Konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme nga miliarderët e krimit të organizuar, kryefjala e raportit të progresit për Kosovën!

Konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme nga miliarderët e krimit të organizuar, kryefjala e raportit të progresit për Kosovën!
Konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme nga miliarderët e krimit të organizuar, kryefjala e raportit të progresit për Kosovën!

Ardit Gervalla

  • 17 April 2021 - 16:29

Shkruan: ANALIST-Ardit Gërvalla

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, që në agjendën legjislative të këtij mandati qeverisës, ta trajton me prioritet fillimin e hartimit të Ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar kundërligjshëm, është një hap me rendësi, i guximshëm dhe me vullnet të dëshmuar politik, sepse i hapë Kosovës një perspektivë më reale evropiane, është kërkesë e vazhdueshme e Raportit të Progresit për Kosovën, e përsëritur edhe me Raportin e progresit për Kosovën i vitit 2020 lidhur për çështjen e Korrupsionit dhe krimit te oirganizuar në Kosovë.

Institucionet e Kosovës duhet ta marrin seriozisht këtë kërkesë të përsëritur, dhe nuk ka logjikë që të ndjekim politikën dhe mendësinë që mos ta pranojmë publikisht se Kosova ka nivel të lartë të korrupsionit dhe te krimit te organizuar para atyre që na vlerësojnë për këtë çështje, gjë që është shumë paradoksale.

Ndërkombëtaret e dinë gjendjen korruptive në Kosovë, pranimi i kësaj gjendje jep sinjale pozitive se ne duhet t’i përfillim rekomandimet që na u kanë dhënë në raportin e progresit për Kosovën. Në të gjitha raportet e Progresit për Kosovën, korrupsioni dhe krimi ka qenë kryefjala e tyre, por nuk ka pasur guxim as vullnet politik që ti shpallet luftë pa kompromis kësaj të keqeje. Gjithmonë është tërhequr vërejtja se në përgjithësi, korrupsioni është mjaft i përhapur ne te gjitha institucionet e shtetit dhe mbetet një çështje shqetësuese serioze. Prandaj pavarësisht nga përpjekjet e bëra, ekziston nevoja për një vullnet të fortë dhe të vazhdueshëm politik për të adresuar në mënyrë efektive çështjet e korrupsionit, si dhe një përgjigje të fuqishme të drejtësisë penale kunder korrupsionit të nivelit të lartë!.

Qeveria e re e Kosovës ka shumë detyra që ndërlidhen me këtë fushë e që duhet të jenë në prioritet gjatë këtij mandati. Në vazhdim, sipas raportit të Progresit, Kosova në veçanti duhet të forcojë efikasitetin e regjimit të konfiskimit duke promovuar përdorimin sistematik të konfiskimit të zgjeruar dhe 'të rregullt' nga prokuroria dhe policia, me krijimin e një fondi konfiskimi dhe me përmirësimin e procesit të shitjes së pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara të menaxhuara nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK). Po ashtu kërkohet të miratojë Kodin e Procedurës Penale të rishikuar, duke përfshirë dispozitat mbi suspendimin e zyrtarëve publikë të paditur për vepra të lidhura me korrupsionin.

Kërkohet që Kosova të sigurojë që raportet financiare dhe raportet shpalosëse të fushatave të partive politike publikohen dhe auditohen vazhdimisht, dhe të aplikohen sanksionet për shkelje të ligjeve përkatëse. Të ndryshohet korniza ligjore që rregullon financimin e partive politike dhe fushatave në përputhje me mendimin e Komisionit të Venedikut, për të siguruar zbatimin efektiv, llogaridhënien dhe transparencën. Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme është kryefjala e të gjitha kërkesave që ndërlidhen me luftimin e korrupsionit në Kosovë dhe hapjen e perspektivës më të shpejtë evropiane për vendin tonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".