“Flamuri i Dardanisë” nuk është simbol as i Shqipërisë Etnike e as i Kombit Shqiptar, por vetëm një vizatim i lirë-një dëshirë !

“Flamuri i Dardanisë” nuk është simbol as i Shqipërisë Etnike e as i Kombit Shqiptar, por vetëm një vizatim i lirë-një dëshirë !
“Flamuri i Dardanisë” nuk është simbol as i Shqipërisë Etnike e as i Kombit Shqiptar, por vetëm një vizatim i lirë-një dëshirë !

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 08 June 2021 - 09:28

Barometri diplomatik

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

 ***Prandaj, asnjë qytetar i Kosovës nuk është i obliguar që ta respektojë e as ta përdorë atë "flamur dardan", sepse është i jashtëligjshëm, jashtëkushtetues, jashtështetëror dhe jashtëkombëtar. Atëherë, pse të zihemi mes veti për të, ku është logjika? - Vetëm nëse KOMBI SHQIPTAR i jep "vizën" e përdorimit, atëherë të gjithë jemi të detyruar ta respektojmë dhe  ta përqafojmë atë si simbol kombëtar. Ndryshe jo, o njerëz të uruar dhe të bashkuar, Zoti iu drejtoftë siç di Ai  t'iu shpërblejë më së miri sipas sjelljeve dhe veprave të juaja.

*** Pra, nuk kemi nevojë për flamuj dhe për kombe të reja, sepse kemi një Flamur të Skënderbeut dhe kemi një komb shqiptar. Mirëpo, kemi nevojë të domosodshme dhe të ngutshme(si ujin dhe bukën) që të bëjmë bashkimin kombëtar dhe të Shqipërisë etnike nën FLAMURIN  e Skënderbeut. Kjo është detyrë mbi detyra e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen në këtë planet.

*** Për flamurin privat, të ashtuquajtur “dardan” të Rugovës nuk kanë pse të përplasen, të konfrontohen dhe të luftojnë mes veti shqiptarët, sepse ai nuk është as simbol kombëtar e as shtetëror i shqiptarëve. Në të vërtetë, ai flamur ishte shprehje e një dëshire të ëndërruar të Ibrahim Rugovës, i cili me politikën e tij të dështuar 10-vjeçare nuk mundi ta mbronte Flamurin e Skënderbeut nën të cilin luftoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës (1991-1999).

-Domethënë, shkurt e shqip, flamuri i Ibrahim Rugovës është një flamur privat i tij, i askujt tjetër. Kështu duhet ta kuptojnë dhe ta trajtojnë drejt të të gjithë shqiptarët anembanë  botës. –Nganjëherë edhe ëndrrat janë të mira, por realiteti është diçka tjetër. Me ëndrra nuk fitohet liria e as nuk ndërtohet shteti i pavarur, por me dituri, me trimëri dhe me luftë, ashtu sikurse luftoi UÇK-ja, e cila ka meritat kryesore për sjelljen e UNMIK-ut, të KFOR-it dhe të Amerikës në Kosovë  (24 mars -10 qershor 1999).

Prandaj, askush nuk e ka atë të drejtë ligjore, kushtetuese, kombëtare dhe shtetërore, që flamurin e vizatuar dardan  të Rugovës, ta vënë në zyrat publike brenda dhe jashtë institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, sepse valvitja dhe përdorimi i tij është provokim i thellë dhe shumëdiemnsional i Flamurit të Skënderbeut.

Derisa i gjithë kombi shqiptar nuk e ka pranuar e as nuk e ka legalizuar publikisht “Flamurin dardan” të Ibrahim Rugovës, ai, në asnjë mënyrë nuk përfaqëson e as nuk simbolizon Kombin Shqiptar as brenda e as jashtë  territoreve të Shqipërisë Etnike, mbase është një  vizatim-punëdore private  e Ibrahim Rugovës, as më pak e as më shumë.

Me atë”flamur dardan” të Rugovës nuk duhet të merret as shteteti e as populli, sepse nuk ka asnjë vlerë kombëtare e as shtetërore.

Prandaj, do të duhej të ndalohej  përdorimi i tij publik. Ndërkaq, privatisht, le të mbështillet me të kush të dojë, por, assesi t’i imponohet popullit në mënyrë arbitrare qoftë politike, ideologjike, kombëtare  apo religjioze etj. Prapavija politike e “zbulimit” të këtij flamuri po shihet nga satelitët avaks të  Amerikës.

Prandaj, pavarësisht nga objektivi i sofistikuar i marketingut politik për qëllime retrograde strategjike për të përqafuar  vullnetarisht dhe verbërisht “Vijën e Teodosit” , “flamuri dardan” i imponuar nga Rugova, kurrë nuk do të legalizohet derisa të ekzistojë kombi shqiptar, gjuha shqipe, kultura shqiptare, zakonet shqiptare, traditat shqiptare, besa shqiptare dhe virtytet shqiptare sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Pra, ta kenë të qartë kovaçët dhe farkëtarët e “kombit dardan” dhe të “kombit kosovar”, se pa u shua kombi shqiptar dhe atdheu shqiptar-Shqipëria etnike, nuk do të ketë fuqi e përbotshme, as rajonale e as mëhallore, që mund t’ua heqë Flamurin Kombëtar Shqiptar të Skënderbeut.

Për më tepër, ai flamur i Rugovës është provokim dhe bastardim i të gjitha luftërave dhe betejave të shqiptarëve në Ballkan për lirinë, për pavarësinë dhe për bashkimin e tyre në një truall dhe në një shtet të përbashkët-SHQIPËRINË ETNIKE.  

“-O shqiptarë të mjerë…” siç thoshte dikur rilindësi  dhe patrioti ynë i shquar Andon Z.Çajupi, sa kombe e sa flamuj të huaj po i doni, kur kemi një komb, kemi një flamur, kemi një Skënderbe, që nuk e ka as Evropa e as bota?

Shpikjen e flamurit dardan privat të Rugovës nuk duhet kuptuar si ndonjë simbol heroik kombëtar, që ka valvitur në betejat e pjesëtarëve të UÇK-së, por vetëm si akt  ngushëllues dhe, si një satisfaksion vetjak të çastit historik, sepse me politikën e tij të gabuar pasive paqësore nuk e mbështeti luftën e UÇK-së e as nuk qe në gjendje që ta valvitëte dhe ta mbronte Flamurin e Skënderbeut si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu siç parashikonte Kushtetuta e Republikës së Kosovës (Neni 108), e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut (7 shtator 1990).

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".