrahë të ligun dhe jemi flijuar për të. 

Unë besoj qe Kosova, nuk guxon të mendoj kthim mbrapa në atë që e ka nënshkruar, sepse do ishte edhe ajo jo korrekte, dhe nuk do të dukeshim si shtet serioz në arenën ndërkombëtare, as si shtet që ju qëndron premtimeve dhe vendimeve të veta. Devijimi nga rruga e filluar tanimë, do ishte suksesi më i madh për Serbinë dhe mikun e saj Palestinën, dhe një vetëvrasje politike e shtetërore. 

Serbia do kishte argument të fortë ti ftoj të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën, që të shqyrtojnë vendimet e veta, sepse Kosova tanimë vetë e ka bërë të njëjtën, dhe atëherë ne nuk do të kishim as argument moral as juridik për ti kundërshtuar ç ‘njohjet, pra dëmi  ndoshta është bërë me këto marrëveshje, dhe tërheqja do thoshte dyfishim ose trefishim i dëmit. 

 Në vend të devijimit nga kjo rrugë, Kosova, duhet të filloj një ofensivë diplomatike informative, së bashku me SHBA- të dhe administratën Biden në katër anët e botës, duke e informuar çdo palë që është kundër,  me arsyet e këtij vendimi dhe duke kërkuar një tolerancë në lidhje me këtë çështje kaq komplekse.  Nga miqtë tanë duhet të kërkohet, që këtë proces ta bëjnë sa më të lehtë, më pak të ndjeshëm për publikun, dhe së paku aktorët e mëdhenj SHBA, BE, Turqi, të koordinohen në mes veti në mënyrë që Kosova të mos jetë ajo që vendosë  se cilës anë do ja mban, sepse paraprakisht e dinë që ne jemi një balon që fluturojmë kah na orienton perëndimi dhe vlerat e tyre, pra ne ju përkasim atyre fatmirësisht. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".