Të përcillet me kujdes pasuria e krerëve të nëntokës kriminale

Të përcillet me kujdes pasuria e krerëve të nëntokës kriminale

Gani Qarri

  • 24 May 2021 - 07:47

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Pas procedimit të koncept dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme i cili i hap rrugën hartimit të projektligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme ndaj secilit të dyshuar që grumbullimin e saj, nuk mund ta arsyetoj ligjërisht, duke pasur parasysh se asnjëherë deri më tani Prokuroria speciale nuk i hetoi pasuritë e peshqve te mëdhenj të politikës dhe pushtetarëve të lidhur me mafio-oligarkinë dhe nëntokën kriminale, të cilët kanë deponuar e fshehur, fonde e pasuri të majme edhe jashtë vendit, është momenti vendimtar që Qeveria e re dhe Ministria e Drejtësisë, ta vejnë në lëvizje menjëherë, tërë sistemin e drejtësisë, me të gjithë dikasteret përkatëse, për hetimin e pasurive të pajustifikueshme të secilit politikan e pushtetarë të lidhur me mafio-oligarkinë dhe nëntokën kriminale, vendore e ndërkombëtare.

Madje Qeveria Kurti dhe Ministria e Drejtësisë, duhet ta inkurajojnë prokurorinë speciale edhe nëpërmes KPK-ës që të nisin urgjentisht hetimet dhe ta vlerësojnë me kujdes maksimal, pasurinë e secilit person të dyshuar me pozita të larta, gjykatës dhe prokuror, që paguhen nga buxheti i shtetit, krahas detyrimit që ata kishin sipas ligjit për ti deklaruar të ardhurat dhe pasurinë në Agjencionin Kundër Korrupsion, pasi që ekzistojnë dyshime të forta për shpërndarjen dhe kamuflimin e pasurisë së pajustifikueshme në emra dhe adresa të të afërmve dhe të njohurve të tyre, duke u paguar edhe ryshfet e përqindje të vogla simbolike, në mënyrë që pasuria dhe të dhënat e tyre, të mos bëhen, të gjitha publike

Për ngecjet në fjalë, vet Prokuroria speciale, mbanë përgjegjësinë kryesore ndaj dhe duhet të jap sqarim deri në detaje se pse asnjëherë deri më tani nuk hetoi pasurinë e peshqve te mëdhenj dhe udhëheqësit e kriminalizuar të partive të inkriminuara politike, të cilat për mese dy dekada ishin në pushtet dhe vodhën, zhvatën e plaçkitën çdo gjë të vlershme në këtë vend, duke mos akuzuar askënd as quar para gjykatës asnjërin prej tyre.

Çfarë mund ta ketë penguar këtë farë të ashtuquajtur prokurori, që për më tepër se dy dekada, të mos hetojnë pronat e mëdha të politikanëve te inkriminuar brenda dhe jashtë vendit edhe ex-officio, e të bënte krahasimin dhe vlerësimin e vlerës reale, apo ka gisht edhe ajo vet dhe është e involvuar bashkë me ta, në këto akte të trishta, mafioze e grabitqare. Kështu që pas ndryshimeve në pushtet dhe dërgimin e partive të inkriminuara në opozitë, Qeveria e re duhet ta detyrojë prokurorinë që në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe mekanizmat tjerë të zbatimit te ligjit, ti nisin sa më parë hetimet edhe në baza ndërshtetërore, si me vendet e rajonit; Shqipëri, Mali i Zi, e Maqedoni, ashtu edhe vendet e BE-së, që kanë bashkëpunuar me shtetin e Kosovës, si Zvicra, Gjermania, Dubai e deri në Maltë e Panama dhe Amerike, ku dyshohet se politikanët e inkriminuar, mund ti kenë deponuar paratë, apo edhe investuar pjesërisht për mbulimin e shpëlarjes së parave dhe tjetërsimin e pasurive të paligjshme, të grabitur në Kosovë.

Për aq më tepër, para drejtësisë duhet të vendosen edhe vet kryeprokurori i shtetit dhe të jap shpjegime publike, se pse, që nga paslufta e deri më sot, nuk është hetuar asnjë pasuri e politikanëve te inkriminuar, brenda as jashtë vendit, kur dihet mirë, se destinacioni i qindra miliona eurove te vjedhura për afro 20 vite, përveç "investimeve" në prona në Kosove, ka përfunduar ne llogarite bankare edhe ne parajsa fiskale, deri në vendet më të largëta.

Ndaj është momenti vendimtar, që të fillohet urgjentisht edhe me ashpërsimin e përgjegjësisë brenda vetë organit të akuzës sepse heshtja dhe mbyllja e syve, për dy dekada, para mega krimit të instaluar në politikë ka bërë që, Kosova para opinionit dhe miqve tanë ndërkombëtar të identifikohet si shtet me shkallë të krimit e të korrupsion të nivelit më të lartë në rajon e më gjerë. Kështu që për tu çliruar, njëherë e mirë, prokuroria dhe vet sistemi i kapur i drejtësisë, si dhe këndellur ky vend nga korrupsioni galopant e krimi i organizuar mbi 21 vjeçar, i cili ka bërë bukur shumë vite dhe ka hy në moshën e pjekurisë, që dëshmon se do të jetë bukur problematike të çrrënjoset shpejtë dhe lehtë, është e domosdoshme, që pikësëpari të vendosen para drejtësisë dhe dënohen një pjesë e mirë e vetë prokuroreve mafioz dhe gjykatësve të korruptuar, përndryshe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, që në nisje është e dënuar të dështojë dhe të shënohet si betejë e humbur ende pa filluar investigimi mirëfilltë për luftimin e tij!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".