Presidentja Osmani ja mbylli gojën serbit Vuçiq me faturën e krimeve të luftës

Presidentja Osmani ja mbylli gojën serbit Vuçiq me faturën e krimeve të luftës

Gani Qarri

  • 20 May 2021 - 18:44

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Adresimi i qartë i Presidentes së Kosovë Dr.Vjosa Osmani në samitin e liderëve udhëheqës të Ballkanit Perëndimor në Brdo-Brione, ishte një paralajmërim faktik për gatishmërinë e Kosovës, për përballje direkët dhe të argumentuar me Serbinë edhe para faktorit ndërkombëtar, duke ua bërë me dije se njëmend Kosova po përgatitet me seriozitet të plotë, që ta padis, përfundimisht shtetin okupator serb për krime dhe gjenocid ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, duke bërë me dije se pa nxjerrjen e kriminelëve të luftës para drejtësisë, pa kërkim falje dhe kompensim të dëmeve të shkaktuara, nuk mundë të ketë pajtim,  njohje reciproke as marrëveshje të qëndrueshme paqësore në mes të dy shteteve.

Madje kjo është hera e parë që një lider i shtetit të Kosovës e sfidon në mënyrë kaq të guximshme publike, kreun e shtetit të Serbisë në një forum ndërkombëtar lidhur me gjenocidin dhe krimet e luftës, si presidentja Dr. Vjosa Osmani e cila zëshëm dhe pa asnjë hamendje kërkoi llogari publike nga Vuçiq për mos dënimin e kriminelëve serbë të luftës në Kosovë derisa ai pa fije turpi, përdorte arrogancën jo vetëm për mospranimin e krimeve të luftës, por edhe ngulmonte se kinse Kosova na qenka pjesë e territorit serb. Mirëpo Presidentja Vjosa Osmani ja bëri shumë të qartë kriminelit Vuçiq, se pyetja kryesore dhe më e rëndësishmja është se; pse autorët e këtyre krimeve të neveritshme të kryera nga regjimi i Millosheviqit as mbi 21 vite pas lufte, nuk janë vendosur prapa grilave, prandaj deklaroi ajo se si Presidente e popullit të Kosovës, e kam obligim dhe detyrë morale e njerëzore që të flas hapur dhe pa ekuivoke për të vërtetën e trishtueshme, rreth asaj se çka vërtetë ka ndodhur gjatë okupimit të Kosovës nga Serbia hegjemoniste, dhe krimet e tmerrshme të kryera nga regjimi kriminal i Millosheviqit, përfundimisht ti quaj me emrin e tyre të vërtetë:Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. 

Kështu që siç u shpreh me të drejtë edhe presidentja e vendit, Dr.Vjosa Osmani, është e domosdoshme të kërkohet nga Serbia, që pas më tepër se dy dekadash, ti sjellë përfundimisht para drejtësisë autorët e këtyre krimeve makabre, kundër civilëve të pafajshëm shqiptar në Kosovë, pasi që një barrë të asaj përgjegjësie të rëndë e mbanë edhe vetë presidenti aktual serb Aleksandër Vuçiq, si ish ministri i informatave dhe krahu i djathtë i Sllobodan Millosheviqit gjatë okupimit dhe luftës në Kosovë, si bashkëpërgjegjës faktik për tragjeditë e ndodhura dhe të gjitha krimet e kryera kundër shqiptarëve të pambrojtur në shtëpitë dhe tokat e veta autoktone. Për aq më tepër, tanimë është momenti historik i lënies anash të inateve partiake dhe orientimit të tërë kastës politike të Kosovës, për pikëtakim në një qëllim të vetëm, si bashkëpunimi gjithëpërfshirës në dialog me Serbinë si dhe bashkimin pa përçarje në projekt platformën për ta kushtëzuar deri në fund shtetin serb, në mënyrë që të sigurohet përfundimisht edhe mbështetja sa më e fuqishme ndërkombëtare për kushtet që do ti vendosen shtetit okupator serb, në dialog për njohje dhe kërkimin e përgjegjësisë për krimet e gjenocidin, si dhe dëmet e luftës të shkaktuara nga Serbia në Kosovë, pasi që edhe përderisa dialogohet në forumet ndërkombëtare, ekipet e forenzikës po zbulojnë edhe sot, pas më tepër se 21 vitesh, trupat e viktimave shqiptare, të kamufluara dhe groposura në thellësi marramendëse në varrezat masive gjithandej Serbisë fashiste, e cila si shtet kriminal dhe okupator, nuk mund dhe as nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë, pa e marrë dënimin e merituar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"