Bota shqiptare shumë bizarre, i lënë punët e tyre e i marrin barrë të huajat

Bota shqiptare shumë bizarre, i lënë punët e tyre e i marrin barrë të huajat
Bota shqiptare shumë bizarre, i lënë punët e tyre e i marrin barrë të huajat

Shefik Shkodra

  • 15 May 2021 - 10:28

Shkruan: Shefik Shkodra 

Është humane të protestohet kundër krimit dhe gjenocidit. Kudo ka pasur dhe sot bëhen luftëra. Gjatë luftërave, pavarësisht ku, bëhet krim në njerëz, kafshë; bëhen dëme materiale e ekonomike në përgjithësi, në kultet fetare e kulturore. Luftërat janë tragjedi njerëzore. Janë humbje jetërash të njerëzve që s'kthehen më jetë. Janë shkatërrime të atyre që janë ndërtuar me mund.

Gjatë luftërave vuajtja është e madhe për njerëz e sidomos për fëmijët. Gjatë viteve të mia, që nga fëmijëria mbaj mend luftërat në Kore, Vjetnam, në Rodezi e edhe në ndonjë vend tjetër në gjeografinë e planetit tonë. Për luftërat në Vjetnam, atëherë kemi protestuar si nxënës të shkollave të mesme. Sistemi politik jugosllav na ka informuar nëpër media, ato skenat më të vështira. Ata e kanë bërë më shumë për  çështje politike. Palestina dhe Izraeli janë në luftëra prej viti në vit.

Konflikti i tyre niset që nga themelimi i shtetit izraelit. OKB s'ka qenë në gjendje t'i rregullojë dhe t'i marrë vesh këta dy popuj fqinj. As forcat tjera. Palestinezët kanë lindur në luftë dhe kanë vdekur në luftë. Pse kështu? Është pyetje në veti. Mediat gjithashtu na i kanë servir shumë skena makabër.

Ne jemi ndie keq, duke pasur parasysh se e kemi pasur fatin e ngjashëm, sikur është provuar ajo lufta më  e re me 1999 me okupatorin tonë të kahershëm. I kemi gjykuar dhe kemi shkruar poezi edhe për zhvillimet e lutërave palestineze izraelte. Që në ato kohë kemi ndie një dhimbje e simpati më tepër për palestinezët, diçka si për fe të njëjtë e më tepër nga indoktrinimi politik komunist jugosllav. 

Por palestinezët e Palestina nuk na ka njohur ne (Kosovën) si shtet. Madje ata na kanë quajtur "vend i Serbisë", sipas tyre, edhe kjo krejt politike. Tash po orvaten me një sjellje pas forcave të Lindjes, me Serbinë e ndoshta edhe me fuqitë tjera, sikur të ekzistojë Blloku Lindor i dikurshëm. Si pas një Pakti të Varshavës. Kjo është çështje e tyre. 

Sot ka ndryshuar kjo politikë dhe gjendja nëpër botë është krejt tjetër. Sidomos, tash për tash, për ne Shqiptarët. E posaçërisht për ne në Kosovë. Sipas mendjes time, këta inicues e organizatorë për protesta të tilla janë të vocërr ose janë kundër kursit të politikës, që do të duhej të ndiqet në Kosovë. Dhe tjetra, mund të jenë edhe spica të agjenturave të Serbisë. 

Kush po organizon protesta, sot, në Prishtinë? Për kë? Cili është shkaku dhe qëllimi? Cili është ai lider i njohur botëror nga shqiptarët, (humanist, shkencëtar, artist, shkrimtar, intelektual i dalluar e që e njeh bota mbarë zërin e tij, sa të jetë në gjendje të trokasë në ndërgjegjèn e kancelarive të diplomacisë botërore si humanitet), kush u përgjigjet këtyre pyetje? A është koha për protesta të kësaj natyre?

Kosova, sot, ende e pa rehabilituar si shtet e po proteston për dikë tjetër që nuk të njeh fare, madje të kundërshton.

Po mirë, sa protesta janë bërë nga shqiptarët qe njëzet vjet për gjenocidin që e ka bërë Serbia në njerëz dhe shkatërrimet tjera të kulteve fetare, historike e kulturore, ekonomike (plaçka e mjete financiare vetëm në sektorin privat, vjedhja, etj.) në Kosovë? Duhet çështja jonë të rregullohet e pastaj të mendojmë për të tjerët. Na jemi nevojtarët e parë që të na përkrahin të tjerët. Mendon ndonjë mendje lehtë se, puna jonë është kryer, veç na po duam që edhe të tjerët t'i rregullojmë. T'u bijmë tamburave për ata të Lindjes se na jemi fuqi...Hë! E keni qëlluar! Mos i merrni punët që nuk mund t'u dilni zot, sidomos barrën e huaj! Mos i shkaktoni dëm Kosovës me vetëdije e edhe pa vetëdije! 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".