Mos e shisni votën me 25 Prill 2021 !
Skender Kapiti
Shkruan: Skënder Sadri KAPITI
Me 25 Prill 2021 janë zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Ka vite që në Shqipëri gjithmonë është akuzuar dhe konstatuar nga qytetarët, nga mediat dhe nga vetë politika se bëhet manipulimi i zgjedhjeve dhe shitblerja e votës.
Shitblerja e votës devijon dhe delegjitimon legjitimitetin dhe vullnetin real të popullit dhe të demokracisë.
Shitblerja e votës është anormale, amorale dhe përbën madje edhe krim elektoral që duhet ndëshkuar penalisht.
Vota në demokraci është vlerë dinjiteti,personaliteti dhe është e drejtë lirie dhe mencuri intelekti.
Dhe duke qenë e tillë në një shoqëri të emacipuar dhe të zhvilluar intelektualisht, demokratikisht dhe patriotikisht vota kurrë nuk mund dhe nuk duhet as që të shitet e as që të blihet.
Pushteti i cili e blen votën, ai pushtet pastaj bën batërdinë duke vjedhur e grabitur shtetin, shoqërinë,pasuritë dhe paranë publike. Këtë e verteton më së miri realiteti aktual i pushtetit në Shqipëri.
Ai pushtet që blen votën e blen për të marrë, rrëmbyer dhe për ta mbajtur pushtetin pasi me pushtetin ai kap shtetin, drejtësinë e pasurinë.
Ai, apo ata të cilët shesin votën bëhen skllevër të pushtetit pasi nuk kanë pastaj as të drejtë dhe as moral për ta kundërshtuar as vjedhjen dhe as korrupsionin e pushtetit, sepse janë shitur te ai.
Por, prej atyre që shesin votën dëmin e madh e pësojnë të tjerët si shoqëria, shteti e demokracia, sepse prej shitjes së votes, në pushtet instalohet regjimi që vjen prej votave të blera sepse në fund të fundit demokracia është bilanc numrash të votave, ku fatkeqëisht vota e shitur, e korruptuar, e manipuluar dhe e blerë ka të njëjtën vlerë sa vota e vullnetit të lirë dhe të pakorruptuar.
Mos e shisni votën për një thes miell apo për 50 euro sepse kështu i bëni dëm të madh vetes, shoqërisë e demokracisë sepse duke shitur votën "legjitimohet" pastaj pandershmëria, korrupsioni, krimi, hajnia si dhe varfëria, papunësia dhe eksodi.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"