Ligji për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme dhe VETTING-u, me prioritet për luftimin e krimit dhe mafies

Ligji për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme dhe VETTING-u, me prioritet për luftimin e krimit dhe mafies

Arsim Haziri

  • 26 April 2021 - 18:09

Shkruan: ANALISTI- Arsim Haziri

Reformimi i sistemit të drejtësisë bëhet vetëm kur miratohen ligje që vërtetë japin bazë ligjore dhe nuk lënë hapësira vakumi për të penguar luftimin e dukurive dhe rasteve kriminale e të kundërligjshme. Ligji për Konfiskimin e pasurisë së Kundërligjshme është një, kurse i dyti, Ligji Veting pastron sistemin e drejtësisë nga jo meritorët dhe kështu krijohet hapësira e veprimit legal institucional e ligjor të ballafaqimit me të keqen.

Jemi dëshmitarë se qeveria Kurti dy po bënë hapat e parë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës pa kompromis kundër korrupsionit, duke filluar me vendosjen me prioritet të bazës ligjore. Nisma pa vonesë e hartimit të Ligjit për Konfiskimin e pasurisë së Kundërligjshme dhe Vetingu janë dy shtyllat kryesore për ta mbështetur fuqishëm luftën kundër korrupsionit dhe pastrimin e sistemit të drejtësisë. Derisa për Ligjin e parë, për konfiskim, që realisht është Ligji antimafia. Kërkohet një ekspertizë e thellë dhe mundë të merr pak më shumë kohë, Ligji Veting tani është duke u zbatuar në Shqipëri dhe marrja e një modeli që i përshtatet situatës në Kosovës e përshpejton krijimin e këtij bazamenti ligjor. Në Shqipëri Ligji i VETTING-ut ka filluar të japë rezultatet e para, rezultate këto që kanë shkuar shumë larg dhe po vazhdojnë akoma sepse ka disa gjyqtarë dhe prokurorë që nuk po arrijnë ta justifikojnë pasurinë e tyre, dhe si rezultat i kësaj, po u pamundësohet angazhimi në institucionet e drejtësisë. Drejtësia po vetë pastrohet. Ky model duhet të përshtatet edhe për VETING në drejtësinë Kosovare me specifikat e veta. Përderisa në Shqipëri po vërehen efektet pozitive nga miratimi i këtij ligji, atëherë duket shumë e arsyeshme angazhimi i Qeverisë dhe shoqërisë civile dhe e grupeve të intelektualëve të Kosovës, e sidomos të atyre që janë të diplomuar në fushën e drejtësisë që të angazhohen dhe punojnë në të dyja drejtimet. Qeverisjet e kaluara kanë folur shumë me retorika boshe si për njërin ligj edhe për tjetrin, por nuk kanë vepruar. Shumë debate e përplasje janë zhvilluar në Kuvend, me premtime e zotime të kota politike. Kemi parë e dëgjuar shumë përplasjen mes të deputetëve të pozitës dhe opozitës, mirëpo asnjëherë nuk u morr guximi i veprimit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit me masa praktike të bërjes së ligjeve. Tani më kjo Qeveri është nisur që në fillim të mandatit në aksion të reformës së thellë të sistemit të drejtësisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".