A më shumë i duhet politika intelektualit, apo intelektuali politikës?

A më shumë i duhet politika intelektualit, apo intelektuali politikës?
A më shumë i duhet politika intelektualit, apo intelektuali politikës?

Fadil Maloku

  • 25 May 2021 - 09:54

Shkruan: Prof. Dr: Fadil Maloku

 Aderimi i intelektualit në parti politike në vendet e tranzicionit është bërë sot ekskluzivisht punë interesi meskin klanor, e jo edhe ndonjë lloj ndjenje a fascionimi të caktuar ideologjik. Autoriteti i partisë, ideologjisë, i liderit qoftë ai edhe karizmatik, për një intelektual që ka pretendime e prirje të larta e sublime, përveç që është një “këmishë” shumë e ngushtë ideologjike, është edhe një “adresë” e gabuar sociale, që lehtësisht në sy të publikut të gjerë mund të perceptohet edhe si një lloj “tradhtie” e pakëndshme, si ndaj vetes së tij, ashtu edhe ndaj kauzës që i njëjti pretendon ta ndjek në jetën e tij sociale.

“Tradhtia” që e bëjnë zakonisht pretenduesit e intelektualizmit të njëmendët, në këmbim të një posti apo interesi të përkohshëm politik, në fakt në faza afatshkurtra duket si një kalkulim shumë profitabil, por në sosh afatgjata ky këmbim i lirisë së mendimit e gjykimit, në disfavor të pavarësisë personale shndërrohet shumë lehtë në hipokrizi e dëm të pariparueshëm! Pra, intelektuali i vërtetë do të duhej në parim të ishte ashpërsisht i butë, një prokuror i vetvetes, e avokat i interesave të kombit e shtetit.

Sepse, vetëm duke bërë “kujdestarinë” e tillë neutrale ndërgjegjësuese, ai arrin ta mbajë gjallë dhe ta motivojë publikun e fragmentarizuar ideologjikisht, në periudha të dhimbshme e të rrezikshme historike. Ndryshe, nëse bie nën ndikimin e klaneve partiake e ideologjike, ai e humbë të drejtën e kandidimit dhe nominimit jo vetëm në politikë, por çka është më me rëndësi në histori. Lehtësia me të cilën disa njerëz synojnë të identifikohen pa fije ngurrimi me konceptin, statusin po edhe ligjërimin intelektual, shpeshherë të bë të skuqesh para vetës dhe të tjerëve

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".