Qeveria Kurti në aksion kundër krimit dhe hajdutërisë!

Qeveria Kurti në aksion kundër krimit dhe hajdutërisë!
Qeveria Kurti në aksion kundër krimit dhe hajdutërisë!

Ragip Guraziu

  • 13 April 2021 - 14:02

Shkruan: ANALIST- Ragip Guraziu

Kosova deri më tash ka vuajtur shumë nga infeksioni me një virus per mbi 20 vite , ishte ky virusi i korrupsionit krimo- politik dhe i familjeve mafioze që arriti të futet në të gjitha institucionet e shtetit në Qeveri, Kuvend, Presidencë, gjyqësi, prokurori , polici dhe institucionet e mekanizmat e tjere te shtetit ,duke u përfshi gjithandej e bash çdo kund.Tani në Qeverinë e posa formuar Kurti 2, po vazhdojnë të zbulohen të gjitha skandalet e njëpasnjëshme kriminale, duke përfshire këtu edhe skandalet dhe abuzimet e rënda në policinë e Kosovës, e cila fatkeqësisht ka qenë e kapur.

Vetëm tash me zbulimin e rrjeteve kriminale në polici po shihet e dëshmohet mirëfilli se edhe këtu është futur virusi i krimit, sikur edhe në hallkën e parë së bashku me prokurorinë e inkriminuar në keq menaxhimin dhe prishjen e provave me porosi për rastet e rënda penale. Nuk është ndonjë befasi lajmi që u publikua para pak ditësh se si Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka shpallur më 6 prill fajtor katërmbëdhjetë ish-zyrtar policor për veprën penale “marrje të ryshfetit”. Polic nga komuniteti shumicë shqiptare dhe pakicë serbe kanë bashkëvepruar kriminalisht!!! Me këtë rast vetëm sa është vërtetuar edhe njëherë se sidomos veriu i Kosovës është bërë zonë e rezervuar ose” rezervat i krimit të organizuar”!.

Ky grup i zyrtarëve policor të Kosovës akuzohen se duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare si punonjës të Policisë së Kosovës në Njësinë Rajonale të Komunikacionit, kanë pranuar para në shuma të ndryshme nga kundërvajtësit në trafik për një periudhë të gjatë kohore. Sidoqoftë është pozitive që grupi është zbuluar dhe ndëshkuar, pa hyrë në detaje nëse dënimet e shqiptuara janë në masën e merituar apo jo. Këtë le ta vlerësojnë vetë organet e drejtësisë.

Dënimet për këtë grup kriminal brenda policisë së Kosovës kanë shkuar nga 2 vite e 6 muaj burgim dhe dënim me gjobë në vlerë prej deri në 3.000 euro. Prandaj kur jemi te ky rast dhe disa raste të mëhershme kriminale në policinë e Kosovës, me të drejtë shtrohet pyetja se a po bëhet gjithnjë e më shumë domosdoshmëri e fillimit të një rishikimi të plotë të stafit të policisë së Kosovës, hulumtimi i gjenezës së tyre familjare dhe personale, për ta parandaluar degradimin dhe depërtimin akoma më të thellë të lidhjeve të krimit të organizuar edhe në polici, përmes lidhjeve politike, nepotizmit dhe të familjarizimit.

Në opinionin publik është krijuar një mosbesim i madh në vazhdimësi sepse kemi plot rast kur në policinë e Kosovës janë pranuar dhe punojnë nga tre katër anëtarë të së njëjtës familje. Kjo nuk do koment prandaj hetimi dhe verifikimi i gjithë strukturës policore për të kaluarën e atyre që janë pranuar aty duhet të bëhet prioritet i këtij mandati të ri qeverisës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".