Leni sharjet, kërcënimet e dhunën në parlament!

Leni sharjet, kërcënimet e dhunën në parlament!
Leni sharjet, kërcënimet e dhunën në parlament!

Shefik Shkodra

  • 08 May 2021 - 11:00

Shkruan: ANALISTI:  Shefik Shkodra

Për gjurulltinë e pa ndërprerë të opozitës (shumë e pa përmbajtur dhe të padisiplinuar në asnjë çast), pa pushim i bini (rrahni) llamarinat, vetëm krisma shurdhuese. Vetëm thirrje për të keqen. Sikur ju jeni vetëm për të bërë keq në këtë truall, si kur ishit në pozitë si tash në opozitë. Sikur ju duhet të dëgjoni urdhrat e eprorëve, madje edhe në ballafaqim fizik. Sikur ju i dini të gjitha, po të tjerët jo. Mos i dhunoni ministrat e qeverisë se jeni duke dhunuar krejt Kosovën! Mos u bëni aq të mençur, se këtu është vend i vogël dhe nuk ka kush u “lavdëron!”  

Leni rehat njerëzit, le të punojnë se kanë shumë punë! Ju (PDK, LDK e AAK) keni lënë pas shumë punë të pakryera, por edhe shtimi i tyre nëpër kohë rrjedh pa ndalur. Ju dy partitë në pushtetin e deritashëm (PDK, LDK) keni rrëshqitur shumë herë. Ju keni menduar gabim, se, krejt çka shihet duke fluturuar hahet. Se krejt hapësira e Kosovës është pronë e patjetërsueshme e juaja. Dhe se ju mund të bëni çfarë të doni. Qytetarët e Kosovës (Shqiptarët) janë shumë të durueshëm.

Ju kanë përkëdhelur ju, si luftëtarë në çlirimin e vendit, për të mos qeshur armiku me ne. Por ju e keqpërdorët: - asnjë padi për gjenocidin e Serbisë; - kurrfarë emancipimi të krahut të luftës, vetëm grupe të ngushta; - asnjë njoftim për politikën e jashtme, në kontakt dhe biseda me Vuçiqin e Serbisë. Ju sot nuk mund të ecni si duhet me “potera” e me ngërdheshje kundër pozitës pa ndonjë arsye. Ju nuk bën të tregoheni si njerëz që nuk merrni vesh asgjë, pos grindjeve dhe sulmeve që nuk keni fare argumente!

Ju nuk duhet të amortizoni punën e qeverisë, por të ndihmoni për shtetin e Kosovës më tepër, jo të ofendoni të tjerët, e çfarë sedre keni ju që u duruan qe njëzet vite këta qytetarë?! A e dini sa bajat janë disa fytyra, tashmë pas kaq kohe! Kush jeni ju që i vërsuleni njeriut, cilido qoftë që nuk është me melodinë e juaj? Cilën valle doni ju? Ndoshta ndonjëri e dëshiron Shiroko Kolo, apo Zhikono Kolo?! Çfarë po doni të hidhni në dritë me kaq tërbime e me aq shpejtësi në atë parlament?

Kush je ti Abelard Tahiri, e tahira të tjerë që po tërbohesh pa nevojë? A mund të flasësh më qetë e më i arsyeshëm? Çfarë gjuhe po përdor? A ty duhet të gjithë të durojnë sharje dhe ofendime, si zakonisht që ju të PDK-s, LDK-s i bëni (shefat e grupeve sidomos) shumë të pakëndshëm! Shumë smirëzinj! Të pamoralshëm. Ju edhe e ndillni të keqen pa ndërprerë.

Më mirë, “le të bëhet deti kos”, se po del krejt fëlliqësira jashtë dhe po qelbet bota prej jush, kështu mendojnë shefat ndoshta. Pritni pak, se VV dhe koalicioni, nëse nuk bën punë të drejtë, këtu jemi të gjithë. S’keni nevojë aq të çarteni si bisha. E dini se në Kosovë nuk janë krejt njerëz të paformuar.

Nuk janë krejt me alltia e biçakë në duar. Nuk kërkojnë të gjithë grindje. Nuk më besohet me veprimet e juaja. Keni marrë mësim në Parlamentin serb dhe atë të vëllezërve...po kjo s’është ndonjë shkollë politike e as kulturore.
Vërtet fotografia e juaj dhe e disa deputetëve është e grimcuar në sy të publikut.

Ju keni marrë urdhra nga padronët e juaj, sepse jeni të rrezikuar nga e kaluara e juaj jo aq e këndshme. Këtë e di çdo njëri prej qytetarëve të Kosovës. Pse ju si opozitë kërkoni dhe i paguani ato portale, televizione me sharlatan njerëz, për të treguar se, ja na e dimë dhe “qesim fall” për të ardhmen e qeverisjes së A. Kurtit me kabinetin e tij. Pse ata analistë brenda kaq pak kohe u dëgjohet vërshëllimë zëri në ato dritare, për të degraduar sa më shumë që është e mundur punën e sapo filluar të kësaj qeverie.  – Nuk e duam këtë ministër, se nuk po “lyen” fasadën e ndyrë që e keni bërë deri më tash.

Nuk mund të flisni në mënyrë pezhorative e as t’i etiketoni të tjerët, kur ju vetë nuk jeni autokritikë, dhe vetëm karikaturë keni mbetur. Ku ishit qe njëzet (20) vite? Nuk dua ta kursej VV tash në pushtet, por ju degradoni personalitete që janë larg larg prej moralit të juaj. Dhe kjo ta ngrit temperaturën. 

Lejoni ministrat dhe gjithë Qeverinë e re të marrë frymë dhe të niset në punët e domosdoshme. Lejoni presidenten dhe mos u bëni faqja e zezë...! Sepse qytetarët e Kosovës ju njohin dhe e dinë mirë kush e ka degraduar shtetin e ri. E dinë mirë kush e bëri Kosovën me një (*), kush ishte për themelimin e GJS në Hagë, si Gjykatë për krime të luftës. E dimë se kush ishte në pushtet, kur iu dha toka Maqedonisë, sikur që e dimë edhe për atë që iu dha M. Zi, e dimë çfarë dobësish janë treguar edhe nga të tjerët bashkë me PDK-n, kur nënshkruhet dhënia e tokës menjëherë pas ardhjes në pushtet, edhe pse ishte njëri nga kundërshtarët më në zë.

E dimë se, ky zë ka pushuar (pasi është zgjedhur kryeministër) në marrëveshje të liga me krerët e PDK-s. Krejt kjo në dëm të Kosovës së shkretë, si mos të kishte njerëz të aftë për politikë. E dinë të gjithë se çfarë gjykatash dhe si respektohet ligji, falë krerëve të dy tri partive në pushtet. Pra, për çfarë jeni duke menduar se mund të pengoni edhe më tutje qeveritë tjera, pos veten e juaj (PDK, LDK), që të shihni veten në pushtet. Vërtet ju jeni si fëmijët që llastohen nga familja. Për sa kohë e keni qeverisur këtë vend, ju nuk keni bërë ditë të lume pa ndonjë skandal ekonomik, por edhe politik. Mjaft ka qenë ajo veprimtari e juaj, pa menduar për shtetin veç për të mirat e juaja. Keni kujdes, si ka fytyrë dikush të dalë para opinionit publik, sikur është i  pafajshëm e sikur është një personalitet shumë i drejtë. 

Pse e ngacmoni ju atë grua (D. Gërvallen) në punën e saj? Çka mendon ti Abelard “gjykatësi”, që çdo gjë nga qeveria ta hedhësh ti pas dere, sepse ke marrë urdhër nga të tjerët të fëlliqesh dhe të mos kesh kurrfarë arsye. Ti dhe kolegët e tu, është e çuditshme si keni ardhur deri aty. Mirëpo për kosovarët nuk është çudi, sepse janë të mësuar me këto allishverishe të partive.  – Të dërgohen (zgjidhen nga partia) njerëz që vetëm çojnë pluhur si opozitë. Të amortizohet puna e Qeverisë Kurti, se do të dalin të fëlliqët për fushë, a?! E marrim me mend se këtë zor e ka dikush tash në atë opozitën e mbetur. Këta të deleguar “nga populli”, vetë nuk janë koshientë, nuk kanë integritet të personalitetit të vet. Dhe vërtet veprojnë si është më keq. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".